2014-04-12 18:22:16

Ish-Jugosllavi: ipeshkvijtë kërkojnë të ndahen në Konferenca ipeshkvnore


Përfundoi, në Zrenjanin, në rajonin e Vojvodinës, në Serbi, Asambleja Plenare e Konferencës ndërkombëtare të “Shenjtorëve Çirili e Metodi”, që përfshin Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Kosovën. Në takim morën pjesë nunci apostolik i Beogradit, imzot Orlando Antonini; kryetari i Konferencës, imzot Zef Gashi, kryeipeshkëv i Tivarit (Mal i Zi); imzot Stanislav Hoçevar, kryeipeshkëv i Beogradit, ekzarku për katolikët e ritit lindor në Serbi e Mal të Zi, imzot Djura Dzudzar dhe anëtarët e tjerë të Konferencës.
Prelatët vendosën t’i propozojnë Selisë së Shenjtë ta ndajë Konferencën Ndërkombëtare në katër Konferenca kombëtare, që përkojnë me vendet përkatëse. Jemi kombe me realitete të ndryshme, pohon për agjencinë Sir, sekretari i përgjithshëm i Konferencës, imzot Ladislav Nemet, ipeshkëv i Zrenjaninit (Serbi) prandaj karakteri ndërkombëtar i Konferencës e bën atë më pak elastike. Edhe autoritetet nuk na pranojnë si partnerë të vlefshëm, në kontekstin e vendit të tyre. E shton: pastaj, secili nga vendet tona ka nuncë të ndryshëm e kjo e ndërlikon edhe më shumë komunikimin me Selinë e Shenjtë.
Në rast miratimi të propozimit nga ana e Kongregatës së ipeshkvijve, Maqedonia e Kosova do të mbeten me një ipeshkëv; Mali i Zi, me dy, ndërsa Serbia do të ketë gjashtë prelatë. Sipas imzot Nemet, kjo nuk krijon asnjë problem. Në traditën e Kishës nuk mungojnë raste të ngjashme. Edhe në Moldavi, Konferenca ka një ipeshkëv të vetëm. Në të njëjtën kohë, do të zhvendoset edhe selia e Konferencës Ipeshkvnore Ndërkombëtare: nga Beogradi, në qytetin e afërt Pancevo, në Vojvodinë, ku jeton shumica e katolikëve të Serbisë.
Prelatët e Konferencës së Shën Çirilit e Metodit, miratuan edhe një dokument me vijat udhëheqëse për rastet e shpërdorimeve seksuale të të miturve nga ana e kishtarëve. Në këtë pikë, jemi pakëz të vonuar, në krahasim me vendet e tjera, sqaron imzot Nemet, sepse duhej të konkordonim ligjshmëritë e të katër vendeve.Në dokument nënvizohet impenjimi dhe serioziteti, me të cilin Kisha katolike do t’i trajtojë këto krime, duke i mbrojtur të miturit dhe duke ndërmarrë veprime ligjore kundër fajtorëve. Imzot Nemet vijon të saktësojë se bëhet fjalë për procese kishtare e se ligjshmëritë kombëtare nuk parashikojnë detyrimin e padisë. Në dioqezën e Zrenjaninit kishte tre procese pandehjeje për raste të shpërdorimit mbi të miturit. E ndonëse bëhej fjalë për akuza, që dolën të rreme, për fat të keq kjo ndikoi në mënyrë shumë negative mbi meshtarët e akuzuar, që u doli nami i keq.







All the contents on this site are copyrighted ©.