2014-04-12 16:04:35

E Diela e Larit. Papa kryeson Procesionin dhe Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit


Nesër, e Diela e Larit dhe e Mundimeve të Zotit, Papa Françesku do të kryesojë, në Sheshin e Shën Pjetrit, procesionin, Meshën dhe lutjen mariane të Engjëllit të Tënzot. Me këtë rast do të kremtohet edhe Dita e 29-të e Rinisë, në nivel dioqezan me temë: “Lum të varfërit në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve” (Mt 5:3). Papa do të ketë një shkop baritor prej druri të ullirit, realizuar nga të burgosurit e burgut të San Remos. Shkopi ka në majë Kryqin dhe stemën e Françeskut.
Riti do të fillojë në orën 9.30 me bekimin e Palmave. Janë palma tradicionale, ardhur nga Sanremo e Bordigera: trimijë degë palmash, të gërshetuara sipas traditave të krahinës veriore të Liguries, që njihen me emrin ‘parmurelo’. Për parmurelin e Papës janë gërshetuar tri degë palmash të bashkuara, simbol i Trinisë Shenjte. Ullinjtë dhe lulet, që stolisin Sheshin e Shën Pjetrit, vijnë nga Pulia. Posaçërisht, rreth obeliskut, është krijuar një mjedis i gjelbër pranveror, që të kujton menjëherë hyrjen ngadhnjimtare të Krishtit në Jeruzalem.
Ungjilli i propozuar nga liturgjia rrëfen Mundimet e Zotit sipas Mateut. Gjatë lutjes së besimtarëve ka edhe një ndjet, në gjuhën franceze, kushtuar të persekutuarve për shkak të fesë, që flijimi i Zotit t’i mbështesë e t’i ndihmojë të krishterët, besnikë, zemërbutë e të përvuajtur, si Mësuesi i tyre. Në gjuhën kineze, lutja për paqen ndërmjet popujve dhe për drejtësinë në botë.
Pas Meshe, Papa do të kremtojë, gjithnjë në Sheshin e Shën Pjetrit, lutjen e Engjëllit të Tënzot. Me këtë rast, Kryqi i Ditëve Botërore të Rinisë dhe Ikona mariane “Shpëtimi i Popujve Romakë” do të kalojnë nga duart e të rinjve brazilianë, në ato të të rinjve polakë, që do t’i mbartin, në shtegtim, deri në Krakov, seli e Ditës së ardhshme BR-së, në verën e vitit 2016.







All the contents on this site are copyrighted ©.