2014-04-11 14:04:00

Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, Fratel Gjoni


Vëlla Gjon Pantalia (Prizren, 02. 06. 1887- Shkodër, 31. 11. 1947) jezuit, u arrestua ndër të parët e vdiq në spital, mbasi vuajti tmerre të papërshkrueshme.RealAudioMP3

Shenjtëria e Tij, Fratel Gjoni!

Na la dy kryevepra: jetën e tij, mbyllur me martirizim, e Revistën Leka.
Kryevepra e tij e parë është revista “LEKA”, kopshti ku u hodh fara e mirë e lulëzoi shkolla letrare e Jezuitëve. Në faqet e saj ushtruan penën figurat më të ndritura të kësaj shkolle.
Dalja në dritë e kësaj reviste madhore, ndër më të mirat e publicistikës shqiptare të të gjitha kohëve, është meritë personale e Fratel Gjonit, njeriut me shkollë të pakët, por me zgjuarësi e dëshirë të jashtzakonshme për punë. Ç’ ishte Konica për “Albaninë”, qe Fratel Gjoni për “LEKA”-n. Vetë e drejtonte, vetë siguronte me mundim të madh të ardhurat e domosdoshme, vetë e redaktonte, bënte vetë gati deri pakot dhe i shpërndante me dorën e vet. Gjatë gjithë periudhës së botimit të revistës, ai qe administrator, bashkëpunëtor e përgjegjës i saj. E si i tillë do t’i duhej të përballonte me një guxim të pashoq sulmet e Ahmet Zogut e të fashistëve italianë kundër shkrimeve liridashëse, që panë dritën në faqet e kësaj reviste luftarake e demokratike, e cila për 50 vjet me radhë u damkos nga komunistët si revista më reaksionare e më e rrezikshme për kombin shqiptar.
Më 1939, nën drejtimin e Fratel Gjonit, LEKA filloi të botonte një sërë dokumentesh mbi përpjekjet e popullit për liri në fund të shekullit XVI, që tingëllonin si thirrje drejtuar popullit shqiptar për rezistencë kundër fashistëve italianë, të cilët sapo e kishin pushtuar Shqipërinë.
Ministria e Shtypit i kërkoi drejtimit të revistës ta ndërpriste botimin e dokumenteve, por “LEKA”, për të mos u nënshtruar, parapëlqeu të heshtëte deri më 1943. Në ketë vit rifilloi të dilte përsëri për një kohë të shkurtër (N.10), për të të heshtur përsëri në vitin 1944, vit pas të cilit u mbytën të gjitha zërat e lira. E zëri i saj nuk u dëgjua më.
Më 1946 Fratel Gjoni u arrestua nga regjimi komunist dhe më 31 tetor 1947 u zhduk pa proces, pasi u torturua barbarisht, ngaqë pavarësisht se fratel, mbetej si kreu shpirtëror i Jezuitëve.
Ushtojnë ende në veshët e shkodranëve, që e jetuan vitin e tmerrshëm 1947, britmat e tij të forta të cilat, duke dalë nga birucat e kuvendit françeskan të kthyer në burg, dëgjoheshin në rrugicat e afërta katolike, të strukura nga tmerri.
Thonë se gjatë torturave, korrentit elektrik, pishave të ndezura ndërmjet gishtave të këmbëve e të duarve, shkuljes së thonjëve, xhelatët arritën deri atje sa t’ia nxirrnin të dy sytë, vetëm që ta shtrëngonin për të dhënë dëshmi të rreme kundër jezuitëve. E kështu ai, së bashku me heronjtë tjerë të demokracisë, me gjakun e tij lau mëkatet e të gjithë shqiptarëve, në emër të së ardhmes.
Por për çastet e fundit të Jezuitit martir po ia lëmë fjalën Atë Zef Pllumit, dëshmitar pamor i cili, në librin e vet “Rrno vetëm për të tregue” (T. 1995), shkruan:
“Me hekurat e mija na lidhen të dy bashkë. .. edhe kambët: e kështu ishim të lidhun bashkë kambë për kambë e dorë për dorë.... Frat e Jezuit...Në gjysën e dytë të shkurtit 1947 shokun tim të vuejtjeve, Fra Gjon Pantalinë, filluen me e marrë në pyetje. Kur thohej pyetje, fillojshin torturat. Mbas katër seanca pyetjesh, një ditë po vjen me një plagë në krah, nën brryl. Hetuesi i kishte ngulë një shufër hekuri në mish. Mbas dy tri ditësh e kapën ethe me të dridhuna. Plaga ishte ajtë e ai nuk mund të flinte prej dhimash. Erdh një infermier ushtarak.... infeksioni ishte aq i randë... sa nga plaga qelbi dilte si uji... - Fra Zef, - më tha... mos mendo se kjo murtajë kalon shpejt. Ti je i ri. Kleri katolik do të shkojë deri në fund, vetëm atëherë do të vijë liria! Ti do t’ia mërrijsh asaj dite e do të tregosh të vërtetën për të kaluemen e të sotmen... Më la disa testamente sekrete për shtëpinë e jezuitëve, por koha e gjatë i bani të gjitha të pavlefshme. Shkatërrimin total që pruni komunizmi, ai nuk e kishte parapa..... E ai u bâ asht e lëkurë e u kthye në një skelet të gjallë.
- Më fal, - e pyeta - po deshta me dijtë çka kërkojnë prej tejet.
- Kërkojnë ata çka nuk asht: sekretet e jezuitëve. Kërkojnë që un t’u lëshoj një deklaratë se Jezuitët, si italian ma e shumta, ishin edhe fashista, se Atë Cordignano e Atë Valentini ishin anmiq të shqiptarëve... po un nuk pranoj me u lëshue këtyne asnjë deklaratë....Mbas pak kohe na ndanë... Kah fillimi i shtatorit përsëri u ndie zani i tij në korridor. Mbas disa ditësh, se çfarë torturash i bane, nuk e kam të kjartë as sot, por ulurimat e tij tmerruen të gjithë të burgosunit. Aty në tortura vdiq!”- shkruan Atë Pllumi.
Ata, që e njohën, e patën nderuar aq shumë fratel Gjonin, sa kur i shkruanin, shënonin në zarf këtë adresë: “Shejtnisë së Tij, Atë Gjon Pantalisë”.
E ai, që duroi torturat më të tmerrshme e dha dëshminë e gjakut për Krishtin dhe për Kombin, s’ka se si të mos mbetet përherë në kujtesën e popullit si “Shenjtëria e Tij, Fratel Gjoni!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.