2014-04-10 16:12:07

Papa me studentët e Gregorianës: Dashuria për Krishtin dhe Kishën, frymëzim për angazhimin intelektual


Papa Françesku priti sot në Vatikan, në Sallën Pali VI, rreth 5000 studentë nga gjithë bota, të cilët ndjekin fakultetet dhe institutet e ndryshme të Konsorciumit Universitar Gregorian në Romë. Në takim ishin të pranishëm e dhe punonjësit jo docentë, autoritetet akademike, Eprori i Përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit, Atë Adolfo Nicolas, dhe Prefekti i Kongregatës për Edukimin Katolik, Kardinali Zenon Grocholewski.
Në fjalën drejtuar studentëve, Papa Françesku theksoi se gjatë qëndrimit në Romë duhet të përfitojnë për t’u njohur me qytetin dhe, mbi të gjitha, me Kishën e Romës, sepse këtu gjendet, përveç kujtesës historike të apostujve dhe martirëve, edhe “ecja aktuale e kësaj Kishe që prin në dashuri dhe në shërbim të bashkimit dhe universalitetit”. “Në të njëjtën kohë – u tha Papa të pranishmëve – ju sillni këtu larminë e Kishave prej nga vini, larminë e kulturave tuaja”.
Pastaj Ati i Shenjtë foli për lidhjen që duhet të ekzistojë ndërmjet studimit dhe jetës shpirtërore. Angazhimi intelektual duhet ta marrë frymëzimin nga dashuria për Krishtin dhe për Kishën. Në këtë mënyrë, përçimi i dijes teologjike nuk do të jetë dorëzimi i një “grumbulli nocionesh pa lidhje ndërmjet tyre”, por orvatje për të dhënë çelësin e kuptimit jetësor të të vërtetave të fesë. “Filozofia dhe teologjia bëjnë të mundur arritjen e bindjeve, që e strukturojnë dhe e përforcojnë intelligjencën, si dhe ndriçojnë vullnetin, por e gjithë kjo është e begatë vetëm nëse bëhet me mendje të hapur dhe në gjunjë. Teologu i vetëkënaqur me mendimin e vet të plotësuar dhe të përmbyllur është mediokër” – theksoi Papa Françesku.
Qëllimi i studimeve në Universitetet papnore është katërcipërisht kishtar: “Institutet tuaja – vërejti Papa – nuk janë makina, që prodhojnë teologë e filozofë; janë bashkësi, ku njeriu rritet, dhe rritja ndodh në familje. Në familjen universitare nevojitet karizma e qeverisjes, që u është besuar eprorëve; nevojitet shërbimi i personelit jo docent, që është i domosdoshëm për të krijuar një mjedis familjar”, ku studentët bëhen “njerëz të aftë për t’i përçuar të vërtetat me njerëzi, për të ditur se , nëse mungojnë mirësia dhe bukuria e përkatësisë në një familje”, “janë mendimtarë, të cilëve u mungon shkëlqimi i bukurisë”, të maskuar me formalizma.
Në fund të takimit, Papa u drejtoi të pranishmëve këto fjalë: Të dashur vëllezër, ia besoj secilin prej jush, studimin dhe punën tuaj, ndërmjetësimit të Marisë, Selisë së Dijes, të Shën Injacit të Lojolës dhe të shenjtërve të tjerë, që janë pajtorët tuaj. Ju bekoj me gjithë zemër dhe lutem për ju. Edhe ju, ju lutem, lutuni për mua! Faleminderit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.