2014-04-10 13:47:01

Konferencë kundër trafikut të njerëzve në Vatikan. Papa: është krim kundër njerëzimit


“Të luftojmë trafikun e njerëzve: bashkëpunimi ndërmjet Kishës dhe forcave të rendit”: kjo është tema e Konferencës ndërkombëtare, që nisi dje në Vatikan, në Shtëpinë Piu IV.RealAudioMP3 Sot, pjesëmarrësit u pritën në audiencë nga Papa Françesku. Trafiku i njerëzve, nënvizoi Papa, është plagë në trupin e njerëzimit bashkëkohor, plagë e Korpit të Krishtit. Ati i Shenjtë kujtoi se takimi i parë me këtë temë është bërë para një viti. Aty janë hedhur bazat e bashkëpunimit, i cili vazhdon, pikërisht për të përvijuar strategji e objektiva, që duhen shoqëruar me dhembshurinë ungjillore, duke u qëndruar pranë burrave e grave, viktima të trafikut:
“Janë mbledhur këtu, autoritetet e policisë, të impenjuara sidomos në luftën kundër këtij fenomeni të trishtuar, me mjetet dhe me rigorozitetin e ligjit; por janë të pranishëm edhe veprimtarët humanitarë, detyra e të cilëve është t’i mirëpresin viktimat, duke u dhënë ngrohtësi njerëzore e mundësi për ta rifilluar sërish jetën. Janë dy qasje të ndryshme, por mund e duhet të ecin së bashku”.
Takimi u organizua nga Konferenca Ipeshkvnore e Anglisë dhe e Uellsit, në bashkëpunim me Akademinë Papnore të Shkencave Shoqërore e në praninë e përfaqësuesve të Forcave të Rendit. Në mikrofonin tonë, kryetari i ipeshkvijve anglezë, kardinali Vinsent Nikols (Vincent Nichols):

Në këtë konferencë marrin pjesë 20 krerë policie nga kombe të ndryshme, si komisari i Londrës dhe homologë të tij nga bota. Deshëm të shqyrtojmë modelin e bashkëpunimit ndërmjet Kishës - në veçanti, murgeshave – dhe policisë së Londrës, duke parë efektet pozitive në luftën kundër trafikut të njerëzve. Kështu, duam të propozojmë punën e bërë në Londër si model bashkëpunimi në vende të tjera të botës, sidomos në qytetet e mëdha, në të cilat trafiku i njerëzve është krimi i dytë më fitimprurës. Kisha, sidomos murgeshat, ofron rrjetin më të mirë në botë për ndihmën e viktimave.
Kjo është konferenca e dytë e këtij lloji, por bashkëpunimi ndërmjet policisë e Kishës vazhdon prej vitesh, apo jo?
Po, është e vërtetë. E natyrisht, në fushën e luftës kundër trafikut të njerëzve ka edhe nisma të tjera për ta përballuar si duhet fenomenin, duke analizuar çështjen, duke u përpjekur të gjenden marrëveshje ndërkombëtare, që mund t’i shfrytëzojmë, e kështu me radhë. E gjithë kjo ka baza të fuqishme në terren, në një bashkëpunim praktik ndërmjet Kishës dhe forcave të policisë. Komisari i Londrës është ndoshta, një nga personat me përvojë më të madhe në këtë fushë e ai mund ta transmetojë atë tek të tjerët.
Sapo filloi punën rrjeti ekumenik ndërkonfesional “The Global Freedom Network” (Rrjeti Global i Lirisë), i cili i ka vënë vetes për detyrë luftën kundër trafikut të njerëzve. A do të punoni së bashku me të?
Natyrisht, këto nisma plotësojnë njëra-tjetrën. Por karakteristika e veçantë dhe objektivi i konferencës sonë është veprimi praktik në terren, në vende të ndryshme, duke vënë në lojë të gjitha forcat e Kishës. Takimi ynë ka të bëjë me ç’ndodh nëpër qytete dhe analizon mundësitë e bashkëpunimit me policinë për ta luftuar konkretisht krimin e trafikimit të njerëzve.








All the contents on this site are copyrighted ©.