2014-04-09 12:33:19

Imzot Piero Marini: Wojtyla, bari i shenjtë, mes popullit. Lutja, qendra e jetës së tij


Me rastin e kanonizimit të Karol Wojtylës, shtëpia botuese UTET-FMR nxori nga shtypi vëllimin “Gjon Pali II – Njeriu, Papa, shenjtori”, në bashkëpunim me dikasterin e Kulturës. Vepra paraqitet sot pasdite në universitetin papnor Angelicum. Njëra ndër dëshmitë e përfshira në këtë vëllim është ajo e Imzot Piero Marinit, ish mjeshtër i kremtimeve liturgjike papnore të Gjon Palit II, i cili tani është Kryetari i Komitetit për Kongreset Eukaristike Ndërkombëtare. Radio Vatikani i kërkoi Imzot Marinit të flasë për marrëdhëniet miqësore me Karol Wojtylën, duke filluar nga takimi i parë me të:
Karol Wojtylën e kam takuar për herë të parë në Krakov, më 1973, gjatë një vizite të Kardinalit Prefetk të Kongregatës për Kultin Hyjnor, të cilin atëherë e shoqërova në pothuajse të gjitha dioqezat e Polonisë. Atje, për herë të parë, pashë kryeipeshkvin e Krakovit, shumë i njerëzishëm... Më kujtohet mbi të gjitha afërsia që kishte me popullin. Gjatë kremtimit të dy meshëve, që patëm me të dhe të cilat i kujtoj ende mirë – mesha me popull, për Shën Stanislaun, me procesion madhështor, pa fund; dhe pastaj mesha në famullinë Nowa Huta, në një kishë që e kishte ndërtuar vetë – më kujtohet afërsia me njerëzit dhe, mbi të gjitha, shikoja tek ai bariun, siç e kishte shestuar Koncili II i Vatikanit. Më kujtohet se pas këtyre momenteve, kishte gjithmonë një takim me asamblenë, me njerëzit. Dilnin jashtë dhe takoheshin me të. Më kujtohen disa fshatarë, që vinin ndoshta nga Zakopane, me kostumet e tyre... Më la mbresat e këndshme të një bariu të afërt, siç thotë Papa Françesku: një bari, që e nuhaste me të vërtetë erën e deleve.
Ju keni qendruar për shumë vite përkrah Gjon Palit II. A ka pasur çaste në të cilat keni thënë: “Ky njeri është një shenjtor?”
Hamendësimet për shenjtërinë e tij, të paktën nga përvojës ime, më kanë lindur sigurisht kur ishte ende gjallë, sidomos kur e shikoja të thelluar në lutje, para kremtimeve dhe, mbi të gjitha, gjatë dhe pas kremtimeve. Mendimi se ishte shenjtor, më ka lindur më pas, kur sillja ndër mend jetën e tij, dhe për herë të parë, në mënyrë serioze, me rastin e Lumnimit, duke rishikuar mënyrën si sillej, marrëdhëniet që kishte me popullin, me njerëzit. Më kujtohet fillimi i papnimit të tij, kur, në fund të meshës, u nis drejt turmës dhe ceremonieri përpiqej ta ndalonte... Lumnimi qe për mua rasti i duhur për të menduar për jetën e tij, duke sjellë ndër mend edhe Koncilin, i cili na kishte kujtuar të gjithëve, meshtarëve dhe ipeshkvinjve, se shenjtëria nuk arrihet duke bërë gjëra të jashtëzakonshme, por duke kryer si duhet detyrat. Atëherë fillova të mendoja për shenjtërinë e tij, që nuk ishte shenjtëria e parive, por ajo e jetës së përditshme: zbatimi i asaj për të cilën e kishte thirrur Zoti, në fillim në Krakov e pastaj si ipeshkëv i të gjithë Kishës, gjatë papnimit të tij. Ai bënte në mënyrë të jashtëzakonshme gjërat e zakonshme të jetës.
Ju ishit fare pranë Karol Wojtylës, kur kremtonte meshë: çfarë ju ka bërë përshtypje nga mënyra si lutej Gjon Pali II?
Besonte në atë gjë që bënte. Kur lutej, lutej sepse besonte në lutjen vet. Nuk kishte drojë të lutej në publik, të bënte gjeste, që ndoshta të tjerët do ta kishin të vështirë t’i bënin. Ishte njeri i vërtetë, që kishte çastet e veta të intimitetit dhe të bisedimit me Hyjin. Kjo ishte ndjesia që më jepte dhe që edhe sot më ndihmon, kur mendoj çastet e lutjes, që fillonin qysh në sakristi. Lutje personale, por edhe të thjeshta dhe afër secilit nga ne, si rruzarja. Nganjëherë, gjatë ndonjë udhëtimi, na kërkonte të ndalonim makinën për të kremtuar Liturgjinë e Orëve... Ai e kishte vënë lutjen vërtet në krye të vendit.
Të gjithëve na kujtohet thirrja e Papës kundër mafjes në Agrigento. Na kujtohet edhe pamja e tij: ju ishit mbrapa tij, pak hapa pas Papës. Ky guxim, kjo “mos kini frikë!” – që u mishërua edhe në atë çast – a është, sipas jush njëri nga aspektet e shenjtërisë së Karol Wojtylës?
Po. Ishte guximi i një njeriu të bindur. Disa herë ma ka përsëritur këtë pohim: “Unë jam një Papë i mirë, i afërt, i dashur me të tjerët, por, kur bëhet fjalë për të mbrojtur parimet, ndryshoj”. Dhe, për të, jeta ishte njëri ndër parimet që mbronte. Më kujtohet ai çast në Agrigento, ajo thirrje e Papës, plot bindje, guxim, që gati të fuste frikën. Të njëjtën gjë e kujtoj edhe në Varshavë, në një kremtim gjatë të cilit mbronte jetën në barkun e nënës. Këto ishin çastet në të cilat dilte në pah bindja e fortë që kishte brenda vetes dhe që ishte baza e sjelljeve së tij të përditshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.