2014-04-08 13:39:50

Të krishterët e Zarkës, në Tokën e Shenjtë, përgatiten për të pritur Papën Françesku


Mëshira, dashuria vëllazërore, qëndresa në fe dhe udhëtimi i ardhshëm i Papës Françesku në Tokën e Shenjtë: këto ishin disa nga temat, që shtjelloi e Patriarku latin i Jeruzalemit, Fouad Twal, para anëtarëve të famullisë katolike të Dymbëdhjetë Apostujve, në Zarka.
Famullia gjendet në veri të Mbretërisë së Jordanisë, ku pakica katolike u mblodh, në një klimë festive, për të pritur Patriarkun e Jeruzalemit, me rastin e vizitës baritore në atë zonë, për të përforcuar në fe dhe në shpresë besimtarët, shpesh herë të lënë në harresë.
Gjatë predikimit, ipeshkvi i ftoi të pranishmit ta mbajnë fort fenë në Jezusin, “ta ripërtërijnë besimin në dashurinë dhe në faljen e tij”, sepse “sa herë që kthehemi tek ai për t’i kërkuar falje, themi: na i fal fajet tona, si ua falim ne atyre që na kanë fyer”. Pas takimit me famullitarin Elia Kourzoum, Patriarku Twal takoi disa familje të krishtera, bashkësitë rregulltare, studentët, punonjësit dhe përgjegjësit e Karitasit të famullisë, të sëmurët dhe të varfërit.
Patriarku i bëri thirrje bashkësisë katolike jordaneze të përgatitet shpirtërisht për vizitën e Atit të Shenjtë në tokën e tyre dhe të luten për Sinodin e ardhshëm për familjen. Vizita vijoi në famullinë e Shën Jozefit në Zarkën e Re.









All the contents on this site are copyrighted ©.