2014-04-08 13:40:04

Jezusi në sinagogën e Kafarnaumit


Menjëherë pas thirrjes së katër peshkatarëve, Jezusi shkon bashkë me ta në sinagogën e Kafarnaumit dhe fillon të mësojë popullin.RealAudioMP3 Marku thotë se njerëzit ishin të “mahnitur” nga mësimi i tij dhe vë në dukje autoritetin e Jezusit, përkundrejt mungesës së autoritetit të skribëve. Mësimi i Jezusit zhvillohet, përgjatë gjithë tregimit ungjillor, brenda kontekstit judaik dhe është vazhdimisht në kundërthënie me mësimin e skribëve dhe të farisenjve. Por, Biri i Hyjit nuk ka ardhur për të kundërshtuar skribët dhe farisenjtë. Ai ka ardhur për të mundur tunduesin, që e mundon njeriun.
Shpirti i papastër e njeh Jezusin, prandaj i thotë: “Çfarë ke me ne?”, “Erdhe për të na rrënuar”, “E dimë kush je: shenjti i Hyjit”. Jezusi është Zoti prandaj pushteti dhe autoriteti, të cilin të gjithë e vënë re dhe për të cilin mahniten, është pushtet dhe autoritet mbi të keqen, që i mundon njerëzit. Me këtë pushtet i drejtohet munduesit të njeriut dhe i thotë: “hesht!” dhe “dil!”. Pushteti i Jezusit është i themeluar mbi shenjtërinë e tij: “E dimë kush je: shenjti i Hyjit”. Udha e Jezusit mes njerëzve është udha e shenjtërimit. Kudo ku kalon ai, “i urdhëron shpirtrat e papastër dhe ata i binden”. Jezusi nuk ecën mes mëkatarëve me frikën se ata mund ta bëjnë të papastër, siç ndodhte me skribët dhe farisenjtë, por me sigurinë e shenjtërisë, që i pastron “të papastrit”. Ajo që e dallon Jezusin nga skribët është pikërisht pushteti i tij mbi mëkatin dhe të keqen. Ky pushtet i mahnit jerëzit, të cilët e vënë re se ai sjell një “mësim të ri”.
“Mësimi i ri”, për të cilin flet Marku qysh në fillim të tregimit të vet, është vetë Ungjilli. Nuk është i ri vetëm nga përmbajtja, por mbi të gjitha nga personi që e sjell. Jezusi vetë është mësimi i ri, i cili mund të përvetësohet vetëm me anë të besimit. Mësimi i Jezusit merret duke u njohur me Jezusin, duke e ndjekur, duke e lejuar të të flasë drejtpërdrejt, duke ia rrëfyer atij dobësitë dhe dëshirat e zemrës. Kush e praon Jezusin si mësimin e ri të Hyjit, pastrohet nga shpirti i papastër dhe hyn në mbretërinë e themeluar prej tij. Mësimi dhe mësuesi nuk janë dy realitete të ndara, por një gjë e vetme. Është më e lehtë të pranojmë Jezusin dhe pastaj të mësojmë të jetojmë sipas tij, sesa të njohim teorikisht doktrinën e Krishtit dhe pastaj ta pranojmë si Zotin tonë







All the contents on this site are copyrighted ©.