Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët,
sot, atë Karl Serreqi
Atë Karl Serreqi(Shkodër, 02. 02. 1911 - Burrel, 05. 04. 1954), frati,
që nuk pranoi të kallëzojë rrëfimin e një të plagosuri në ndeshjet me komunistët në
mal, e kaloi jetën burgjeve. Vdiq në Burrel, më 4 prill 1954. Është një ndër martirët
e rrallë të sekretit të rrëfimit në historinë e Kishës universale.
Martiri
i sekretit të rrëfimit (Sipas atë Daniel Gjeçajt)
“Në krahinen
ku shërbente si famullitar Atë Karli, ishte plagosë për dekë një malsor, në ndeshje
me forcat e ndjekjes. Familja ngau te frati e i kërkoi t'i epte të varruemit sakramendet
e mbrame. Atë Karli e kreu me shpejtësi detyrën: e rrëfeu, e kungoi e e vojoi të plagosunin.
Në ketë kohë Dukagjini ishte nën kontrollin e rreptë të komunistave. Ishte kohë zjarmi,
gjaku, kobi. Malet shqiptare vijojshin me iu kundërvû diktaturës e nuk dorëzoheshin.
Kontrollet komuniste e akuzuen fratin e ambël, të butë, të thjeshtë, që s'njihte politikë
tjetër veç Kryqit të Krishtit, se kishte vojue një diversant, se ishte në dijeni të
sekreteve të rrezikshme për partinë e pushtetin, të cilat i plagosuni i kishte marrë
me veti në vorr. E ndërsá shpirti i malsorit të dekun fluturonte në dritën e amshimit,
frati torturohej mizorisht në terrin e birucës, që i përngjiste shumë bimsave, ku
i pat mbyllë dikur turku dy axhat e tij meshtarë martirë. Që dolën nga shtëpia shëndosh
e mirë, e mbeten pa krena. Gjithsesi veziri turk e pat aq mëshirë, sa ta lejonte
familjen me qitë vajin e me e vorrosë njenin prej martirëve në vorrin e familjes. Atë
Karlin e kërcnuen. E lanë në gjak. Kërkojshin me çdo kusht të mshehten e kallëxueme
me një fije zâni në fíll të mordes, kur njeriu flet me meshtarin, si të flitëte me
vetë Zotin, në sa pregatitet me dalë para një gjyqi, ku e drejta e e shtrembta peshohen
më një kandár që nuk gabon kurr. Thue mundet me tradhtue Zoti? Prandej frati qëndroi,
e s'do të ishte as i pari as i fundit… Familja e merrte vesht se çka po ndodhte
aty mbrendë, kur i kthehej mbrapsht ushqimi a kur i dorëzoheshin ndërresat e ngrime
në gjak e qelb, të cilat i lante, me lot në sy, e kunata e divoçme, Luçia, bijë e
derës së fisme të Kakarriqëve. Njëheresh me të kunatin, ajo kjante edhe të vëllanë,
avokatin e njohun, Ndrekë Kakarriqi, që pësonte të njejtin fat. E përziheshin lot
e gjak e qelb, simbol i ditëve të reja në jetën e Shkodrës. Më 18 janar 1947 gjyqi
ushtarak lexoi dënimin e tij me dekë. Tri javë Atë Karli priti ditë-natë ekzekutimin.
Mbas tri javësh dënimi iu kthye në burgim të përjetshem. Vetëm sepsè nuk pranoi me
u bâ spijun i komunistave! Pse s'pranoi me shkelë premtimin e dhanun në elter… 7
vjet kaloi nepër burgje. Me 19 korrik 1947 u dërgue për të vazhdue dënimin në Maliq
të Korçës. Adresa e tij e re, siç dishmojnë letrat e ruejtuna prej familjarëve, ishte
"Kampi i armiqve të popullit", Maliq , Korçë. Me 3 shtatuer u transferue në Vlashuk
të Urës Vajgurore - Berat e pak ma vonë, në burgun famkeq të Burrelit. Endè s'i kishte
mbushë 43 vjetët, kur familja mori nga Atë Donat Kurti telegramin "Pater Karloja ndërroi
jetë me 4 prill 1954 nga nji dekë e papritun prej zemret". Qeveria komuniste nuk
u tregue aq e mëshirshme sa Veziri turk. Nuk ia ktheu trupin e dekun të vetëve. Frati
u vorros diku në vorrezën e burgut. E familja nuk guxoi as me qitë vajin, si pat bâ
me trupin pa krye të një biri tjetër, martir. Familja e kjau Atë Karlin në heshtje,
e kjau me lot të mshehtë gjaku…”.1 Asokohe, me një ngushëllim të vetëm, të madh:
i kishte falur Kishës shqiptare Martirin e sekretit të rrëfimit. Sot, me pritjen e
lume për ta parë të lartuar në nderimet e elterit. 1. Sipas veprës së Atë Daniel
Gjeçajt “Galeria e artit të martrizimit”, Vepra II, Botime Françeskane, Shkodër, 2012