2014-04-07 18:12:34

Takimi i Atit të Shenjtë me organizatorët e DBR-së së Brazilit


Sot paradite Papa Françesku priti në Vatikan grupin e organizatorëve të DBR-së së Rio de Zhaneiros, të cilët gjenden në Romë bashkë me Kardinalin Orani Tempesta.
Në fillim të fjalës përshëndetëse, Ati i Shenjtë u tha miqve nga brazili këtë “të fshehtë”: “Kur mbërrita në brazil, në fjalimin tim të parë zyrtar, thashë se dëshiroja të hyja përmes portës së zemrës së pamasë të brazilianëve, duke kërkuar leje për të trokitur me delikatesë në dyert e tyre, për të kaluar një javë me popullin brazilian. Por, në fund të asaj jave, duke u kthyer për Romë, vura re se kariokat (brazilianët) janë ‘vjedhës’! Po, ‘vjedhës’, se ma vodhën zemrën! Përfitoj nga prania juaj sot këtu, për t’ju falënderuar për këtë ‘vjedhje’” – vijoi Papa.
Ati i Shenjtë tha më tej se secili prej të pranishmëve përfaqësonte laikët, rregultarët, rregulltaret, meshtarët dhe ipeshkvinjtë, që dhanë ndihmën e tyre për organizimin e DBR-së. Organizimi i një ngjarjeje të tillë nuk ka qenë i lehtë, janë dashur shumë punë e flijime, madje nganjëherë ndoshta është dukur se forcat nuk do të mjaftonin, por, në raste të tilla, vihet re edhe ndihma e Hyjit, i cili bën mrekulli, si në tregimin Ungjillor të shumimit të bukëve.
Edhe organizimi i DBR-së së Brazilit, tha Ati i Shenjtë, qe një mrekulli. Tani duhet të kujtojmë e të zbatojmë mesazhin e tyre përfundimtar, që mund të shprehet me tri fjalë: shkoni, pa frikë, për të shërbyer.
Papa u kujtoi të pranshmëve Apostullin e Brazilit, Hoze de Ankieta, emri i të cilit, u shkrua në librin e shenjtorëve para pak ditësh, dhe shprehu urimin që, me ndërmjetësimin e tij populli brazilian ta mbajë të gjallë në zemër thirrjen për t’iu përgjigjur dashurisë për Krishtin dhe për Kishën.








All the contents on this site are copyrighted ©.