2014-04-07 15:41:35

Siri, vritet një jezuit në Homs. Atë Lombardi: ku vdes populli, vdesin edhe barinjtë


U vra, në Homs, nga disa të panjohur të armatosur, në lagjen Basatin al Divan, ati jezuit holandez, Frans Van der Lugt, 75 vjeç, i pranishëm në vend që në vitin 1966, shumë i vlerësuar për punën e tij. Lajmin e dha agjencia France Press në informacionet e Vëzhguesit sirian për të Drejtat e Njeriut. Rregulltari, që banonte në një nga zonat e rrethuara, më të rrezikuara nga luftimet, nuk pranoi ta lërë lagjen, kur që aty u larguan të gjithë civilët, për të qenë gjithnjë pranë popullsisë vendase. Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, duke folur për sivëllain, tha: “Vdiq kështu një njeri i paqes, që me guxim të madh deshi të mbetej besnik, në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme e të vështirë, ndaj atij populli sirian, të cilit i kushtoi prej shumë kohe jetën dhe shërbimin e tij shpirtëror. Atje ku vdes populli, nënvizon atë Lombardi, me të vdesin edhe barinjtë e tij besnikë. Në këtë çast dhimbjeje të thellë, shprehim pjesëmarrjen tonë në lutje, por edhe mirënjohjen tonë, sepse patëm një sivëlla kaq afër me të vuajturit në dëshmimin e dashurisë së Krishtit deri në fund të fundit”.
Vrasja e atë Francit ishte ekzekutim i mirëfilltë. Të dëgjojmë dëshminë e sivëllait, atë Ziad Hillal, me telefon nga Homsi:

Përgjigje: - Le père Franz a été abattu …
Atë Franci u vra në kopshtin e kuvendit tonë: e qëlluan në kokë. Ishte vrasje e paramenduar. Ai ishte eprori im në bashkësinë e jezuitëve. Është dramë! Jam thellësisht i tronditur: u mbyt një njeri i paqes, si atë Franci, që nuk sulmoi kurrë njeri, as me fjalë e as në ndonjë mënyrë tjetër, që foli gjithnjë për paqe e pajtim, duke uruar përherë një ardhmëri më të mirë për Sirinë e për sirianët… E pastaj, ta gjesh të vrarë kështu! Çka di unë për të, është se qe gjithnjë pranë të afërmit: bari i mirë, që nuk deshi t’i linte të tijtë. Dha jetën për ta, e jo vetëm për të krishterët, por edhe për myslimanët, për të gjithë sirianët. Shembull i madh për të gjithë. Kishte dy vjet që jetonte në Homsin e rrethuar, e megjithatë nuk mendoi kurrë keq për të ardhmen. Ishte gjithnjë buzagaz e na pyeste vazhdimisht si e ndjenim veten. Shembull i madh për mua, për jezuitët, këtu, në Siri e për të gjithë ata sirianë, që duan të mbretërojë paqja në këtë vend.










All the contents on this site are copyrighted ©.