2014-04-07 15:43:10

Ipeshkvinjtë e Tanzanisë, takojnë Atin e Shenjtë, në vizitë Ad Limina Apostolorum


Papa Françesku priti sot paradite ipeshkvinjtë e Tanzanisë, të cilët gjatë këtyre ditëve gjenden në Vatikan për vizitën Ad Limina Apostolorum. Në fjalën përshëndetëse, Ati i Shenjtë u tha ipeshkvinjve afrikanë se Zoti e ka bekuar Kishën në Tanzani me shumë dhurata, për të cilat duhet të jemi mirënjohës. Dhurata e parë është ajo “historisë mbresëlënëse të punës misionare në atë rajon”.
Por misioni nuk është vetëm vepër e së shkuarës. Kisha e Tanzanisë, “duke ndërtuar mbi zellin dhe flijimet e ungjillëzuesve të parë, duhe ta mbajë gjithmonë parasysh thirrjen misionare dhe duhet të kujdeset për të, në mënyrë që Ungjilli të depërtojë gjithnjë e më thellë” “dhe t’i mbushë me dritë të gjithë përmasat e shoqërisë tanzaneze”.
Papa përmendi angazhimin e Kishës në fushën e veprave të dashurisë, sidomos kudjesin për të varfrit dhe të sëmurët, si dëshmi e dashurisë shpëtimtare të Jezu Krishtit për të gjithë njerëzimin. Ndër këto vepra, veçoi kujdesin shëndetësor për të sëmurët me HIV/AIDS dhe angazhimin baritor për edukimin e popullsisë në rrafshin e përgjegjësisë dhe pastërtisë seksuale.
Papa i siguroi ipeshkvinjtë e shtetit afrikan për mirënjohjen e tij ndaj meshtarëve të dioqezave të Tanzanisë dhe foli për rëndësinë e rolit të tyre në jetën e Kishës. Për sa i përket rëndësisë së laikëve në veprën e ungjillëzimit, Ati i Shenjtë u tha barinjve afrikanë: “roli i domosdoshëm i laikëve në vendin tuaj u pa qartë gjatë dy ngjarjeve të vona kishtare: Kongresi Eukaristik Kombëtar i 2012 dhe Seminari me rastin e mbylljes së Vitit të Fesë”. Nuk mungoi, në fjalën e Papës Françesku, vëmendja ndaj familjes: “Dashuria e Kishës dhe kujdesi baritor ndaj familjes është zemra e ungjillëzimit të ri”, prandaj, “duke mbështetur lutjen, besnikërinë bashkëshortore, monogaminë, pastërtinë dhe shërbimin e përvuajtur për njëri-tjetrin brenda familjes, Kisha i jep edhe një ndihmesë të paçmueshme shoqërisë së Tanzanisë dhe mirëqenies së saj”.
Në përfundim, Papa i ftoi barinjtë afrikanë t’i inkurajojnë të rinjtë e dioqezave të tyre të jetojnë me virtyt dhe t’i përballojnë me urti, guxim dhe bujari sfidat e së ardhmes, si edhe u shprehu vetë ipeshkvinjve mirënjohjen për angazhimin e tyre në të mirë të faljes, pajtimit dhe dialogut në vend.








All the contents on this site are copyrighted ©.