2014-04-07 15:41:06

Françesku: mëshira e Zotit është ledhatim mbi plagët e mëkateve tona


“Mëshira hyjnore është dritë e madhe dashurie e dhimbsurie, është ledhatim i Zotit mbi plagët e mëkateve tona”. Janë fjalët e Papës, shqiptuar sot gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3

Ungjilli i gruas, që kishte thyer kurorën, të cilën Krishti e fal, i dha shtytje Papës për të shpjeguar ç’është mëshira e Zotit. I njohur, episodi i gruas kurorëshkelëse, i farizenjve, që e flakin tek këmbët e Zotit e pyetja ç’duhet bërë me atë, që sipas ligjit, e pret mbytja me gurë. E njohur edhe përgjigjja proverbiale te Jezusit: “Kush është pa mëkat, të hedhë gurin e parë mbi të!”. Pas së cilës, të gjithë zhduken pa u ndjerë, duke e lënë Zotin vetëm me gruan, pasi e kishte thyer me të vërtetë kurorën, por që asnjë nuk guxoi ta dënojë. E as unë nuk po të dënoj, i thotë Jezusi, gruas së tmerruar. Shko e mos mëkato më, për të mos e fyer Hyjin, për të mos e njollosur lidhjen ndërmjet Tij popullit të vet.
Jezusi fal, kujtoi Papa, por këtu ka diçka më shumë se falja:
Jezusi e kapërcen Ligjin e shkon edhe përtej. Nuk i thotë: ‘Të shkelësh kurorën nuk është mëkat!’ Por nuk e dënon me ligj. E ky është misteri i mëshirës. Misteri i mëshirës së Jezusit”.
Mëshira, shtoi Papa, është diçka e vështirë për t’u kuptuar:
Por, o Atë, atëhere mëshira i shlyen mëkatet?’. ‘Jo, mëkatet i shlyen vetëm falja e Zotit!’. Mëshira është mënyra si fal Zoti. Sepse Jezusi mund edhe të thoshte: ‘Unë po të fal. Shko!’, siç i tha të gjymtit, që ia hodhën tek këmbët nga çatia: ‘Të janë falur mëkatet!’. Kurse këtu thotë: ‘Shko në paqe!’. Jezusi shkon edhe më përtej. E këshillon të mos mëkatojë më. Këtu shihet sjellja mëshirëplote e Jezusit: e mbron mëkatarin nga armiqtë e tij; e mbron mëkatarin nga dënimi i drejtë. Kështu edhe me ne; e sa prej nesh, ndoshta, duhet të shkojnë në ferr, sa prej nesh? E ky është dënim i drejtë… Po ai fal përtej kufirit. Si? Me këtë mëshirë”.
Mëshira, vijoi Papa, shkon përtej e bën që në jetën e njeriut mëkati të lihet mënjanë. Është si qielli:
Ne shikojmë qiellin, me shumë yje, shumë, por kur lind dielli në agim, përplot me dritë, yjet nuk shihen më. E kështu është edhe mëshira e Zotit: dritë e madhe dashurie, dhimbsurie. Zoti fal jo me dekret, por me një ledhatim, duke i përkëdhelur plagët tona, të hapura nga mëkati. Sepse ai ka lidhje të ngushtë me faljen, me shëlbimin tonë. Kështu bëhet Jezusi rrëfyes: nuk poshtëron, nuk thotë ‘çfarë ke bërë, pa më thuaj! E kur e bëre? E si e bëre? Me kë e bëre?’. Jo! Shko, shko, i thotë, e mos mëkato më! E madhe është mëshira e Zotit, e madhe, mëshira e Jezusit. Na fal. E na ledhaton”.










All the contents on this site are copyrighted ©.