Më 7 prill përkujtohet Shën Zhan Baptist dela Salë. U lind në Reims (Francë),
më 30 prill 1651. Më 1678 shugurohet meshtar dhe bashkëpunon me shkollat e themeluara
nga Adrian Nyel, një laik që ia kishte kushtuar jetën arsimit popullor. Niveli i mësuesve
ishte i dobët, prandaj Zhan Baptisti, i cili para se të shugurohej meshtar qe diplomuar
në letërsi, merret me përgatitjen e arsimtarëve. U mëson metodologjinë, vendos që
mësimdhënia të zhvillohej në frëngjisht dhe e zëvëndëson latinishten në të gjitha
lëndët. Më 1680 themelon bashkësinë “Vëllezërit e shkollave të krishtera”. Më 1688
i thërrasin në Paris, ku brenda vitit të parë kanë më shumë se njëmijë nxënës. Për
shkak të kritikave dhe pengesave, në të cilat hasin në Paris, shkon, me bashkësinë
e vet, në afërsi të Rouen-it, ku edhe vdes me 7 prill 1719. Më 8 prill
përkujtohet shën Agabi. Bëhet fjalë për një anëtar të kishës së hershme, të përmendur
në Veprat e Apostujve, i cili jetoi në Jeruzalem në shekullin e parë. Për të flitet
në kapitullin 11, si njëri ndër “profetët” jodeo-kristianë. Shkruan autori i Veprave
të Apostujve: “Pasi u ngrit më këmbë, i shtyrë nga Shpirti i Shenjtë lajmëroi se do
të pllakoste zija e bukës në mbarë dheun, gjë që në të vërtetë ndodhi nën perandorin
Klaud” (11,28). Me këtë paralajmërim Agabi nxiti solidaritetin: bashkësia e Antiokisë,
që ishte më e pasura, i vuri vetes tagër të ndihmonte vëllezërit në Jude. Veprat e
Apostujve flasin përsëri kështu për Agabin: “Mori brezin e Palit, u lidh këmbë e duar
me të dhe tha: Kështu thotë Shpirti i Shenjtë: njeriu të cilit i përket ky brez do
të lidhet në këtë mënyrë nga judenjtë në Jeruzalem dhe pastaj do të dorëzohet në duart
e paganëve” (Vep 21,11-13). Më 9 prill përkujtohet Shën Maksimi, ipeshkëv
i Aleksandrisë. Jetoi si meshtar për shumë vite i dëbuar, pranë ipeshkvit Dioniz,
me të cilin e bashkonte feja e fortë. Pas vdekjes së Dionizit, u zgjodh si pasardhës
i tij në Aleksandri. Vdiq më 282. Më 10 prill përkujtohet Shën Madalena
e Kanosës. U lind në Verona (Itali) më 1774, në një familje të pasur italiane. Pasi
i vdes i ati dhe e ëma e braktis, në moshën 7-vjeçare e merr në kujdestari një dado.
Kalon një periudhë në kuvendin e Karmelit në Trento dhe Conegliano, kthehet në shtëpi
dhe më 1801 strehon në pallatin e familjes dy vajza të varfra. Më 1808 fillon të jetojë
me një grup vajzash në një ish kuvend murgeshash agostiniane. Lindin, kështu, Bijat
e Dashurisë, motrat edukatore të të varfërve. Brenda pak vitesh themelon disa shkolla
për të varfrit në Venedik, Milano, Bergamo e Trento. Në pallatin e vet, në Verona,
vë të banojnë vajzat e varfra, të cilat i kishte nxjerrë nga mjerimi dhe u kishte
krijuar kushtet, që të përgatiteshin për ta përballuar jetën me dinjitet. Madalena
e Kanosës vdiq më 1835 në Verona. Më 11 prill përkujtohet shën Stanislau,
ipeshkëv i Krakovit (Poloni). Bari i urtë e i kujdesshëm, u bë pasardhës i Lambertit
më 1072. Mbrojtës i palëkundur i lirisë së Kishës dhe i dinjitetit të njeriut, mbrojtës
i të vegjëlve dhe të varfërve, u martirizua nën mbretërimin e Boleslaut II. U kanonizua
në Assisi, nga Papa Inocensi IV, më 1253. Shën Stanislau është pajtori i Polonisë.
Varri i tij në Krakov është vend shtegtimi prej shekujsh. Më 12 prill përkujtohet
shën Saba, got. Gjatë përndjekjeve që shpërthyen kundër të krishterëve nën mbretin
got Atanariku, më 12 prill 372, tri ditë pas pashkëve, pasi e kishin torturuar gjatë,
ngaqë nuk kishte pranuar të hante mishin kushtuar idhujve, Shën Sabën e mbytën në
lumin Buzau, në Rumani. Më 13 prill është e Diela e Larit, festa e Zotit,
fillimi i Javës së Madhe.