2014-04-06 18:03:12

Pasdite Papa vizitoi famullinë e Shën Gregorit të Madh


Pasdite, duke nisur nga ora 16.00, Papa u nis nga Vatikani për të vizituar famullinë romake të Shën Gregorit të Madh, në lagjen Portuense.

Veprimtaria e parë, përshëndetja me besimtarët e famullisë, në sheshin Certaldo ku, në emër të banorëve të lagjes, Papën e përshëndeti Luçia Caravna, mësuese besimi. E shoqëronte një fëmijë i sëmurë, përdore me familjarët. Më pas Ati i Shenjtë shkoi në fushën sportive të famullisë, ku ishin mbledhur fëmijët dhe të rinjtë e katekizmit. Me ta, një katekiste dhe një çift prindërish, që i folën për realitetin baritor të Shën Gregorit të Madh. Pas takimit me të rinjtë e famullisë, Papa shkoi në një nga sallonet famullitare ku, pranë motrave misionare të Zojës së Papërlyer, Mbretëreshë e Paqes, u takua me të sëmurët në karrocelat e tyre e me të moshuarit. Pastaj, takimi me të fejuarit e bashkëshortët e rinj, që sapo janë shtuar me fëmijën e parë.
E ngarkuar me takime, kjo vizitë. Papa u ndalua disa minuta në bisedë edhe me përfaqësues të kooperativës “Prora”, që punon për rikthimin në punë të ish të burgosurve dhe të droguarve. Më pas akoma, me të varfërit e nismës “E shtuna në familje”. Së fundi, Françesku vizitoi ‘Shtëpinë e Bamirësisë’, strukturë famullitare, përururar në vitin 1988, nën kujdesin e Karmelitaneve të vogla të bamirësisë e nga vullnetarë të ndryshëm. Për realizimin e strukturës shërbyen dy sallone të famullisë, shndërruar në apartamente, me një zonë dite e një nate. Aty banojnë dy rregulltare, motra Manuela Kafarri dhe motra Maria Enrika Rinaldini si dhe dhjetë mysafirë, që kalojnë çaste të vështira, nga më të ndryshmet: pleq, të gjymtë, të huaj etj. etj.
Pas këtyre takimeve, Papa rrëfei disa pendestarë e pastaj, vizita arriti kulmin me Meshën Shenjte, në përfundim të së cilës, Ati i Shenjtë u takua me familjarët e meshtarëve.
Famullia u ngrit më 14 dhjetor 1963, me dekretin e Kardinalit Mëkëmës, Klemente Micara “Neminem sane latet” dhe iu besua klerit të dioqezës Reggio Emilia-s. Projekti arkitektonik është i Aldo Aloysi. E ndërtuar krejtësisht me betonarme, kisha ka edhe një këmbanare, ku spikat shtatorja e Krishtit, me krahë të hapur. Titullar aktual është kardinali Geraldo Majella Agnelo. Në famulli janë të pranishme dy ente: “Immacolata”(Motrat Misionare të së Papërlyerës Mbretëreshë e Paqes) dhe Shtëpia e dashurisë së krishterë “Shën Gregori i Malianës”, drejtuar nga Kongregata mariane e Shtëpive të Bamirësisë.
Kujtojmë se kjo e sotmja, është vizita e gjashtë e Papës Françesku në famullitë romake. E para është ajo e 26 majit 2013, në famullinë e Shenjtorëve Elizabeta e Zakaria (Prima Porta);
më 1 dhjetor 2013, Papa vizitoi Famullinë e Shën Çirilit Aleksandrin (Tor Sapienza); më 19 janar 2014, Bazilikën e Zemrës së Krishtit (Kastro Pretorio);
më 16 shkurt 2014, Famullinë e Shën Tomës, Apostull (Infernetto);
më 16 mars 2014, Famullinë e Shën Marisë së Uratës (Setteville di Guidonia). Më 6 janar 2014, në formë private, Shpellën e Betlehemit të gjallë, realizuar në famullinë e Shën Alfons Maria de’Liguorit (Giustiniana).







All the contents on this site are copyrighted ©.