2014-04-06 12:41:37

P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: Bashkësia e shenjtorëve


Katekizmi i Kishës Katolike i kushton faqe të rëndësishme “bashkësisë së shenjtorëve”, kuptuar si bashkësi e ‘sendeve shenjte” e bashkësi e besimtarëve. Pikërisht tek kjo temë ndalet jezuiti atë Dariush Kovalçik, në reflektimin e 38-të të cilklit, kushtuar 20 vjetorit të Katekizmit.RealAudioMP3

“Në Besojmë dëshmojmë ‘bashkësinë e shenjtorëve”. Katekizmi na shpjegon edhe se termi “bashkësi e shenjtorëve” ka dy kuptime: bashkësi e gjërave të shenjta (e shenjtë) e bashkësi ndërmjet besimtarëve (shenjtorëve) (cfr KKK 948).

Ne e ruajmë dhe e transmetojmë bashkimin në fe, marrë nga Apostujt. Jetojmë bashkimin e shtatë Sakramenteve, ndërmjet të cilëve, çka na mbledh e na bashkon më shumë, është Eukaristia. Provojmë edhe bashkimin vëllazëror, që gjen shprehjen e vet, ndërmjet tjerash, në veprat e dashurisë së krishterë. Feja, sakramentet, dashuria e krishterë, janë gjëra të shenjta, sepse vijnë nga Hyji, nga Shenjti.

Kemi, pastaj, bashkimin ndërmjet njerëzve. Katekizmi kujton këtu doktrinën e tri gjendjeve të Kishës: besimtarët shtegtarë mbi tokë; ata, që janë në purgator duke u përgatitur për qiell si dhe të shëlbuarit, që gëzojnë bashkimin e plotë me Hyjin në qiell (KKK, 954). Këto tri gjendje janë në lidhje njëra me tjetrën, sepse të gjithë marrin pjesë, ndonëse në mënyra të ndryshme, në hirin e Zotit.

Ne, që jetojmë mbi tokë, mbetemi, përmes lutjes e dashurisë, në bashkim me të vdekurit. Kisha na fton të lutemi për të vdekurit sepse, siç e lexojmë edhe në Katekizëm, “lutja jonë mund t’i ndihmojë, por edhe ta bëjë të frytshëm ndërmjetësimin e tyre në dobi tonë” (KKK, 958). Kjo nuk do të thotë se Zotit i mungon mëshira, e prandaj edhe duhet t’i lutemi. Përkundrazi, Zoti është gurrë e mëshirës së pambaruar, por dëshiron ta shpëtojë njeriun, në bashkëpunim edhe me njerëzit e tjerë.

Një nga shprehjet e bashkësisë të shenjtorëve, është kulti zyrtar i Shenjtorëve dhe të Lumëve. Besojmë se në Hyjin mbetemi shpirtërisht të bashkuar me ta e se ata ndërmjetësojnë për ne. Shën Deda, duke vdekur, u pati thënë vëllezërve të vet: “Mos qani. Unë do të jem më i dobishëm për ju pas vdekjes e do t’ju ndihmoj më shumë, sesa kur isha gjallë” (KKK, 956).









All the contents on this site are copyrighted ©.