2014-04-06 16:30:23

Françesku të rinjve fiamingë: Dëshmitarët e Krishtit janë të përvuajtur, jo triumfalistë


Është bërë e njohur në mbarë botën, tashmë, intervista dhënë nga Papa disa të rinjve belgë, më 31 marsin e kaluar, në Vatikan. Pjesët e saj kryesore u transmetuan të enjten e kaluar nga Tv publik fiaming i Belgjikës VRT
Dje intervista u transmetua e plotë. Po ju njohim, prandaj, me pjesët e pabotuara të enjten e kaluar.

Të varfërit janë flamur i Ungjillit, jo i komunizmit: kjo ishte një nga shprehjet e Papës, ritheksuar nga mjetet ndërkombëtare të informacionit masiv. Në reflektimin, të cilin tani mund ta lexojmë të plotë, Papa Françesku flet edhe për një varfëri tjetër. Në Ungjill lexojmë se Jezusi kishte dashuri të veçantë për njerëzit e përjashtuar nga radhët e shoqërisë:
“Të gërbulurit, vejushat, jetimët, të verbërit...njerëzit e përjashtuar. E edhe për mëkatarët e mëdhenj... e kjo më ngushëllon! Po, sepse Ai nuk trembet as nga mëkati. Kur gjeti ndonjë njeri, si Zakeu, që ishte hajdut, ose si Mateu, që kishte tradhtuar atdheun, duke u shitur për para, Ai nuk u tremb fare! I pa e i zgjodhi! Edhe kjo është varfëri: varfëria e mëkatit”.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje tjetër, Papa pohoi se e gjen Zotin sidomos ndërmjet të sëmurëve: por edhe në leximin e Biblës, në kremtimin e Sakramenteve, në punën e përditshme e, doemos, në lutje. “Po si i lutet Zotit, Papa?”:
E lë të më shikojë. Dhe e ndjej, e nuk është sentimenatalizëm. I ndjej fort gjërat, që më thotë Zoti. Nganjëherë nuk më flet…asnjë fjalë, zbraztësi, zbrastësi, zbraztësi… po unë vijoj të jem aty, me duresë, e kështu lutem…Rri ulur, lutem ulur, sepse më bën keq të gjunjëzohem. Nganjëherë dremis në lutje…Lutem edhe si flet biri me Atin, e kjo ka rëndësi: e ndjej veten bir me Atin”.
Në fund, një pyetje për mënyrën e kumtimit të Ungjillit në shoqërinë e sotme:
Rruga më e mirë është dëshmia, por e përvuajtur: ‘Unë jam kështu, me përvujtëri, pa triumfalizëm’. Ky është një mëkat tjetër yni. Sjellje tjetër e keqe, triumfalizmi. Jezusi nuk ishte triumfalist. Edhe historia na mëson se nuk duhet të jemi triumfalistë, sepse të gjithë triumfalistët e mëdhenj në fund pësuan disfatë. Dëshmia, ky është kyçi, kjo na kërkohet. Unë e jap atë me përvuajtëri, pa bërë prozelitizëm. E kjo nuk tremb. Nuk po shkon në kryqëzatë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.