2014-04-05 17:04:49

Të rinjtë fiamingë intervistojnë Papën: “Të gjithë jemi vëllezër, besimtarë e jo besimtarë”


Të enjten e kaluar TV publik fiaming i Belgjikës VRT transmetoi intervistën e Papës Françesku, dhënë disa të rinjve belgë, më 31 marsin e kaluar, pranë studios së Pallatit Apostolik, në Vatikan. Nisma lindi nga një projekt i komunikimit të baritorisë rinore të Fiandreve: të rinjtë, shoqëruar nga imzot Lucas Van Looy, ipeshkëv i Gentit, ia drejtuan Papës pyetjet në gjuhën angleze, ndërsa Papa u përgjigj në italisht.

Ishte një takim gazmor, familjar, në një atmosferë thjeshtësie të madhe: ndërmjet të rinjve, edhe një e re jo besimtare, që pohoi se u frymëzua nga fjalët e Papës Françesku. Të rinjtë e pyetën, sidomos, pse pranoi ta jepte këtë intervistë. Papa u përgjigj se për të është shërbim me vlerë të madhe të flasë për shqetësimet e të rinjve. Një pyetje tjetër, pastaj: “Ju, jeni i lumtur? E pse?”:
Absolutisht! Absolutisht i lumtur…Me një lumni të qetë, sepse në këtë moshë njeriu nuk ka të njëjtën lumni, si atëhere, kur është i ri; ka një farë ndryshimi. Me paqe shpirtërore, paqe të madhe, lumturi, që vjen me moshën. E edhe pas një udhe të ngarkuar gjithnjë me probleme. Edhe tani, nuk mungojnë problemet, por kjo lumturi nuk ikën prej problemeve, jo: i shikon problemet, i vuan e pastaj shkon përpara; bën diçka për t’i zgjidhur e ecën. Po në fund të zemrës mbetet kjo paqe e kjo lumni. Është hir i Zotit për mua, me të vërtetë. Është hir. Nuk është meritë vetjake”.
Të rinjtë e pyesin Papën për dashurinë e madhe ndaj të varfërve: “Sepse është zemra e Ungjillit”, përgjigjet Papa:
Për mua, zemra e Ungjllit është dashuria për të varfërit. Dëgjova, dy muaj më parë, se një njeri tha, për këtë: “Po ky Papë është komunist”. E jo! Ky është flamur i Ungjillit. Jo i komunizmit: i Ungjillit! Por varfëri pa ideologjizim, varfëri… E prandaj unë besoj se të varfërit janë në qendër të kumtimit të Jezusit... Mjafton ta lexosh Ungjillin. Problemi është, pastaj, se kjo sjellje ndaj të varfërve disa herë në histori, u ideologjizua”.
Vajza jo besimtare e pyeti Papën “ç’mesazh ka për të rinjtë?”:
Të gjithë jemi vëllezër. Besimtarë e jo besimtarë, të këtij a të atij konfesioni fetar, hebrenj, myslimanë... të gjithë jemi vëllezër! Njeriu është në qendër të historisë, e kjo për mua ka rëndësi të dorës së parë: njeriu, në qendër! Në këtë çast të historisë, njeriu flaket jashtë qendrës, shtyhet drejt periferisë, e në qendër, të paktën në këtë çast, është pushteti, paraja, nësa ne duhet të punojmë për njerëzit, për burrin e për gruan, që janë shembëlltyrë e Zotit”.
Sot, vijoi Papa, kemi hyrë në kulturën e skarcos, të mënjanimit. Heqim dorë nga fëmijët, sepse na bezdisin, i flakim pleqtë. Shumë pleq vdesin nga eutanazia e fshehur, sepse askush nuk kujdeset për ta. E vdesin të harruar. Tani po flaken edhe të rinjtë, vërejti Papa, e kujtoi se në Itali papunësia në radhët e të rinjve nga 25 vjeç e poshtë, është gati 50%. Por, duke kujtuar takimet e tij me të rinjtë e Argjentinës, pohoi se beson në ta e në dëshirën e tyre për konkretësi:
E janë të kënaqur, sepse ata, qofshin të së djathtës, apo të së majtes, flasin me muzikë të re, me stil të ri politik. E kjo më jep shpresë. E unë besoj se rinia, në këtë çast, duhet të marrë dritë e të shkojë përpara. Të jetë guximtare! Kjo më jep shpresë”.
Pyetjes për kërkimin e Zotit, Papa iu përgjigj:
“Kur njeriu gjen vetveten, kërkon Zotin. Ndoshta nuk arrin ta gjejë, por ecën në rrugë të ndershme, në kërkim të së vërtetës, nëpër rrugën e bukurisë e të së vërtetës.... e kur ecën në rrugën e mirë, e gjen me siguri Zotin. Vonë njëherë, por më mirë vonë, se kurrë. Vërtet rruga është e gjatë e disa edhe nuk e gjejnë në shtigjet e jetës së tyre. A, më mirë të themi, nuk duan ta gjejnë. Në mënyrë të ndërgjegjshme. Ndërsa shumë janë njerëz të vërtetë, të ndershëm me vetveten, shumë të mirë, dashuronjës të mëdhenj të bukurisë, që në fund kanë një personalitet shumë të pjekur, të aftë për takimin me Zotin, gjë që është gjithnjë hir. Sepse takimi me Zotin është gjithnjë hir”.
Një i ri e pyeti ç’ mësim ka nxjerrë nga gabimet e veta. Papa Françesku pohoi se “gabimet janë mësues të mëdhenj të jetës”:
Mësues të mëdhenj: të mësojnë shumë. Edhe të përulin, sepse nuk të lënë ta ndjesh veten superburrë a supergrua.. ti gabon, kjo të përul e të vë në vendin tënd. Nuk mund të them se kam mësuar nga të gjitha gabimet e mia: jo, besoj se nga disa nuk kam mësuar, sepse jam kokëfortë e edhe pse nuk është e lehtë të mësosh. Por nga shumë prej tyre edhe kam mësuar e kjo më ka bërë mirë, më ka bërë shumë mirë. E më ka bërë mirë edhe pranimi i gabimeve. Gabova këtu, gabova atje…. kjo na kujton edhe se nuk duhet rënë dy herë në të njëjtin gabim”.
Një vajzë e pyeti: “A mund të na tregoni konkretisht si keni përfituar nga një gabim?”:
Për shembull, në drejtimin e jetës së Kishës: unë u emërova epror në moshë shumë të re, e bëra shumë gabime; me autoritarizmin tim, për shembull. Isha tepër autoritar: 36 vjeç... E pastaj mësova se duhet dialoguar, duhet dëgjuar ç’mendojnë të tjerët... Por nuk është se mësova një herë e përgjithmonë! Është e gjatë kjo rrugë”.
Pyetje tjetër e mprehtë: “Nga se keni frikë?”:
“Nga vetvetja! Frikë... pa shiko, në Ungjill, Jezusi përsërit gjithnjë: ‘Mos kini frikë! Mos kini frikë!’… Shumë herë e thotë këtë, apo jo? E pse? Sepse e di se frika është, do të thosha, ‘normale’. Ne kemi frikë nga jeta, kemi frikë përballë sfidave, kemi frikë para Zotit. Të gjithë kemi frikë, të gjithë. Ti nuk duhet të shqetësohesh e të kesh frikë. Por më parë nuk duhet të kesh frikë, pastaj të mendosh: ‘E pse kam frikë?’. E para Zotit dhe para vetvetes të përpiqesh ta sqarosh gjendjen e të kërkosh ndihmë nga një tjetër. Sepse frika nuk është këshilltare e mirë. Të këshillon keq”.
Më pas Papa shpjegoi se ka frikë të mirë e frikë të keqe. Frika e mirë është si urtia; të ndihmon të mos rrëzohesh. Por ka edhe frikë të keqe; kjo të shtang në vend e nuk të lë të bësh asgjë. Duhet t’i kundërvihemi, prandaj.
Pyetja e fundit e të rinjve ishte krejt e veçantë: “Po, ju, a keni ndonjë pyetje për ne?”:

Nuk është origjinale, pyetja, që dëshiroj t’ju bëj. Po e marr nga Ungjilli. Ku është thesari juaj? Kjo është pyetja. Ku gjen paqe zemra juaj? Mbi ç’ thesar pushon zemra jote? Sepse ku është thesari yt, aty do të jetë jeta jote… Kjo është pyetja, që po ju bëj. Po përgjigjen duhet t’ia jepni vetvetes, vetë, në shtëpitë tuaja”.











All the contents on this site are copyrighted ©.