2014-04-05 14:27:06

Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, seminaristi Mark Çuni


Mark Çuni (Rranxat e Bushatit, Shkodër, 30.09. 1919 - Shkodër, 04. 03. 1946) pas shkollës fillore, kryer në fshatin e vet, vijoi studimet në Seminarin Papnor të Shkodrës. Nxënës shumë premtues, i pajisur me një mori talentesh, u akuzua si themelues i organizatës “Bashkimi Shqiptar”, u arrestua, u dënua dhe u pushkatua më 4 mars 1946, njëherësh me eprorët e jezuitëve.RealAudioMP3

Hero i qytetërimit të dashurisë
(Sipas dëshmisë së Gjovalin Zezajt)

Në prag të Kreshmëve të vitit 1946, dega e sigurimit, që quhej mbrojtja e popullit, ishte në kulmin e veprimtarisë. Proces pas procesi. E në të gjitha këto procese, akuzat më të rënda binin mbi Mark Çunin. Njëherësh me akuzat, mbi trupin e tij rëndonin gjithnjë më shumë torturat. Kur, për të shfryrë inatin se ‘nuk i rrëfeva mëkatet’, hetuesit më zbritën në katin përdhes e më mbyllën në një banjo të madhe, të ndyrë, primitive, kthyer në vend torture, aty gjeta Mark Çunin. Dergjej pa shtroje pa mbuloje, i katandisur mo’Zo’ më keq, me njërin krah të thyer e pa kurrfarë ndihme mjekësore. U mundova ta ndihmoj, si e sa munda. Duke ia lidhur krahun e thyer me një copë të ndyrë peshqiri, pashë se trupi i tij ishte i mbuluar me plagë. Buzët i qenë tharë e plasaritur. Po unë nuk kisha as një pikë ujë, që t’ia freskoja… Kur nisi të bëlbëzonte pak, më tregoi se, në pritje të arrestimit, kishte shkuar tri ditë rresht tek Atë Dajani. I kish kërkuar leje për arratisje. Po jezuiti nuk e kishte lejuar. Madje nuk kishte marrë asnjë masë disiplinore kundër tij, siç ishte zakon ndër jezuitë, kur ndokush thyente disiplinën e hekurt. Meshtari kishte menduar se gjithçka do të sqarohej. Ndërkaq i kishte nisur seminaristët për pushime verore, sepse kuvendi ishte keq ekonomikisht. Duke i porositur ta mbanin lart petkun, që kishin veshur. E duke menduar se pas pak në seminar do të kthehej jeta normale. Ndonëse e dinte fare mirë kë kishte përballë... Tha kështu e heshti. E u zhytëm të dy në mendime.
Nuk e di sa kohë kaluam ashtu, të tulatur pranë e pranë, kur erdhi ‘miku i të burgosurve’, Fadil Rakiqi, i cili na lajmëroi se kishin arrestuar një prift italian. Të nesërmen, kur Fadili po më shoqëronte në nevojtore, iu luta të më linte një çast vetëm me klerikun. E ai më çoi nën shkallë, ku pashë një burrë të mbledhur gërmuq. Në fillim nuk e njoha. Thashë emrin tim, e dëgjova një zë, që më gjegji: “Jam atë Giovanni Fausti”. Po e takoja për herë të parë, sepse unë ndiqja gjimnazin e shtetit. E kishin rrasur aty, për ta shpersonalizuar, njeriun me personalitet të pathyeshëm! Po ata nuk e njihnin ende. I putha dorën. Ai më bekoi e më përcolli me fjalët: “Fali, o Zot, se nuk dijnë çka bajnë”, thënë butë-butë, me një shqipe të kulluar. Pas disa ditësh, po aty, nën shkallë, do të takoja atë Daniel Dajanin, 42 vjeç, nga Blinishti i Zadrimës...
Kur e mori vesh arrestimin e dy eprorëve, Mark Çuni i harroi dhimbjet e trupit dhe krahun e thyer nga torturat. E brente ndërgjegjja. I dukej se kishte një farë përgjegjësie për këtë katastrofë, pa menduar fare se edhe ai vetë do të zhdukej fizikisht. E kishte parashikuar se kleri do të shkatërrohej, e me të, edhe seminari papnor, Kolegja Saveriane e të gjitha vlerat, që qenë krijuar në atë oazë feje e kulture. Martirizmi kishte nisur që kur nuk i rëndonin ende prangat, me pushkatimin e Dom Ndre Zadejës, të Dielën e Larit, para Pashkëve të përgjakura të vitit 1945. Kur Krishti kryqëzohej në Kalvarin shqiptar. Po e sotmja tregonte se punët po rrokulliseshin keq e mos më keq. Ne, të mbyllurit në atë burg, ishim “Organizata fashiste-terroriste ‘Bashkimi Shqiptar’, e udhëhequr nga kleri katolik, shkaktar i pushtimit fashist të 7 prillit 1939, komplotist me imperializmin anglo-amerikan, për ndërhyrje, pas shpërthimit të kryengritjes së përgjithshme”. Sinqerisht, në kushte më pak serioze, do të kishim qeshur fort për këtë akuzë. Nuk do ta kishim besuar kurrë se ishim aq të zotët, ne, adoleshentët, rritur me Ungjill e uratë në dorë, sa të përmbysnim regjimin më gjakatar, që kishin parë ndonjë herë trojet tona, gjithnjë nën thundër. Sigurisht nuk do të kishim ngurruar ta përmbysnim, po të mundnim. Me revolucionin e Krishtit, natyrisht. Që na e kishte mësuar Atë Mark Harapi:
“Një natë, kur komunistët e armatosur deri në dhëmbë, hynë për të satën herë në Kuvendin e Jezuitëve, majori, që i kryesonte, i drejtohet Atë Mark Harapit, vëlla i Patër Antonit, përkthyes i madh i “Të fejuemve” të Manxonit, me studime të plota kryer në Insbruk, profesor në Kolegjën famëmadhe Saveriane, e me ironi i thotë: ‘Hë, ç’keni kundër nesh ju, jezuitët! Ti duhet ta dish më mirë nga unë se komunisti i parë është vetë Krishti’.
‘Ashtu asht, u përgjigj Atë Marku. Veçse Krishti lufton me një armë, që ndryshon paksa prej armëve tueja: me armën e dashtënisë!”.
Më 20 shkurt 1946 u hap seanca e 16-të e gjyqit ushtarak. E fjalës së fundit për 39 të pandehur. Atë Giovanni Fausti, atë Daniel Dajani, atë Gjon Shllaku e tre të rinjtë tjerë, prisnin vetëm dënimin me vdekje. E pas këtij dënimi, të dënuarit do të izoloheshin, lidhur me zinxhirë. Ishim thellësisht të pikëlluar, kur Atë Dajani na tha:
- Pse nuk po këndoni kangë atdhetare, si përherë?
- Si mundemi, Patër- iu gjegj njëri nga ne – kur ju nesër…
- Ne – ia preu fjalën Jezuiti, po shkojmë deri në fund të rrugës, që e zgjodhëm vetë. Prandej, e meritojmë të na përcillni me kangë!
Nisëm të këndojmë: fjalë e tinguj ngarkuar me lot të valë!
Më 4 mars, ditë e hënë, ora 5 e mëngjesit, trupi i Mark Çunit dergjej pa jetë në mes të një mali kufomash, mbi Zajet e Kirit. Zhdukej nën dhe, për të dalë përsëri, nga palci i urrejtjes, si bima prej fare në pranverë, ndërmjet 40 martirëve, kandidatë për nderimet e elterit.

Sipas dëshmisë së Gjovalin Zezajt në librin “Genocid Mesjetar në shekullin XX”; Shtypshkronja “Camaj – Pipa”, Shkodër, 2001, fq. 45, 46, 56









All the contents on this site are copyrighted ©.