2014-04-04 15:27:32

Papa: kush ka pushtet, kërkon t’ua mbyllë gojën profetëve, por Shpirti nuk mund të ngujohet në kafaz


Kur kumtohet Ungjilli, shkohet drejt persekutimeve. Këtë pohoi sot Papa Françesku në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Kapelën e Shën Martës. Papa kujtoi se sot ka më shumë martirë, sesa në kohët e para të Kishës dhe u dha zemër besimtarëve të mos tremben nga moskuptimet e as nga persekutimet.RealAudioMP3

Zemra e të prapëve, që largohen nga Zoti, dëshiron ta përvetësojë fenë. Papa e shtjelloi homelinë duke u nisur nga fragmenti i Librit të Urtisë, në Leximin e parë. Prandaj, vërejti, armiqtë e Jezusit i ngrejnë kurthe, e mbulojnë me shpifje, bëjnë çmos t’ia zbehin famën. Përgatisin atmosferën për ta shkatërruar të Drejtin. E këtë e bëjnë sepse u kundërvihet veprimeve të tyre, i qorton ata, që shtrembërojnë ligjet, ua vë në dukje drejtpërdrejt shkeljet kundër edukatës, që kanë marrë. Në të gjithë historinë e shëlbimit, vërejti më tej Papa, profetët kanë qenë gjithnjë të persekutuar. E këtë është vetë Jezusi ai, që ua vë në dukje farizenjve. Gjithnjë në historinë e shëlbimit, në kohën e Izraelit, edhe në Kishë, pohoi, profetët u persekutuan. U persekutuan, sepse e shprehën haptazi mendimin e tyre. U thanë atyre, që po gabonin: ju dredhuat, gabuat rrugë. Kthejuni në rrugën e Zotit! E kjo, vërejti Ati i Shenjtë, nuk u pëlqen fare njerëzve që kanë pushtet në këtë rrugë të gabuar:
“Ungjilli flet qartë, apo jo? Jezusi fshihej në ditët e fundit, sepse nuk kishte ardhur ende ora e Tij: po Ai e dinte si do të mbaronte. Jezusi persekutohet që në orët e para: kujtojmë sesi në fillim të predikimit të Tij kthehet në vendin e vet, shkon në sinagogë e predikon; menjëherë pas admirimit të madh, ia nisin avazit: po ky po na flet, si të mos e dinim nga është. Ky është një prej nesh. Po, me ç’autoritet vjen e na flet kështu? Ku na paska studiuar ky? E shkualifikojnë. Kujtojnë se e dinë nga vjen. Ndërsa, në të vërtetë, askush nuk e di kur vjen e prej nga është! Të shkualifikosh Zotin, të shkualifikosh profetin, për t’i hequr autoritetin”.
E këtë e bëjnë, sepse Jezusi dilte vetë e i bënte edhe të tjerët të dilnin nga ky mjedis fetar i mbyllur, nga ky kafaz. Profeti, pohoi Ati i Shenjtë, lufton kundër njerëzve, që duan ta mbyllin në kafaz Shpirtin Shenjt. Prandaj e persekutojnë. Gjithnjë. Profetët, vijoi të reflektojë Papa, janë të gjithë të persekutar, ose të keqkuptuar, të lënë mënjanë. Nuk u japin kurrë vendin, që meritojnë. E kjo situatë nuk ka përfunduar me vdekjen e me ngjalljen e Krishtit: vijon në Kishë! Të persekutuar nga jashtë e nga brenda. Kur lexojmë jetët e shenjtorëve, kujtoi Papa Françesku, shikojnë se edhe ata pësuan sa e sa keqkuptime, sa e sa persekutime, sepse ishin profetë:
Edhe shumë nga mendimtarët e Kishës u persekutuan. Mendoj, këtë çast, për njerin, që nuk është shumë larg nesh, për një njeri vullnetmirë, profet i vërtetë, që me librat e tij e qorton Kishën, duke i vënë në dukje se po largohet nga rruga e Zotit. E thirrën menjëherë, librat e tij u ndaluan, ia hoqën katedrën, deri sa e përfundoi kështu jetën: jo shumë kohë më parë. Po koha kaloi e ai sot është i Lum! Po si tashti, deri dje ishte heretik e sot i Lum? Puna është se dje ata që kishin pushtet, donin t’ia mbyllnin gojën, sepse nuk u pëlqente ajo, që thoshte. Sot Kisha, që faleminderës Zotit di të pendohet, thotë: ‘Jo, ky njeri është i mirë! Për më tepër, është për udhë kah shenjtëria: është i lum”.
Të gjithë njerëzit, që i zgjedh Shpirti Shenjt për t’i thënë të vërtetën Popullit të Hyjit, shtoi, pësojnë persekutime. E Jezusi është pikërisht modeli, ikona. Zoti rëndoi mbi të të gjitha persekutimet e Popullit të vet. E edhe sot, vërejti me keqardhje të thellë, të krishterët vijojnë të persekutohen. Mund të them se ndoshta sot ka më shumë martirë, sesa në kohët e para të krishterimit, sepse në shoqërinë e botës së sotme, në këtë botë, që dëshiron të jetë e qetë, që nuk i do problemet, thonë të vërtetën, kumtojnë Jezusin:
“Ekziston dënimi me vdekje ose burgu, pse ke në shtëpi Ungjillin, pse jep mësime katekizmi, e në disa vise të botës. Më tregonte një katolik i këtyre viseve se nuk munden as të luten së bashku. Është e ndaluar! Mund të luten vetëm, fshehurazi. Po ata duan ta kremtojnë Eukaristinë. E si ia bëjnë? Bëjnë një festë ditëlindjeje, bëjnë sikur po kremtojnë ditëlindjen e kremtojnë Eukaristinë, para se të nisin festën. E, ndodh edhe që në mes të kremtimit të arrijnë policët. Atëhere ata fshehin menjëherë gjithçka e nisin nga urimet: ‘Urime, për shumë vjet! Qofsh i lumtur!’, për të vijuar festën. Pastaj, sa zhduken policët, rikthehen tek festa e vërtetë, Eukaristia. Duhet të bëjnë kështu, sepse e kanë të ndaluar të luten së bashku. Sot”.
E kjo histori persekutimesh, nënvizoi Papa, është udha e Zotit, udhë e atyre që e ndjekin Zotin. Por, shtoi, pastaj përfundon ashtu si Zoti: me ringjalljen, pas kalimit nëpër udhën e Kryqit, Në përfundim të homelisë, Papa kujtoi atë Mateo Riçin, ungjillëzues i Kinës, që nuk e kuptuan. E megjithatë ai iu bind vetëm zërit të Hyjit, si Jezusi. Do të ketë gjithnjë persekutime, rikujtoi Papa, e edhe keqkuptime. Po Jezusi është Zot, e kjo është sfida e Kryqit e fesë sonë. Zoti, përfundoi Papa, na dhëntë hirin të ecim në udhën e tij e, në se dëshiron, edhe me kryqin e persekutimeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.