2014-04-04 15:28:15

Në Engjëllin e Tënzot të së dielës, Papa do t’u dhurojë besimtarëve mijëra Ungjij


Mijëra Ungjij, në format xhepi: kjo është dhurata e Papës Françesku për besimtarët, që do të mblidhen në Sheshin e Shën Pjetrit të dielën e ardhshme. Është mesazh, që ta kenë gjithnjë me vete Ungjillin e ta rimarrin shpesh në dorë për ta lexuar e për t’i medituar fjalët dhe veprimet e Jezusit.
Vëllimi i vogël format xhepi, i shtypur nga Tipografia e Vatikanit (në një edicion të veçantë, që nuk është në shitje), që përmban katër Ungjijtë dhe Veprat e Apostujve, hapet me një citim të Papës Françesku nga Thirrja Apostolike “Evangelii Gaudium”: “Gëzimi i Ungjillit e mbush plot zemrën dhe mbarë jetën e atyre, që takohen me Jezusin”. Në faqen e brendshme të kapakut, mund të lexohen udhëzimet për të thënë Rruzaren e Mëshirës Hyjnore. Faqja e tretë e kapakut mbyllet me lutjen e të Lumit kardinal Njumën: “I dashur Jezus”, që i pëlqente aq shumë Nënë Terezës, prandaj ua kujtonte gjithnjë motrave të saj, duke i porositur ta thoshin çdo ditë.
Ja edhe lutja e Kardinalit John Newman

“Një dritë në errësirë”.
Jezus i dashur, ndihmomë ta përhap aromën Tënde, kudo që shkoj,
përmbytma shpirtin me Shpirtin tënd, me jetën tënde.
Depërto në shpirtin tim e pushtoje
krejtësisht, aq sa jeta ime të jetë veç pasqyrim i jetës sate.
Shndrit në mua, aq i pranishëm në zemrën time
sa çdo shpirt, që takoj,
ta ndjejë këtë prani në shpirtin tim.
Kur të m’i ngulin sytë, të mos më shohin mua,
por vetëm Ty, o Jezus!
Rri me mua, e unë do të shndris si Ti:
do të shndrisim së bashku botën,
si dritë për të gjithë.
Drita, o Jezus, do të dalë prej Teje,
e asnjë rreze, e imja nuk do të jetë...
Ti do të ndriçosh mbi të tjerët, përmes meje.
Ma jep hirin të lutem, ashtu si Ty të pëlqen
t’i ndris me dritën tënde, ata që më rrethojnë.
Bëj që të kumtoj pa kurrfarë predikimi
me shembull, Jezus, e jo me fjalë:
me forcën, që tërheq,
ndikimin plot mirësi,
me begatinë pafund të dashurisë sate,
që më zjen në zemër e në shpirt.









All the contents on this site are copyrighted ©.