2014-04-03 14:29:43

Shkëmbimi i Instrumenteve ratifikon Marrëveshjen Seli e Shenjtë-Kepi i Gjelbër. Papa takohet me kryeministrin Pereira Neves


Sot paradite Papa priti në audiencë kryeministrin e Kepit të Gjelbër, zotin Josè Maria Pereira Neves, i cili më pas u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga imzot Dominik Mambertì, Sekretar për marrëdhëniet me Shtetet. Më pas, në Sallën e Traktateve të Pallatit Apostolik, sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinali Parolin dhe kryeministri Neves, shkëmbyen instrumentet e ratifikimit të Marrëveshjes ndërmjet Selisë së Shenjtë e Republikës së Kepit së Gjelbër mbi statusin juridik të Kishës katolike në vend, nënshkruar në Praia, më 10 qershor 2013. Marrëveshja, që fuqizon më tej lidhjet e miqësisë dhe të bashkëpunimit ekzistues ndërmjet të dyja palëve, përbëhet nga tridhjetë nene dhe përcakton Kuadrin juridik e normativ të referimit: i njeh të dielat si ditë feste, përcakton rregullat në fusha të ndryshme me interes të përbashkët: mbrojtjen e vendeve të kultit e të kremtimeve, vlerën civile të martesës kanonike dhe të vendimeve kishtare në këtë drejtim. Në vijim, garanton institucionet katolike të arsimit e të edukatës, mësimin e fesë në shkolla, veprimtaritë asistenciale e bamirëse të Kishës; kujdesin baritor në forcat e armatosura, në burgje e spitale, si dhe regjimin trashëgimor e fiskal.
Marrëveshja hyn në fuqi në ditën e tridhjetë të shkëmbimit të instrumenteve të ratifikimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.