2014-04-03 14:22:43

Papa ipeshkvijve të Ruandës: 20 vjet pas genocidit, Kisha impenjohet gjithnjë për mjekimin e plagëve


Sot paradite Papa Françesku priti ipeshkvinjtë e Ruandës, në vizitë ad Limina Apostolorum. Pasi falënderoi Kryetarin e Konferencës Ipeshkvore Ruandeze, Imzot Smaragde Mbonyitege, për mesazhin e përzemërt që i drejtoi, Ati i Shenjtë u kërkoi ipeshkvinjve afrikanë t’u përcjellin dashurinë e tij të thellë meshtarëve, rregulltarëve, rregulltareve dhe besimtarëve laikë të dioqezave të tyre.
Duke kujtuar njëzetvjetorin e fillimit të genocidit të tmerrshëm, që la plagë të thella në shoqërinë ruandeze, Papa Françesku tha se merr pjesë në zinë kombëtare të shpallur me këtë rast dhe se kujton në lutjet e veta të gjithë ruandezët, pa dallim feje, etnie apo bindjeje politike. Vendin parësor në misionin e Kishës Katolike në Ruandë, e zë angazhimi për pajtimin kombëtar dhe për shërimin e plagëve të hapura nga dhuna.
Në këtë perspektivë të pajtimit kombëtar, thekson Papa, “është e nevojshme të forcohen marrëdhëniet e mirëbesimit ndërmjet shtetit dhe Kishës”. 50 vjetori i marrëdhënieve diplomatike të Selisë së Shenjtë me Ruandën është një rast i volitshëm për të kujtuar dobinë e këtyre marrëdhënieve.
Papa u përsëriti ipeshkivinjve ruandezë thirrjen që i ka drejtuar mbarë Kishës në dokumentin Evangelii Gaudium, për të qenë Kishë misionare, “në dalje”, e aftë për t’i shërbyer në çdo rrethanë të mirës së përbashkët. Formimi i të rinjve dhe përfshirja e laikëve në veprën ungjillëzuese të shoqërisë janë udhëzimet baritore që duhen mbajtur parasysh, bashkë me punën edukuese në universitete dhe shkolla.
Kisha ruandeze, vijoi Ati i Shenjtë, duhet të mbajë parasysh se “të rinjtë mund t’i shprehin vlerat e vërteta në gjirin e familjes”, prandaj “një vëmendje krejt e veçantë i duhet kushtuar familjes".
Duke përfunduar, Papa Françesku shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që janë të përkushtuar në shërbesë, dhe i porositi ipeshkvijtë t’i japin rëndësi të veçantë formimit njerëzor, intelektual e shpirtëror të seminaristëve.
Duke thirrur në ndimë të Kishës ruandeze dhe të mbarë popullit “Zojën e Dhimbjeve”, Ati i Shenjtë u dha bekimin apostolik ipeshkvinjve të ardhur nga kjo tokë e vuajtur tek Pasardhësi i Pjetrit për t’u pëforcuar në fe.








All the contents on this site are copyrighted ©.