2014-04-03 12:28:32

Françesku:lutja është luftë me Zotin, që na e shndërron zemrën


Lutja është luftë me Zotin e duhet bërë me liri e ngulm, si dialog i sinqertë me një mik. Kjo lutje e shndërron zemrën tonë, sepse na ndihmon ta njohim më mirë Zotin, ashtu si është me të vërtetë. Ky, mendimi kryesor, që përshkoi homelinë e Papës Françesku, mbajtur gjatë Meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. RealAudioMP3

Dialogu i Moisiut me Hyjin, mbi malin Sinai, ishte në qendër të homelisë së Atit të Shenjtë. Zoti do ta ndëshkojë popullin e vet, sepse ka bërë një idhull, viçin e artë. Moisiu i lutet me gjithë shpirt Zotit të mendojë edhe pak, para se të nisë ndëshkimin. Kjo lutje, shpjegoi Papa Françesku, është luftë e vërtetë me Hyjin. Luftë e kreut, për të shpëtuar popullin, që është Popull i Hyjit. Moisiu flet lirisht para Hyjit e na mëson edhe ne si duhet të lutemi; pa frikë, lirisht, edhe me këmbëngulje. Mosiu ngulmon. Është guximtar. Lutja duhet të jetë edhe diskutim me Hyjin, natyrisht, me argumente. Moisiu, më në fund, e bind Hyjin e Leximi na kujton se “Hyji u pendua dhe hoqi dorë nga ndëshkimi i popullit të vet”. Por, pyeti Papa, kush ndërroi, këtu? Ndërroi Hyji? Unë besoj se jo!”:
“Ai që ndërroi, është Moisiu, nga që Moisiu besonte se Hyji do ta kishte bërë këtë, besonte se do ta kishte dënuar popullin idhujtar e, prej këndej, rrëmon në kujtesë, e sjell ndër mend sa i mirë kishte qenë Zoti me popullin e vet, si e kishte nxjerrë nga skllavëria e Egjiptit e i kishte prirë drejt Tokës së Premtuar. E me këto argumente, përpiqet ta bindë Zotin, por, në këtë proces, ai freskon kujtesën e popullit të vet, e gjen mëshirën e Hyjit. Ky Moisi, që kishte frikë, frikë se Zoti do ta ndëshkonte popullin, më në fund zbret nga mali me një ndjesi të madhe në zemër: Hyji ynë është mëshirplotë. Di të falë. Heq dorë nga vendimet e veta, sepse është Atë!”.
Gjithë këtë, vërejti Papa Françesku, Moisiu e dinte, por dija e tij ishte pak a shumë e vagëlluar. Tani, në lutje, nis të shikojë përsëri krejt qartë. E pikërisht këtë bën lutja edhe në shpirtin tonë: na e shndërron zemrën:
Lutja e shndërron zemrën. Na bën ta kuptojmë më mirë si është Zoti ynë, e jo me fjalë boshe. Jezusi thotë: ‘Ashtu si bëjnë paganët’. Jo, jo, këtu flitet realisht: ‘Pa, shiko, o Zot, kam këtë problem, në familje, me tim bir, me këtë e atë... Ç’mund të bëj? Ç’duhet të bëj? Shiko, o Zot, ti nuk mund të më lësh kështu!’. Kjo është lutja! A kërkon shumë kohë kjo lutje? Po, shumë!”.
Është koha, që nevojitet për të njohur më mirë Hyjin, ashtu si bëhet me një mik, sepse Moisiu, na kujton Bibla, i lutej Zotit, duke folur me të si miku me mikun:
“Bibla thotë se Moisiu flet me Zotin sy më sy, si miku me mikun. Kështu duhet të jetë lutja: e lirë, ngulmuese, me argumente. E edhe duke e qortuar Zotin paksa: ‘Po ti më premtove këtë e atë, e nuk e mbajte premtimin…’ . Kështu, pra, si flitet me një mik. Me zemër të hapur, në lutje. Moisiu zbriti nga mali me forca të përtërira. Sepse lutja të përtërin. Të mbush me forcë. Po, Zoti na e jep të gjithëve këtë hir. Sepse të lutesh, është hir”.Në çdo lutje, kujtoi Papa, është i pranishëm Shpirti Shenjt. Është Shpirti i Zotit, që lutet në shpirtin tonë. Pa Shpirtin Shenjt nuk ka lutje. Ai na mëson të lutemi, ashtu si u lut Moisiu, e të diskutojmë me Hyjin me liri shpirti, me guxim. E Shpirti Shenjt, gjithnjë i pranishëm në lutjen tonë, na prin nëpër këtë udhë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.