2014-04-02 15:41:20

Papa: për të bërë paqe në familje, nuk duhet ndërhyrja e Kombeve të Bashkuara; mjafton të lutesh e të duash


“Martesa është ikonë e dashurisë së Hyjit”. Këtë pohoi Papa në audiencën e sotme të përgjithshme, kushtuar Sakramentit të martesës. Ati i Shenjtë nënvizoi me forcë rëndësinë e lutjes në familje. Lidhja me Zotin, pohoi, ndihmon për kapërcimin e konflikteve, që lindin ndërmjet bashkëshortëve. Në çastin e përshëndetjeve, një mendim i posaçëm drejtuar punëtorëve të Alkoas dhe banorëve të Akuilës, 5 vjet pas tërmetit, që rrënoi gjithë qytetin. RealAudioMP3

“Burri do ta lërë t’atin e t’ëmën e do të jetojë bashkë me gruan e vet e do të bëhen një trup i vetëm”. Papa e shtjelloi katekizmin, duke u nisur pikërisht nga ky fragment i Librit të Zanafillës, për të nënvizuar, më pas, se Besëlidhja e Hyjit me ne pasqyrohet në këtë besë, lidhur ndërmjet burrit e gruas:
“Kur burri e gruaja kremtojnë Sakramentin e martesës, mund të themi se vetë Hyji pasqyrohet në ta: vulos mbi ta tiparet dhe natyrën e pashlyeshme të dashurisë së tij. Martesa është ikona e dashurisë së Zotit me ne. Shumë bukur! Edhe Hyji, në të vërtetë, është bashkim”.
Pikërisht ky, shtoi Ati i Shenjtë, është misteri i martesës: dashuria e Zotit, që pasqyrohet në martesë, në çiftin, i cili vendos të jetojë bashkë. Kisha, shtoi, është Nusja e Krishtit, e kjo tregon se martesa i përgjigjet një thirrjeje të posaçme e duhet parë si shugurim. Bashkëshortët, shtoi Ati i Shenjtë, ngarkohen me një mision të mirëfilltë. Me misionin ta bëjnë të dukshëm, duke u nisur nga gjërat më të thjeshta, më të zakonshme, dashurinë me të cilën Krishti e do Kishën e vet. E dimë mirë, pohoi Papa në vijim, sa vështirësi e prova kalojnë bashkëshortët gjatë jetës. Prandaj ka shumë rëndësi të mbahet e gjallë lidhja me Hyjin, që është në bazë të lidhjes martesore:
“Lidhja e vërtetë, është gjithnjë me Zotin. Kur familja lutet, lidhja nuk këputet. Kur dhëndri lutet për nusen e nusja për dhëndrin, kjo lidhje bëhet tejet e fortë. Njëri lutet për tjetrin”.
Është e vërtetë, tha Papa, se në jetën martesore ka edhe çaste të vështira, grindje, sherre. Madje nganjëherë ndodh edhe që të fluturojnë pjatat, por kjo nuk duhet të ngjallë trishtim:
Kështu është jeta njerëzore. Por dashuria është më e fortë se sherri. E ky, edhe sekreti. Prandaj i këshilloj bashkëshortët, të mos e përfundojnë ditën e kaluar me zënka, pa bërë paqe. Gjithnjë! E për të bërë paqe, nuk është nevoja të thirren Kombet e Bashkuara, që të vijnë në shtëpi e të vendosin paqen. Mjafton një ledhatim i lehtë, një përshëndetje e vogël, një mirupafshim nesër. E nesërmja, pastaj, sjell të renë. Kjo është jeta: duhet çuar përpara kështu, me guxim, me dëshirën për të jetuar së bashku”.
Më pas Papa rikujtoi tri fjalët themelore, gati-gati magjike, që i ndihmojnë bashkëshortët ta duan me gjithë zemër njëri-tjetrin: “Me leje, më fal, faleminderit!”:
“T’i përsërisim të gjithë! Me leje, faleminderit e më fal. Me këto tri fjalë, me lutjen për njëri tjetrin e me paqen pa rënë muzgu, martesa shkon përpara. Tri fjalët magjike, lutja e paqja, gjithnjë!”.
Papa foli përsëri për familjen edhe në përshëndetjet drejtuar shtegtarëve, ardhur nga të katër anët e botës. Françesku nënvizoi posaçërisht sa e rëndësishme është të lutemi për familjet, që kalojnë çaste të vështira, duke theksuar se ata janë dhuratë e Zotit në bashkësitë tona.
Në Ditën Botërore të Autizmit, në përfundim të audiencës së përgjithshme, tre të rinj austikë të Fondacionit “Përtej labirintit Onlus” i dorëzuan Papës një model të personalizuar të “Hugbike”, biçikletë e veçantë, sepse e realizuar nga vetë të rinjtë austikë, të cilët e quajtën “biçikleta e përqafimeve”. E kjo, sepse në këtë biçikletë drejtuesi e rrok njeriun e ulur përpara, duke e bërë ecjen më të sigurt. Tepër emocinues, çasti kur të rinjtë, të shoqëruar nga familjarët, ia dorëzuan biçikletën Papës, i cili u shprehu mirënjohjen për këtë gjest kaq prekës.










All the contents on this site are copyrighted ©.