Papa Françesku: Gjon Pali II, predikatar i palodhshëm i Fjalës së Hyjit
Në audiencën e sotme të përgjithshme, duke përshëndetur shtegtarët polakë, të pranishëm
në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa kujtoi nëntë vjetorin e vdekjes së Gjon Palit II.
Ja edhe fjalët e Atit të Shenjtë: “Përvjetori i
vdekjes së të Lumit Gjon Pali II na bën të mendojmë për ditën e shenjtërimit të tij,
që do ta kremtojmë nga fundi i muajit. Uroj që pritja e kësaj ngjarjeje të madhe të
jetë rast për t’u përgatitur shpirtërisht e për ta përtërirë trashëgiminë e fesë,
që na la Papa i Lum. Në përngjasim të Krishtit, ai ishte predikatar i palodhur i Fjalës
së Hyjit, i së vërtetës e i së mirës për mbarë botën. Diti të bëjë mirë deri me vuajtjen
e tij. Ky ishte magjisteri e kjo, jeta e Karol Vojtilës. Prandaj populli i Hyjit iu
përgjigj me dashuri të madhe e nderim të veçantë. Ndëmjetësimi i tij na e forcoftë
në shpirt fenë, shpresën e dashurinë. E ju, gjatë kësaj përgatitjeje, ju shoqëroftë
Bekimi im apostolik”.