2014-04-02 11:02:56

Kur vdes një Shenjt. Kardinali Sandri kujton Karol Vojtilën


Nëntë vjet më parë, më 2 prill, Gjon Pali II kthehej në Shtëpinë e Atit Qiellor, pas një sëmundjeje të gjatë, të përballuar me guxim e fisnikëri. Lajmin e vdekjes së Gjon Palit II, në Sheshin e Shën Pjetrit, shndërruar në Çenakull nën qiell të hapur, e dha zëvendës-sekretari i Sekretarisë së Shtetit të Shenjtërisë së Tij, Leonardo Sandri, sot, prefekt i dikasterit për Kishat Lindore. Para mikrofonit tonë, kujton emocionet e thella, të paharrueshme të atij çasti.RealAudioMP3

(Njoftimi i Kardinalit Sandri)
“Të dashur vëllezër e motra, në orën 21.37, i shumëdashuri Ati ynë i Shenjtë, Gjon Pali II, u kthye në shtëpinë e Atit. Të lutemi për të!”.

Përgjigje: - Emocioni ishte i madh. E tani, ky kalim i një shenjti nga toka, në Shtëpinë e Atit, më ngjall emocion të dyfishtë. E ndjej veten të padenjë e tepër larg njeriut, që ishte ungjillëzues i mirëfilltë, njeri i paqes, njeri me jetë të madhe shpirtërore, bazë e të gjitha veprimtarive të tij: njeri, që e jetoi papninë në përkorjen më të madhe, në varfërinë më të plotë.

Pyetje: - Ç’kujtime keni, nga takimet me Gjon Palin II?

Përgjigje: - Kam shumë, shumë kujtime. Posaçërisht pata mundësinë të shikoj sesi Zoti e kishte pajisur Karol Vojtilën me një humanitet të jashtëzakonshëm. E gjithë shenjtëria, që ne e kemi parë, pastaj, gjatë jetës së tij meshtarake, ipeshkvnore e papnore, mbështetej mbi një njeri, që kishte vuajtur shumë: kishte provuar persekutimin, vdekjen e nënës, kur ishte ende i njomë, sulmin nga ana e regjimit, faktin, që i duhej të jetonte në një mjedis armiqësor... Të gjitha këto i kishte jetuar ky njeri i jashtëzakonshëm për simpati, për pamje fizike, thellësi kulturore, pasuri studimesh, njohje të filozofisë e edhe të fenomenologjisë... E pastaj, për aftësinë e jashtëzakonshme që kishte për t’i njohur njerëzit, aftësinë për të hyrë në lidhje me ta, njohjen e gjuhëve e të botës, ku kishte jetuar, edhe kur kishte qenë ipeshkëv në Poloni. Ishte humanitet i lartuar nga Zoti, përmes një jete me ballafaqime të ashpra, një jete me vuajtje, me flijime, një jete tejet të thjeshtë... Gjëja, që kam admiruar më shumë në ditën e fundme të jetës së tij, ishte pamja në shtratin e vdekjes, krejtësisht i zhveshur nga gjërat tokësore, edhe në këndvështrimin material: asnjë luks, asnjë shenjë madhërie rreth atij krevati. Thjeshtësi emocionuese. Ky humanitet i thellë u kurorëzua nga Zoti me dhuratat e Shpirtit Shenjt. E prej këndej, kishte gjithçka, duke u nisur nga feja, shpresa e dashuria, që duhet për ta bërë Shenjt edhe një njeri të zakonshëm, si të gjithë.

Pyetje: - Të gjithë e kujtojmë 8 prillin, salikimet e Gjon Palit II. Populli i Hyjit e quajti Shenjt. Çfarë do të kenë më shumë besimtarët me 27 prill, kur Karol Vojtila do të shpallet shenjt?
Përgjigje: - Gjykimin autoritar të Kishës. Duhet të mendojmë se formula e shenjtërimit ka solemnitet gati dogmatik: ai është në Qiell, e prej këndej ne, besimtarët, që besuam se ishte shenjt, që kur e patëm njohur, ose ata, që e patën shpallur “Shenjt menjëherë” në Sheshin e Shën Pjetrit, tani sigurohen, nga autoriteti i Kishës, autoritet i Pasardhësit të Shën Pjetrit, që thotë pikërisht kështu: “Shpall, përcaktoj, kumtoj se ky njeri është shenjt e tani ndodhet pranë Zotit” e jeton në vegimin e asaj, që ne shpesh e vegojmë vetëm përmes hijes e nuk e shikojmë me sytë tanë njerëzorë: sheh Zotin sy për sy. Ai tani e shikon, e këtë e garanton edhe Kryebariu i Kishës, që është Papa Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.