2014-04-01 16:48:14

Françesku: plogështia dhe formalizmi i shumë të krishterëve, ia mbyllin portën shëlbimit


Të krishterët e anestetizuar nuk i bëjnë mirë Kishës. Këtë nënvizoi Papa Françesku gjatë Meshës, kryesuar sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës. Papa pohoi se nuk duhet të ndalemi tek formalizmat, por “të përzjehemi’, ta mposhtim plogështinë shpirtërore, edhe duke e rrezikuar veten, kur është fjala për kumtimin e Ungjillit.RealAudioMP3

Papa Françesku e shtjelloi homelinë, duke u ndaluar posaçërisht tek fragmenti i Ungjillit, që flet për takimin e Jezusit me të gjymtin i cili, i sëmurë prej 38 vjetësh, rrinte nën hajat, pranë pishinës, në pritje të shërimit. Ky njeri ankohej se nuk mund të zhytej në ujë, nga që ia zinin vendin të tjerët, më të shpejtë se ai. Po Jezusi i hap një horizont krejt të papritur, duke e urdhëruar të ngrihet në këmbë e të ecë. Mrekulli, kjo, që shkakton një mori kritikash nga ana e farizenjve, sepse atë ditë ishte e shtunë e, prej këndej, nuk duhej bërë as mrekulli. Në këtë tregim, shpjegoi Papa, vërejmë dy sëmundje të forta, shpirtërore. Dy sëmundje, për të cilat do të na bënte mirë të reflektonim. Së pari, na bie në sy nënshtrimi i plotë i të sëmurit ndaj fatit. Ai, me shpirtin e pushtuar nga hidhërimi, s’bën tjetër, veçse të qahet, të ankohet:
Mendoj për shumë të krishterë, shumë katolikë: po, katolikë janë, por pa pikën e entuziazmit, madje, me shpirt të helmuar. Ç’të bësh! Kështu është kjo jetë, por Kisha…Unë shkoj në meshë çdo të dielë, por më duket gjë më e mirë të mos ngatërrohem; fenë e kam për shëndetin e shpirtit tim, nuk më duket e arsyeshme t’ia jap edhe të tjerëve…’. Gjithkush në shtëpi të vet, në qetësi të vet… Bëj po të duash ndonjë gjë, e do të dëgjosh vetëm qortime, vërejtje nga të katër anët. Më mirë, prandaj, të mos rrezikohesh’. Jemi para sëmundjes së indiferencës, plogështisë së të krishterëve. Një sjellje e tillë e paralizon zellin apostolik, gjë që i bën të krishterët të ndalen në vend, të ruajnë qetësinë e vet, e jo në kuptimin e mirë të kësaj fjale. Sepse kështu nuk shqetësohen fare të dalin për të dhënë kumtin ungjillor! Kthehen në njerëz të anestetizuar, të marrakotur”.
Plogështia, shtoi Papa, është përvojë negative. Prirja për të mos u ngatërruar me punët e botës, bëhet plogështi shpirtërore. E plogështia është burim trishtimi. Këta të krishterë janë të trishtuar, janë njerëz të ngrysur, negativë. E kjo është sëmundja e ne të krishterëve. Shkojmë në Meshë çdo të diel, duke shtuar edhe fjalët: “Ju lutem, mos na shqetësoni’. Këta janë të krishterë pa zell apostolik, theksoi Papa, nuk i duhen gjë kujt, e kryesisht, Kishës. Po sa të krishterë janë të tillë, shtoi Ati i Shenjtë me keqardhje, egoistë, që mendojnë vetëm për vete. Ky, shtoi, është mëkati i plogështisë, që i kundërvihet zellit apostolik, dëshirës për t’ia kumtuar risinë e Jezusit të tjerëve, atë risi, që mua m’u dhurua falas. Por në këtë fragment ungjillor, vijoi Papa, gjejmë edhe një mëkat tjetër, kur shikojmë se Jezusi kritikohet nga që e shëroi të sëmurin ditën e shtunë. Është mëkati i formalizmit. Mëkat i të krishterëve, në shpirtin e të cilëve nuk ka vend për hirin hyjnor. E jeta e krishterë, jeta e këtyre njerëzve, ka vetëm shqetësimin për të qenë në rregull me të gjitha dokumentet, me të gjitha dëshmitë:
Të krishterë hipokritë, si farizenjtë. Që interesoheshin vetëm për formalitetet e tyre. Ishte e shtunë? Jo, nuk mund të bëhen mrekulli të shtunën, hiri i Zotit nuk mund të punojë të shtunën. Ia mbyllin portat hirit të Zotit! Kemi shumë në Kishë; kemi shumë! Është mëkat tjetër ky. Të parët, ata që kanë mëkatin e plogështisë, nuk janë në gjendje të shkojnë përpara me zellin e tyre apostolik, sepse kanë vendosur të mbyllen në vetvete, në trishtimet e tyre, në mllefet e tyre. Nuk janë të aftë të sjellin shëlbim, sepse ia mbyllin portat shëlbimit”.
Për ta, shtoi Papa, vlejnë vetëm formalitetet. “Nuk është e mundur”, kjo është fjala e tyre e parë dhe e fundme. Njerëz të tillë i takojmë të gjithë, madje shpesh jemi edhe ne vetë si ata, të plogshtë e herë-herë edhe hipokritë, si farizenjtë. Këta, shpjegoi Ati i Shenjtë, janë tundime, që duhet t’i njohim, për t’u mbrojtur prej tyre. E përballë këtyre dy tundimeve, përballë këtij ‘spitali fushor atje’, që ishte simbol i Kishës, përballë njerëzve të plagosur, të sëmurë, të gjymtë, është vetëm Jezusi. Ai u afrohet këtyre njerëzve e u kërkon një gjë të vetme: “Dëshiron të shërohesh?”. E u jep hirin e shëndetit. Hiri bën gjithçka. E pastaj, kur e takon rishtas njeriun e gjymtë, i kujton: “Mos mëkato më!”:
“Dy fjalë të krishtera: ‘dëshiron të shërohesh?’ e ‘mos mëkato më!’. Por më parë e shëron, pastaj e porosit të mos mëkatojë më. Fjalë të thëna butësisht, ëmbëlsisht. E kjo është udha e krishterë. Udha e zellit apostolik: t’i afrohesh sa më shumë njerëzve të plagosur në këtë ‘spital fushor’, shpesh herë të plagosur edhe nga burrat e gratë e Kishës. Me fjalën, që del nga një zemër vëllai a motre: dëshiron të shërohesh? E, pastaj, kur tjetri ka provuar shërimin e mrekullueshëm, edhe ‘ Mos mëkato më, se nuk të bën mirë!’. Është gjë shumë më e mirë, kjo: dy fjalët e Jezusit janë më të bukura, se sjellja e plogësht, se sjellja hipokrite”.









All the contents on this site are copyrighted ©.