2014-03-31 16:11:16

Papa me salezianët: Të rinjtë të jenë protagonistë në Kishë, punëtorë të drejtësisë dhe të paqes


Sot paradite, në pritje me pjesëmarrësit në Kapitullin e Përgjithshëm të Salezianëve, Papa Françesku i bëri urimet Rektorit të Madh të sapozgjedhur, don Angelo Fernandez Artime, si edhe Këshillit të ri të Përgjithshëm. Papa i uroi salezianët “që të dinë t’i shërbejnë Kongregatës në ecjen e saj, duke e udhëhequr, duke e shoqëruar dhe duke e mbështetur. Shpirti i Shenjtë – uroi Papa – ju ndihmoftë të kuptoni pritshmëritë dhe sfidat e kohës sonë, veçanërisht të të rinjve, dhe t’i interpretoni në dritën e Ungjillit dhe të karizmës suaj”.
“E marr me mend – tha Papa – se gjatë Kapitullit, me temë ‘Dëshmitarë rrënjësorë të Ungjillit, keni mbajtur parasysh gjithmonë Don Boskon dhe të rinjtë. Don Boskon me moton e tij: ‘Da mihi animas, cetera tolle’ (Më jep shpirtrat, të tjerat hiqi). Ai e përforconte këtë program me dy elementë të tjerë: puna dhe vetëpërmbajtja. Më kujtohet se në kolegj ishte e ndaluar të flije pas dreke... Vetëpërmbajtje...! Për salezianët dhe për ne! ‘Puna dhe vetëpërmbajtja, thoshte don Bosko, do ta lulëzojnë Kongregatën’. Kur mendohet për të punuar në të mirë të shpirtrave, tejkalohet tundimi i mondanitetit shpirtëror, nuk kërkohen gjëra të tjera, por vetëm Hyji dhe mbretëria e tij. Vetëpërmbajtje do të thotë edhe të kesh një masë, të dish kur diçka mjafton, të jesh i thjeshtë. Varfëria e don Boskos dhe e nënës Margeritë i frymëzoftë të gjithë salezianët dhe çdo bashkësi tuajën për një jetë të thjeshtë e të përkorë, për të qëndruar afër të varfërve, për transparencë dhe përgjegjësi në përdorimin e të mirave!”
Në vijim Papa Françesku tha se “ungjillëzimi i të rinjve është misioni që ju ka besuar Shpirti i Shenjtë në Kishë”. Ky mision “është i lidhur ngusht me edukimin e tyre: ecja në fe shartohet në procesin e rritjes dhe Ungjilli e pasuron edhe pjekjen njerëzore. Duhet t’i përgatisim të rinjtë, që të punojnë në shoqëri sipas Shpirtit të Ungjillit, si punëtorë të drejtësisë dhe të paqes, dhe të jetojnë në Kishë si protagonistë”
Duke folur për thirrjet, Papa tha se “nganjëherë thirrja për jetën e kushtuar ngatërrohet me vendimin për të bërë punë vullnetare dhe ky vizion i shtrembër nuk u bën mirë Instituteve. Viti i ardhshëm 2015, që do t’i kushtohet Jetës Rregulltare, do të jetë një rast i volitshëm për t’u paraqitur të rinjve bukurinë e kësaj jete. Duhet të shmangen vizionet e pjesshme, për të mos ngjallur thirrje të brishta dhe të mbështetura në arsye të dobëta. Thirrjet apostolike janë, zakonisht, fryt i punës së mirë baritore me të rinjtë”.
Papa nuk la pa përmendur problemet me të cilat përballet rinia e kohës sonë, ndër të cilët theksoi papunësinë: “është e tmerrshme të mendosh – theksoi – se këtu, në Perëndim, 75 milionë të rinj nuk kanë punë”. Papunësia dhe mungesa e dashurisë janë edhe dy nga shkaqet e vartësive të ndryshme në të cilat bien të rinjtë, prandaj puna me ta kërkon guxim, pjekuri dhe shpirtin e lutjes. “Për këtë punë – tha Papa – duhet të caktojmë njerëzit më të mirë, më të mirët!”.
Duke përfunduar, Papa u tha: “Faleminderit Zotit, ju nuk jetoni dhe nuk punoni si individë të veçuar, por si bashkësi. Falënderojeni Hyjin për këtë. Bashkësia e mbështet tërë apostullimin. Nganjëherë bashkësitë rregulltare përjetojnë tensione, me rrezikun e individualizmit”, por “forca humanizuese e Ungjillit dëshmohet duke e jetuar vëllazërimin në bashkësi”, ku zhvillohen “respekti, ndihma e ndërsjellë, mirëkuptimi, mirësjellja, falja dhe gëzimi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.