2014-03-30 12:52:28

Udha e Kryqit, meditimet e imzot Bregantinit: “Në fytyrën e njeriut, që vuan, profili i Jezusit”


Do të jetë imzot Xhankarlo Bregantini, kryeipeshkvi i Kampobaso-Bojanos, ai që do të shkruajë sivjet meditimet e Udhës së Kryqit me Papën në Koloseum. Kremtim tradicional, që kësaj radhe bie më 18 prill. 63 vjeç, i lindur në Trentino të Italisë, imzot Bregantini ka një të kaluar si punëtor e pas një udhe të gjatë formimi, për 13 vjet ka shërbyer si ipeshkëv i Lokrit në Kalabri, tokë ku ka zënë rrënjë kriminaliteti i organizuar. Pati bërë përshtypje të jashtëzakonshme, libri i tij me uratë “Lutja sfidon mafien”. Emëruar nga Benedikti XVI në vitin 2007, ipeshkëv i Kampobaso-Bojanos, është edhe kryetar i Komisionit të Konferencës Ipeshkvnore Italiane për problemet shoqërore e punën, për drejtësinë e paqen. E ftuam në mikrofonin tonë prelatin, për ta pyetur si e priti lajmin se ai do të jetë autor i meditimeve të Udhës së Kryqit në Koloseum:
Po, qe si një thirrje e Zotit, për të cilën fillimisht falenderova Papën Françesku, që është në zemrën e të gjithëve. Së dyti, është nderuar, jo drejtpërdrejt por me të vërtetë, edhe dioqeza ime e Kampobaso-Bojanos. E së treti, ndërsa shkruaja, e ndjeja të gjallë forcën e Udhës së Kryqit. Kurrë si në këtë rast, s’i kam ndjerë Mundimet e Jezusit të lidhura kaq ngushtë me mundimet e njeriut, gjatë lutjes e reflektimit.
Cila do të jetë tema kryesore e meditimeve?
Tema, që më është besuar nga Vatikani, është pikërisht kjo: “Fytyra e Krishtit, fytyra e njeriut”. Ky është titulli, mbi të cilin do t’i shtjelloj mendimet, me ndihmën e Zotit. Para fytyrës së njeriut që vuan, në profil, gjejmë gjithnjë fytyrën e Jezusit. E, sa më shumë ta shohësh atë njeri, aq më shumë zbulon se kemi nevojë për fytyrën e Jezusit pas tij. E sa më shumë të thellohesh në fytyrën e Jezusit, aq më shumë e ndjen se mishërohet sot në mijëra vuajtje të kohës sonë. Ai është i pranishëm në çdo lot. E nuk e lë pa përgjigje. Na sheh, na vëzhgon e na e fshin atë lot, siç pati bërë me tradhtinë, me mohimin e Pjetrit.
A do të ketë tema të veçanta për çdo ndalesë të Udhës së Kryqit? Ndjeshmëria juaj për temat shoqërore, të nxit të mendosh se do të hyjnë disi në meditime…
Sigurisht, gati në të gjitha, ndalesë për ndalesë. Por, gjithnjë do të ndërthuren me përshpirtëri, me një vështrim mbi krizën e sotme, mbi papunësinë, mbi punën e paktë për rininë, mbi botën e burgjeve, të drogës, mbi dramën e të sëmurëve, sidomos të atyre në gradën e fundit, mbi situatën e vështirë të shumë realiteteve pa shpresë. E pastaj, shumë e rëndësishme të vihet në dukje se të gjitha këto situata karkaterizohen gjithnjë nga një forcë e madhe, që lind pikërisht nga Fjala e Zotit. Versetet e çdo ndalese janë zgjedhur, duke pasur parasysh temën dhe reflektimet. Çdo ndalesë përfundon me lutje. Unë jam frymëzuar nga dy figura, që më kanë ndihmuar si stigmatin: figura e shën Gaspër Bertonit, themeluesit të stigmatinëve (dy shekuj më parë, në Veronë, më 1816) dhe, figura e një njeriu të madh të fesë, që ka vdekur para 25 vjetësh në Kampobaso, fra Imakolato, i cili ka ndenjur 50 vjet në shtrat dhe ka shkruar një Udhë Kryqi, ku shihet pikërisht fytyra e Krishtit në fytyrën e njeriut. Nga ajo jam frymëzuar për çaste të veçanta.
Në meditimet tuaja, a do të gjejmë jehonën e fjalëve të Papës Françesku për ta jetuar Ungjillin në periferitë e botës?
Ah, sigurisht! Udha e Kryqit është krejtësisht homazh për Thirrjen Apostolike “Evangelii Gaudium”. Në disa pjesë e kam cituar, në të tjerat, pasqyrohet bukuria e përmbajtjes së saj. “Evangelii Gaudium” është bërë për mua fjalë krejtësisht e qartë, që na ndihmon të interpretojmë deri në fund dramat e sotme, duke pasur parasysh fytyrën e ndritshme e të mëshirshme të Jezusit. Sepse, siç thotë Papa Françesku në fillim: “Pa Jezusin, ne nuk do të kishim dritë, por me Të, fitojmë mbi frikën, mbi errësirën, mbi heshtjen dhe izolimin”. Këto janë disa mesazhe, që Ati i Shenjtë na i jep përmes kësaj Thirrjeje të mrekullueshme Apostolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.