2014-03-30 12:52:49

Papa në Tokën e Shenjtë. Kardinali Sandri: “Kisha është përkrah njerëzve, që vuajnë”


“Në Aman, do të jetë nga më të rëndësishmit, takimi i Papës me viktimat e katastrofës humanitare, shkaktuar nga lufta në Siri, pas tragjedisë në Irak. Takimi me refugjatët do të jetë dëshmi e qartë, që do të tregojë edhe një herë se Kisha është gjithnjë përkrah njerëzve të vuajtur. Do të jetë dhe thirrje drejtuar mbarë botës, për t’i ndihmuar konkretisht këta njerëz”. Janë fjalët e kardinalit Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore. Duke kujtuar shtegtimin e Papës Françesku në Tokën e Shenjtë, në një intervistë botuar në numrin mars-prill të dymujores Terrasanta, rimarrë nga agjencia Sir, kardinali kujton se shtegtimi do të ketë kryesisht domethënie ekumenike. Do të vihet rishtas në qendër të vëmendjes një pyetje, që u përket të gjithëve e që është gjithnjë e më shumë e kuptueshme: pse jemi të ndarë? Nëse të gjithë besojmë në Krishtin, pse vijojmë ta japim para botës këtë shfaqje, që flet për ndasi? Është pambarimisht domethënës, shton kardinali Sandri, fakti që Papa do të takohet me Patrikun Bartolomeu e do ta përqafojë, ashtu si u përqafuan 50 vjet më parë, Papa Pali VI me Atenagorën, pikërisht tek Varri i Shenjtë i Jezu Krishtit, vend ku bie në sy, më shumë se kudo tjetër, ndarja ndërmjet të krishterëve.
Në intervistë prefekti ndalohet edhe tek bisedimet shumëvjeçare me Izraelin për rikthimin e Çenakullit, duke e parë si gjest të mundshëm mirëkuptimi ndaj Papës Françesku. Nuk janë për t’u përjashtuar të papriturat, posaçërisht nga ana e një populli, si ai i Izraelit, që e kupton rëndësinë e pallogaritshme të këtij vendi për të krishterët e, posaçërisht, për katolikët. Një gjest i tillë, si rikthimi i Çenakullit, nënvizon kardinali Sandri, do të ishte i mrekullueshëm, i parë sidomos si gjest, që i përgjigjet dashurisë së përhershme të Papës për popullin hebraik, e edhe të ne të gjithëve për fenë e Abrahamit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.