2014-03-30 12:55:42

P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: Kisha apostolike


Dëshmojmë Kishën apostolike. Katekizmi na shpjegon se Kisha është apostolike për tri arsye. Së pari, sepse u ngrit mbi “themelet e Apostujve’, dëshmitarë të historisë së Jezusit, të vdekjes e të ngjalljes së Tij. Së dyti, Kisha ruan e transmeton fenë e trashëguar nga Apostujt, mësimin e tyre. Së treti, Kisha udhëhiqet nga Apostujt, përmes pasardhësve të tyre, domethënë, përmes ipeshkvijve (cfr KKK 857).

Fjala “apostull” vjen nga greqishtja e do të thotë “i dëguar”. Jezusi i thirri pranë vetes të Dymbëdhjetët, për t’i dërguar të predikonin Ungjillin: “Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju” (Gjn 20,21). Apostujt, që erdhën më pas, ecën në gjurmët e paraardhësve. Vazhdimësia apostolike paraqitet, prandaj, si një zinxhir i pakëputur barinjsh të Kishës (KKK, 938). Por është një aspekt i misionit të apostujve, që nuk mund të transmetohej: ata e panë me sytë e tyre Krishtin e Ngjallur (cfr KKK, 860). Ata dëgjuan, panë e prekën me duart e tyre, Fjalën e jetës (cfr 1Gjn 1,1).

Përmasa apostolike e Kishës nuk kufizohet me Apostujt e pasardhësit e tyre. Katekizmi nënvizon se “mbarë Kisha është apostolike, sepse e dërguar në tërë botën; të gjithë anëtarët e Kishës marrin pjesë në këtë mision”(n.863). Apostullimi merr forma shumë të ndryshme, por dashuria e krishterë, që buron nga Eukaristia, mbetet gjithnjë “shpirt i gjithë apostullimit”(KKK,864).

Katekizimi vë në dukje rolin e besimtarëve shekullarë në apostullimin e Kishës. Ata marrin pjesë në meshtarinë e Krishtit e në misionin e Tij profetik e mbretëror. Janë, pra, të thirrur ta shenjtërojnë botën, të jenë dëshmitarë të Zotit në mes të shoqërisë e ta mundin në vetvete e në botë, shëmtimin e mëkatit (cfr. KKK, 941-943).
Të shfletojmë katekizmin në faqet 941-943, për të mësuar më shumë....








All the contents on this site are copyrighted ©.