2014-03-30 12:53:12

Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, Atë Çiprian Nikaj


Atë Çiprian Nikaj (Shkodër, 19. 07. 1900 – Shkodër, 11. 03. 1948) françeskan, me studime kryer në Shkodër e Austri, shuguruar meshtar në Romë, më 25. 07. 1924; provinçial i françeskanëve ndërmjet viteve 1938-1941, guardian i Kuvendit Françeskan nga viti 1944 deri në vdekje, e përfundoi shtegtimin në këtë botë nën peshën e akuzës së rëndë e shpifëse, se kishte fshehur armë në elterin e Shëna Ndout, në Kishën françeskane të Gjuhadolit.

Simbol i martirizmit të Kishës katolike

Në shumicën e botimeve kushtuar martirëve të Kishës Katolike, viktima të diktaturës komuniste në Shqipëri, shikojmë një kompozim në pikturë, që tashmë është bërë simbol i vetë martirizimit. Titullohet “Kryqëzimi i shekullit XX”. I realizuar në fibër-vaj nga piktori shkodran, Pjerin Sheldia, paraqet dy fretër françeskanë, që duket se po japin shpirt, varur mbi degët e një peme, në oborrin e Kishës së tyre, në sfond. Ndërsa në plan të parë, me zhgunin që kullon gjak, shikojmë atë Çiprian Nikën, provincialin e fundit të françeskanëve nën diktaturë, nxjerrë para gjyqit më 1 mars 1948, njëheresh me imzot Frano Gjinin, Atë Mati Prendushin (në plan të dytë të pikturës), Dom Nikollë Dedën e disa atdhetarë të tjerë, mbasi kishin pësuar tortura të pashoqe.
Ndër to, edhe varja në degë të pemëve, të cilën e rijetojmë, duke soditur pikturën, që Pjerin Sheldija e realizoi duke u mbështetur mbi dëshminë e ish të burgusurit K.S:
“Një natë dhetori të vitit 1946, shkruan K. S. pak ditë mbasi isha arrestue, dy oficerë sigurimi më morën e më nxorën në oborrin e ndërtesës. Më lidhën me duer mbrapa, për një pemë. Ishte natë me hanë. Oborri ndriste si të ishte ditë, gja që nuk mund ta thosha për sytë e mi, gjysëm të shuem prej torturave. Kur erdha në vedi, ndigjova një gjamë të fortë. Çova sytë e dallova aty pranë një njeri të lidhun si unë. Nuk e njoha. As sot nuk e di se kush ishte. Mbas tij, nën dritën e hanës, pashë përballë meje tri figura, lidhë për degët e pemëve. I njoha menjëherë: ishin Imzot Frano Gjini, atë Çiprian Nika e atë Bernardin Palaj. Ma ndej, një tjetër, zhytë në gjysë errësinë. Duhet të ishte atë Mati Prendushi. Me sa dukej kishte ditë, që i nënshtroheshin asaj torture, mbasi dukeshin jashtëzakonisht të lodhun. Qendrimi i vazhdueshëm varë për krahësh, uria, etja dhe pagjumësia i kishin raskapitë deri në atë pikë, sa me t’u dukë se do t’u delte shpirti prej çastit më tjetrin. Gjithsesi, ma i lodhuni ishte i panjohuni pranë meje. S’ndihej aspak. Asnjë lëvizje, asnjë rënkim. Kujtova se ishte shuar, por papritmas e ndjeva se lëshoi një grahmë të hatshme, si njeriu kur jep shpirt. I pashë meshtarët e lidhun në degë të pemëve tue ba, me kryet e këputun prej torturave, shenjën e kryqit. I jepshin, kështu bekimin e fundit njeriut, që po i zgjidhej shpirti, prej trupit të lidhun fort për dru. Ishte, ndoshta, një ndër vojimet ma të jashtëzakonshme që njeh historia dymijëvjeçare e Kishës katolike".
Piktori vuri në qendër të kompozimit të tij, njërin prej tre meshtarëve, atë Çiprian Nikën, i cili vijon të na shikojë ashtu, me sytë lartuar drejt qiellit, i varur në degët e pemës, që bota të mos harrojë...

“Martirizmi i Kishës Katolike Shqiptare, 1944-1990, Shkodër, 1993, sipas shkrimit të Tom Sheldisë e Fritz Radovanit, fq 7-8.








All the contents on this site are copyrighted ©.