2014-03-28 18:37:13

Françesku në kremtimin pendestar: të gjithë jemi mëkatarë, por mund të kërkojmë falje. E rrëfehet ai vetë


"Kush nuk e ndjen veten mëkatar, të hedhë gurin e parë”: fjalët e Krishtit, kur hebrenjtë donin të mbysnin me gurë gruan mëkatare, jehuan sot pasdite në Bazilikën e Shën Pjetrit, gjatë kremtimit pendestar kryesuar nga Papa Françesku. Ati i Shenjtë përuroi kështu nismën “24 orë për Zotin”, organizuar nga Këshilli Papnor për nxitjen e ungjillëzimit të ri, në Kohën e Krezhmëve. Papa rrëfeu edhe disa besimtarë, pasi u rrëfye vetë, në njërën nga rrëfyestoret e shumta, ndërsa rrëfyesit prisnin pendestarë pas çdo shtylle të Bazilikës Vatikanase. Është festë e vërtetë e faljes, siç e dëshmoi vetë Papa Françesku, me shembullin e tij personal. Ndërsa gjatë homelisë së sotme, sqaroi:
“Kthimi në udhën e Zotit nuk është çështje e një çasti apo e një periudhe të vitit, është impenjim që zgjat gjithë jetën. Kush prej nesh mund të pretendojë se nuk është mëkatar? Askush”.
Dy janë elementet karakteristike të pendimit e të rrëfimit të mëkateve, sipas Atit të Shenjtë. Së pari, të vishemi me njeriun e ri. Njeriu i ri, ‘i krijuar prej Zotit’ (Ef 4,24), lind nga Pagëzimi, me të cilin marrim vetë jetën e Zotit, që na bën bij të Tij e na përfshin në Korpin e Krishtit e të Kishës. Kjo jetë e re na jep mundësinë ta shohim realitetin me tjetër sy, pa u hutuar nga gjërat që s’vlejnë e s’mund të zgjasin.
“Ja ndryshimi ndërmjet jetës së shëmtuar nga mëkati e asaj të shndritur nga Hiri Hyjnor. Nga zemra e njeriut të përtërirë sipas Zotit vijnë sjelljet e mira: ai flet gjithnjë, duke thënë të vërtetën e duke shmangur çdo fjalë të rreme; nuk vjedh, por e ndan pasurinë e vet me të tjerët, sidomos me nevojtarët; nuk i lë vend zemërimit, mllefit dhe hakmarrjes, por është i butë, zemërgjerë dhe i gatshëm të falë; nuk merr nëpër gojë e nuk e shkatërron emrin e mirë të njerëzve, por sheh kryesisht anën pozitive të secilit”.
Së dyti, vazhdoi Papa Françesku, duhet të mbështetemi në dashurinë e Krishtit, që ekziston përgjithmonë, nuk ka fund, sepse është vetë jeta e Zotit. Kjo dashuri e mund mëkatin dhe na jep forcën për t’u ngritur edhe një herë në këmbë e për të rifilluar gjithçka nga e para. Ati Qiellor rri përherë me sy nga rruga, për të parë nëse kthehen bijtë e Tij. Nuk lodhet kurrë, tha Ati i Shenjtë, duke përmendur edhe një herë argumentet, që i shtjelloi në meshën e mëngjesit. Përmes Jezu Krishtit, Zoti na fton ta imitojmë dashurinë e Tij:
“Në masën me të cilën të krishterët e jetojnë këtë dashuri, bëhen dishepuj të besueshëm të Krishtit në botë. Dashuria nuk duron të rrijë mbyllur në vetvete. Për natyrën e vet, i ka dyert e hapura, përhapet dhe jep fryte, bën të lindë gjithnjë dashuri e re”.
Në fund, Papa kujtoi nismën “24 orë për Zotin”, e cila po kremtohet në shumë vende të botës dhe i ftoi të pranishmit e besimtarët, që e ndoqën përmes ekranit, t’u kumtojnë të gjithëve se Hyji i pret. E ata që e provojnë miqësinë me Të, dinë edhe të jenë protagonistë të Mëshirës Hyjnore në mesin e të varfërve, në mesin e vëllezërve më të vegjël:
“Jezusi na pret, të shkojmë për ta takuar! E t’i kremtojmë Pashkët, në gëzimin e Zotit!”
Duke filluar nga ora 20.00, në tri kisha të qendrës historike të Romës – Shën Anjeza në Agone, Shën Maria në Trastevere dhe Të Shenjtnueshmet Varrë të Krishtit – ka rrëfyes për këdo, që dëshiron të pajtohet me Zotin përmes Sakramentit të Pendesës e të Rrëfimit. Besimtarët do të kenë mundësi të adhurojnë Hosten Shenjte gjatë gjithë natës. Të rinj, nga realitete të ndryshme kishtare, do të kenë për detyrë të jenë “ungjillëzues të rinj” të bashkëmoshatarëve, duke i ftuar të hyjnë në kishë, ku do të gjejnë meshtarë, të gatshëm për t’i dëgjuar. Edhe nesër, deri në orën 16.00, do të jetë i mundur rrëfimi në kishën e Shën Anjezës në Agone. Dita e nesërme do të mbyllet në orën 17.00, me kremtimin e Lutjeve të para të Mbrëmjes, në kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia, shenjtërore e Mëshirës Hyjnore në qytetin e Romës.







All the contents on this site are copyrighted ©.