Publikohet programi i udhëtimit të Papës Françesku në Tokën Shenjte
Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë publikoi sot programin zyrtar të udhëtimit apostolik
të Papës Françesku në Tokën Shenjte, nga 24 deri më 26 majin e ardhshëm. Në Jeruzalem,
Patriarku latin Fuad Tval ua paraqiti atë gazetarëve. Përveç Jeruzalemit, shtegtimi
i Atit të Shenjtë prek edhe Jordaninë e Territoret Palestineze. Rasti është 50-vjetori
i takimit në Jeruzalem ndërmjet Papës Pali VI e Patriarkut të Kostandinopojës, Atenagora.
Ishte 5 janari i vitit 1964. Tani, Papa Françesku shtegton për në Tokën Shenjte, që
ta kujtojë atë përqafim historik. Aman, Betlehem dhe Jeruzalem: këto janë etapat e
udhëtimit. Të shtunën, më 24 maj, mbërritja në Jordani, me ceremoninë e mirëseardhjes
në Pallatin Mbretëror Al-Husseini në Aman dhe me vizitën e kortezisë tek familja mbretërore
e Jordanisë. Më pas, takimi me autoritetet vendase e pastaj, Mesha e Shenjtë në Stadiumin
Ndërkombëtar të qytetit. Papa do të vizitojë edhe vendin e Pagëzimit të Jezusit në
Betani përtej Jordanit e, në kishën latine, do të takohet me refugjatët sirianë e
me të rinjtë me aftësi të kufizuara. Të dielën, më 25 maj, pasi largohet nga Jordania,
Ati i Shenjtë shkon në Betlehem, në Territoret Palestineze. Ceremonia e mirëseardhjes
do të zhvillohet në Pallatin presidencial, e ndjekur nga vizita e kortezisë me presidentin
palestinez, Mahmud Abas. Më pas, takimi me autoritetet lokale. Papa Françesku do të
kremtojë meshën dhe lutjen e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Grazhdit e do të drekojë
me një grup familjesh palestineze në Kuvendin françeskan të Shtëpisë së Re. Është
parashikuar një vizitë private në Shpellën e Lindjes së Krishtit. Pastaj, në Phoenix
Center të kampit të refugjatëve të Dheisheh-ut, Ati i Shenjtë do të përshëndesë fëmijët
e këtij kampi, por edhe ata të Aidës e të Beit Jibrin-it, që do të mblidhen për këtë
rast. Që këtu, Papa Françesku do të shkojë në Tel Aviv të Izraelit, për t’u transferuar
në Jeruzalem, në selinë e Delegacionit Apostolik, ku do të takohet privatisht me Patriarkun
Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu I. Të dy do të nënshkruajnë një deklaratë
të përbashkët. Më pas, në Bazilikën e Varrit të Krishtit, takimi i shumëpritur ekumenik,
me rastin e 50 vjetorit të përqafimit të Papës Pali VI me Partiarkun Atenagora. Ati
i Shenjtë do të darkojë me patriarkët, me ipeshkvijtë dhe me anëtarët e delegacionit
papnor në këtë udhëtim, në Patriarkatin latin. Të hënën, më 26 maj, pas vizitës
tek Myftiu i Madh i Jeruzalemit në ndërtesën e Këshillit të Lartë në Sheshin e Xhamive
dhe pasi të shkojë në Murin perëndimor, që njihet si Muri i Lotëve, Papa Bergolio
do të vendosë lule në Malin Herzl e do të vizitojë Memorialin e Jad Vashemit. Pastaj,
Ati i Shenjtë do t’u bëjë një vizitë kortezie dy Rabinëve të Mëdhenj të Izraelit,
si edhe presidentit izraelit, Shimon Peres. Më pas audienca private me kryeministrin
Benxhamin Netanijahu në Qendrën e Zojës së Bekuar në Jeruzalem. Pasdite, vizita private
me Patriarkun Ekumenik të Kostandinopojës në Malin e Ullinjve, ndërsa në kishën e
Gjetsemanit, pranë Kopshtit të Ullinjve, takimi me meshtarët, rregulltarët, rregulltaret
dhe seminaristët. Në Sallën e Çenakullit, mesha me ordinarët e Tokës Shenjte dhe me
shoqëruesit është akti i fundit i shtegtimit të parë të Papës Françesku në tokën e
Jezu Krishtit, para se të niset për në Romë, ku do të mbërrijë të hënën në darkë.