2014-03-27 12:11:26

Mesha e Papës me parlamentarët italianë: t’ia hapim zemrën Hyjit


Në kohën e Jezusit klasa drejtuese ishte larguar nga populli, e kishte braktisur, pepse ishte e paaftë për të bërë gjë tjetër, përveç ndjekjes së ideologjisë së vet dhe rrëshqitjes drejt korrupsionit. Kështu tha Papa Françesku në homelinë e meshës së kremtuar në mëngjesin e sotëm pranë Altarit të Katedrës së Shën Pjetrit, në praninë e 493 parlamentarëve italianë. RealAudioMP3
Interesat partiake, luftërat brenda llojit: për këto gjëra shkriheshin energjitë e atyre që komandonin në kohën e Jezusit, deri në atë pikë sa, kur Mesia shfaqet para tyre, nuk e njohin, përkundrazi, e padisin si një shërues nga aradha e Shejtanit. Këto janë fjalët e Papës Françesku që dëgjuan mëngjesin e sotëm, në Bazilikën e Shën Pjetrit një numër i madh i parlamentarëve italianë, bashkë me nëntë ministra dhe kryetarët e Senatit dhe të Dhomës. Leximi i parë nga Libri i Jeremisë flet për profetin, i cili i bën jehonë “ankimit të Hyjit” për një brezni që, vëren Papa, nuk i ka pranuar lajmëtarët e tij dhe shfajëson veten për mëkatet e veta. “M’i kanë kthyer krahët”, citon Papa Françesku, i cili komenton: “Kjo është dhimbja e Zotit, dhimbja e Hyjit”. E ky realitet, vijon, gjendet edhe në Ungjillin e sotëm. Realiteti i verbërisë kundrejt Hyjit, kryesisht nga ana e udhëheqësve të popullit:
“Zemra e këtyre njerëzve, e këtij grupi të vogël, me kalimin e kohës ishte ngurtësuar aq shumë, sa ishte e pamundur ta dëgjonin zërin e Zotit. Dhe nga mëkatarë, rrëshqitën, u bënë të korruptuar. Është shumë e vështirë që një i korruptuar të kthehet pas. Mëkatari po, sepse Zoti është i mëshirshëm dhe na pret të gjithë. Por i korruptuari është i ngulur tek gjërat e veta, dhe këta ishin të korruptuar. E për këtë arsye shfajësojnë veten, sepse Jezusi, me thjeshtësinë e tij, por edhe me forcën e Hyjit, i bezdiste”.
Këta njerëz, vijon Papa, “e kanë humbur rrugën. I janë kundërvënë shpëtimit të dashurisë së Zotit dhe kanë rrëshqitur nga feja, nga teologjia e fesë në teologjinë e detyrimeve”:
“Refuzuan dashurinë e Zotit dhe ky refuzim i futi në një udhë që nuk ishte ajo e dialektikës së lirisë, që ofronte Zoti, por ajo e logjikës së domosdoshmërisë, ku nuk ka vend për Zotin. Në dialektikën e lirisë gjendet Zoti i mirë, që na do, na do shumë. Përkundrazi, në logjikën e domosdoshmërisë nuk ka vend për Hyjin: duhet bërë, duhet bërë, duhet... Ata u dhanë pas sjelljes. Njerëz me sjellje të mirë, por me zakone të këqija. Këta Jezusi i quan ‘varre të zbardhura’”.
Kreshma, përfundon Papa Françesku, na kujton se “Hyji na do të gjithë” dhe duhet “të përpiqemi t’ia hapim zemrën”:
"Në këtë rrugë të Kreshmës do të na bëjë mirë, të gjithë neve, të sjellim ndër mend këtë ftesë të Zotit për dashuri, për këtë dialektikë të lirisë, ku gjendet dashuria, dhe ta pyesim veten, të gjithë: Po unë, a jam në këtë udhë? A mos rrezikoj ta shfajësoj veten e të shkoj në një udhë tjetër, ku të më leverdisë, sepse nuk çon drejt asnjë premtimi të caktuar? E t’i lutemi Zotit, të na japë hirin, që të ecim gjithmonë në udhën e shpëtimit, t’ia hapim zemrën shpëtimit që vjen vetëm nga Hyji, nga feja, jo nga ajo që propozonin këta ‘doktorë të detyrës’, të cilët e kishin humbur fenë dhe e udhëhiqnin popullin me teologjinë baritore të detyrës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.