2014-03-26 11:44:17

Takimi botëror i familjeve 2015, në Filadelfia, u paraqit për gazetarët


Duhet ta shoqërojmë familjen, sot e përbuzur dhe e keqtrajtuar, me një baritori inteligjente, të guximshme e plot dashuri, siç na thotë Papa. Kështu tha dje, kryetari i Këshillit Papnor të Familjes, imzot Vinçenco Palja, gjatë paraqitjes së Takimit të tetë Ndërkombëtar të Familjeve, në program nga 22 deri më 27 shtator 2015 në Filadelfia të SHBA-ve. Imzot Palja uroi që këmbanat e kishave të lajmërojnë ardhjen e një pranvere të re për familjen. Takimi i Filadelfias nuk do të jetë vetëm për katolikët, sepse familja është temë universale, prandaj do të ftohen Kishat e fetë e tjera, si edhe të gjithë njerëzit vullnetmirë:RealAudioMP3
“Reflektimi mbi familjen të kthehet në qendër të vëmendjes së Kishës, të Kishave të tjera të krishtera, të feve të mëdha botërore e, edhe të institucioneve”.
Kryeipeshkvi i Filadelfias, imzot Chaput, nënvizoi se Kisha duhet ta kuptojë mirë çastin, në të cilin ndodhet njerëzimi:
“Duhet ta kuptojmë realitetin. Mendoj se secili prej nesh ka dikë në familje, që është divorcuar, ose është rimartuar, ose jeton me një homoseksual. Nuk do të përqendrohemi thjesht në këto probleme, por sigurisht, duam që kushdo të ketë mundësinë për të folur”.
Kryeipeshkvi shpreson që Papa Françesku të marrë pjesë në Takimin Botëror të Filadelfias, qytet, ndër më të mëdhenjtë e SHBA-ve, ikonë e katolicizmit, por edhe fotografi e problemeve të Kishës në nivel botëror, me nevojën për risi, pas krizës së abuzimeve seksuale:
“E kemi për detyrë t’i ndihmojmë viktimat e abuzimeve dhe familjet e tyre për t’u shëruar, si edhe të mbrojmë fëmijët e të rinjtë nga shpërdorimet, në vitet e ardhshme”.
Imzot Chaput kujtoi me emocion kanonizimin e ardhshëm të Gjon Palit II, Papë i familjes e nxitës i këtyre Takimeve Botërore. Pastaj, foli me besim për vizitën e nesërme të presidentit amerikan Obama tek Papa Françesku:
“Shpresojmë të jetë një takim i frytshëm për të mirën e botës. Sot, sa herë Kisha takohet me politikën, është çast i rëndësishëm për dialog, debat dhe impenjim për të mirën e përbashkët të njerëzve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.