2014-03-26 16:05:03

Papa në audiencën e përgjithshme: meshtari ose e do popullin me zemrën e Jezusit, ose nuk shërben


Ipeshkvi, prifti ose diakoni, që nuk janë në shërbim të bashkësisë, me ndjenjat e dashurisë së Jezusit, nuk e kryejnë mirë misionin e tyre. Rreth këtij mendimi e zhvilloi sot Papa Françesku katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar sakramentit të shugurimit. Ipeshkvi e meshtari, tha Papa, duhet ta jetojnë thellësisht Eukaristinë, ta dëgjojnë me vëmendje të madhe Fjalën e Zotit e ta praktikojnë rregullisht Sakramentin e Rrëfimit.RealAudioMP3

Shërbëtorë të bashkësisë, me dashuri. Është e vetmja epërsi, që përfytyroi Jezusi për Apostujt e vet e për gjithë pasardhësit e tyre, krerë të Kishës, sepse, të parët për t’i shërbyer. Çdo formë tjetër e ushtrimit të autoritetit është thellësisht e gabuar e nuk i bën mirë askujt, pohoi, me fjalë tejet të qarta, Papa Françesku, në praninë e 50 mijë vetëve, që e ndiqnin me ombrella të hapura, nën shiun e ftohtë, dhuratë e fundme e dimrit për pranverën. Grigja, pohoi Papa, kullotet me zemrën e Jezusit, zemër përplot me dashuri:
“Meshtari, ipeshkvi, diakoni, duhet ta kullosin grigjën e Zotit me dashuri. Nëse nuk e bëjnë me dashuri, domethënë se nuk shërbejnë. E në këtë kuptim, shërbëtorët, që zgjidhen e shugurohen për këtë shërbim, e zgjatin praninë e Jezusit në kohë: gjithnjë nëse e bëjnë këtë me pushtetin e Shpirtit Shenjt, në emër të Zotit, me dashuri”.
Dashuria është rregulli kryesor i meshtarit, të çdo rendi e të çdo grade. Por për ta dashur Jezusin, duhet të jesh i lidhur me Të në mënyrë të pazgjidhshme, me vepra, me fjalë, me ndjenja. Përndryshe, siguron Papa Françesku, humbet, pa asnjë dyshim, kuptimi i vërtetë i këtij shërbimi. E me të, edhe gëzimi, që buron nga bashkimi me Jezusin:
Ipeshkvi që nuk lutet, ipeshkvi që nuk e dëgjon e nuk e ndjen Fjalën e Zotit, që nuk kremton ditë për ditë, që nuk rrëfehet rregullisht - e njëlloj edhe meshtari, që nuk i bën këto gjëra – me kalimin e kohës e humbasin bashkimin me Jezusin e zhyten në një mediokritet, që nuk i bën mirë Kishës. Prandaj duhet t’i ndihmojmë ipeshkvijtë e meshtarët të luten, ta dëgjojnë Fjalën e Zotit, buka e tyre e përditshme, ta kremtojnë ditë për ditë Eukaristinë e të shkojnë të rrëfehen vazhdimisht. Kjo ka rëndësi të dorës së parë, sepse i shenjtëron, si ipeshkvijtë, ashtu edhe meshtarët”.
Krerë të bërë një me Krishtin, Mësues i dashurisë dhe i shërbimit; por edhe krerë të pasionuar të bashkësisë, që u është besuar kujdesit të tyre. Për Papën Françesku, në kraharorin e meshtarit nuk mund të rrahë një zemër e akullt. Për të, ripohoi, Kisha është familja, së cilës duhet t’ia kushtojë gjithë vetveten, ta dojë me gjithë shpirt:
“Ipeshkvi, meshtari, e duan Kishën në bashkësinë e tyre, e duan fort! Po si? Ashtu si e do Krishti Kishën. Ashtu siç thotë Shën Pali, kur flet për martesën: dhëndri e do fatin e vet, si Krishti Kishën. Është mister i dashurisë së madhe, ky i shërbimit e edhe ky i martesës, dy sakramente, udhë përmes së cilës, zakonisht, njerëzit shkojnë tek Zoti”.
Mendimi i fundit iu kushtua atyre, që nuk janë ende meshtarë, por që i tërheq fort kjo rrugë jete. Për t’u bërë, shpjegoi Papa me ironi të hollë, nuk shkohet atje, ku lëshohen çeqet. Thirrja nuk blihet, as nuk shitet, sepse është nismë e pastër e vetë Zotit:
“Zoti thërret: e thërret secilin nga ata, që duan të bëhen meshtarë, e ndoshta edhe këtu ka të rinj, që e ndjejnë në zemër këtë thirrje. Dëshirën për t’u bërë meshtarë, dëshirën për t’i shërbyer të tjerëve në sendet, që vijnë nga Zoti. Dëshirën për të qenë gjithë jetën në shërbim për të katekizuar, për të pagëzuar, për të falur, për të kremtuar Eukaristinë, për të mjekuar të sëmurët: po për gjithë jetën kështu. Nëse ndonjëri e ka këtë thirrje në zemër, është vetë Jezusi, që e ka vënë aty, eh? Ruajeni këtë ftesë e lutuni të rritet e të japë fryte në mbarë Kishën”.Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku ceku situatën në Lindjen e Mesme, duke përshëndetur besimtarët e gjuhës arabe, ardhur në Sheshin e Shën Pjetrit nga Jordania, Libani e Iraku, e, më pas, në gjuhën italiane, përshëndeti oficerët dhe ushtarakët e ushtrisë e të Rojes Bregdetare të Salernos, disa prej të cilëve do të nisen për mision paqeje në Liban.







All the contents on this site are copyrighted ©.