2014-03-26 16:05:27

Papa inkurajon liderët fetarë të Afrikës Qendrore: do të flasë për situatën me Obamën


Sot, në audiencën e përgjithshme, mori pjesë grupi i përfaqësuesve të ‘Platformës së rregulltarëve për paqen” në Afrikën Qendrore. Përbëhej nga imzoti Dieudonné Nzapalainga, kryeipeshkëv i Bangui, pastori Nikolas Grékoyame-Gbangou, kryetar i Kishës Evangjelike dhe imami i Bangui, Oumar Kobine Layama. Grupi punon prej kohe për paqen, në një vend ku, për fat të keq, kanë rifilluar ndeshjet.
Papa Françesku i inkurajoi të jenë gjithnjë të bashkuar, pranë popullit të tyre, duke vijuar përpjekjet kundër çdo lloj përçarjeje. I siguroi, më pas, se do të flasë për Afrikën Qendrore, në takimin e nesërm me presidentin e SHBA, Obama. Tre liderët fetarë, që para audiencës u pritën edhe nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, punojnë prej kohe për paqëtimin e vendit, duke u takuar me lider të ndryshëm të bashkësisë ndërkombëtare. Të dëgjojmë Kryeipeshkvin e Bangui: RealAudioMP3
Përgjigje: - Është fjala për burra e gra qendrafrikane, që jetojnë në pyje, të tmerruar, të paaftë deri për t’i shprehur ndjenjat e tyre. Gjithnjë në ecje, në zhvendosje, janë të bindur se askush nuk merret me ta. Nuk i dëgjon. Në emër të tyre jam këtu, së bashku me të tjerët. E në emër të tyre po takohemi me autoritete nga më të ndryshmet, me ata, që marrin vendime për fatet e njerëzve. Që ta dëgjojnë, në zërin tonë, sa i madh është shqetësimi, sa e tmerrshme, vuajtja e sa i padurueshëm mjerimi i këtyre njerëzve, që vetëm qajnë. Këtyre krijesave, numri i të cilave shtohet ditë për ditë. Këtë kuptim ka misioni ynë ndërmjet autoriteteve të kësaj bote.







All the contents on this site are copyrighted ©.