Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët,
sot, Dom Ndre Zadeja
Dom Ndre Zadeja (Shkodër, 03. 11. 1892 - Shkodër, 25. 03. 1945) prift e poet,
u pushkatua pa gjyq në qytetin e Shkodrës, duke u bërë martiri i parë, viktimë e diktaturës
komuniste.
Tragjedia e dramaturgut martir
Ishte në kulmin e lulëzimit
meshtarak, kulturor e artistik, kur në skenën e Shqipërisë nisi të luhej tragjedia
e diktaturës së kuqe, në të cilën ai, dramaturgu i njohur, do të vritej i pari. Tragjedia
e pashkruar nis me këtë skenë: “Më 3 shkurt 1945, në shkollën fillore të Sheldisë
bëhet një mbledhje e popullit të fshatit për dorëzimin e armëve. Në mbledhje thirret
me këmbëngulje edhe famullitari. Ndërkaq, për t’i kallur tmerrin popullit, komunistët
pushkatojnë pa gjyq fshatarin Tomë Marku për shkak se nuk kishte dorëzuar armën. Dom
Ndreu, pa marrë parasysh rrezikun, kryen shërbesat e fundit fetare te koka e viktimës.
Ky veprim, që përbën detyrën e shenjtë të çdo meshtari, konsiderohet akt armiqësor
kundër regjimit dhe priftit i vihen prangat. Burgun e Shkodrës, ku e mbyllin, e gjen
përplot me klerikë të tjerë katolikë”. Skena e dytë duhet të ishte ajo e gjyqit.
Po sipari nuk hapet e askush nuk e merr vesh a del e kur del në gjyq e ç’gjykatë e
dënon. Dihet vetëm se dënohet me vdekje. Skena e tretë e tragjedisë së dramaturgut
të madh, zhvillohet në qelitë e tmerrshme të burgut komunist. Deri më 25 mars 1945.
Është e Diela e Larit, në prag të Pashkëve të Ngjalljes, kur Dom Ndreu, së bashku
me 13 të tjerë, niset drejt vdekjes. Meshtarët e burgosur, që e ndjekin varganin e
përmortshëm prej pas hekurave, u japin bekimin e fundit të katërmbëdhjetëve. Tragjedia
arrin, kështu, shpejt e shpejt, në pikën kulmore. Shkodra dëgjon breshërinë e mitrolozit,
që shtrin përdhe “Poetin e ambëlcisë” dhe 13 shokët e tij të idealit. Bëhet, pa dashur,
spektatore e kësaj tragjedie që, si në kohët e Neronit, përfundon me vrasjen e vërtetë
të aktorëve kryesorë. Të klerikut katolik, të cilin e njeh dhe e do me gjithë shpirt
për shërbimin e tij meshtarak, për atdhetarinë e tij e për talentin e shquar që gjeti
shprehjen e vet në melodramat e para të letërsisë shqipe "Ora e Shqypnisë", "Hijet
e zeza"; "Rrethimi i Shkodrës", "Rozafa" etj, të vëna në skenën e teatrit të jezuitëve
në Shkodër e më vonë edhe në teatrin e Tiranës e të lexuara, edhe kur nuk mund të
viheshin më në skenë, sepse të ndaluara nga regjimi komunist. Tragjedia e Poetit të
ambëlsisë, kishte filluar ndoshta qysh me 16 gusht 1944, gjatë Meshës në Kishën e
Shirokës, ditën e Shën Rrokut, kur iu drejtua besimtarëve: “Dy fjalë i kam sot
me ju, sidomos me ju, o të rij. Një re e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi
kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s'keni për të pasë shka
me i ba, veç me bajtë e me i sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka,
ajo mohon edhe Zotin". Shprazja e madhe nis njëkohësisht me breshërinë e mitrolozave
të diktaturës, që këpusin një nga lulet më të bukura të letrave tona, për ta lënë
vetëm në kërcej të thatë traditën katolike, shoqëruar nga zëri i lebetitur, që troket
derë më derë: "Kanë grí Dom Ndrenë!". Nuk është më kohë melodramash! Seminaristët,
të prirë nga Dom Tom Laca, pa marrë parasysh kërcënimet, e mbartin trupin e përgjakur
të Meshtarit dhe e varrosin në Rrëmaj. Para se të mbyllet arkivoli i përgatitur me
nxitim, seminaristi Mark Çuni, i vë mbi gjoks një flamur shqiptar. Pak orë më vonë
djaloshi i kushton kësaj ngjarjeje elegjinë “O male, pse s’ushtoni", muzikuar nga
seminaristi tjetër, Gjergj Laca. Por kënga nuk këndohet kurrë: seminaristi, poet
e këngëtar, u pushkatua pak kohë më vonë në të njëjtin vend, kur ende nuk ishte tharë
gjaku i katërmbëdhjetë besimtarëve katolikë. Duke shkruar, kështu, një tragjedi të
re. E tani, kur për emrin e Dom Ndreut flitet si për atë të një të Lumi të ardhshëm,
urojmë që një ditë jo të largët, në rrugët e rrugicat e Shkodrës plakë, të ushtojë
zëri i hareshëm. "Po naltohet në eltér Dom Ndreu, martiri që i lau, i pari, me gjak
këto troje të martirizuara!”. Varri i thjeshtë i Dom Ndre Zadejës ndodhet ende
atje, nën selvitë e çinarët qindvjeçarë të varrezës së Rrëmajit, për t’u treguar shqiptarëve
se kjo nuk është tragjedi, e luajtur në Teatrin e Jezuitëve, por realitet i tmerrshëm,
që rrezikon të përsëritet, po të harrohet.
Epilog: Dom Ndreu qe martiri
i parë i furisë komuniste mbi Kishën katolike në Shqipëri; urojmë të jetë ndër të
parët të Lum, që do të ngjiten në nderimet e elterit, duke u lënë dramaturgëve shqiptarë
në dorë, subjektin për një dramë heroike, në të cilën personazhi kryesor është një
Shenjt.
Dy fjalë për jetën dhe veprën e Dom Ndré Zadejës, poet martir i
fesë katolike, ndjekës i shkollës letrare të Jezuitëve.
Dom Ndré Zadeja,
i njohur si “Poeti i ambëlcisë” dhe si një ndër dramaturgët e parë të letërsisë shqiptare,
është njëkohësisht edhe dëshmitari i parë i fesë katolike që ra nën plumbat e diktaturës
komuniste. Lindi në Shkodër më 3 nëntor 1891. I ati, Gjoni, ishte zanatçi; e ëma,
Lukja e Cuk Fishtës, shtëpiake. Klasat e para të fillores i ndoqi në shkollën italiane
të vendlindjes. Nën ndikimin e fortë të djalit të dajës, dom Mati Fishtës, më 1903
hyri në Kolegjin Saverian, ku më 1912 mori dëftesën e pjekurisë dhe vendosi t’i kushtohej
përgjithnjë rrugës së meshtarisë. Më 30 shtator 1913 u nis për në Innsbruck, ku studioi
filozofinë e teologjinë deri më 16 mars 1916. Sapo kreu studimet, u kthye në Atdhe
ku u shugurua meshtar dhe më më 26 prill 1916, në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë,
tha Meshën e parë. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje të madhe, u emërua si sekretar i
Kryeipeshkvit të Shkodrës, Imzot Jak Serreqit, detyrë që e kreu për gjashtë vjet me
radhë, deri më 1922, kur u zëvëndësua nga Dom Lazër Shantoja. Vazhdoi misionin
si famullitar në Mal të Jushit, në Bogë, Shkrel e Sheldî. Marrëdhëniet e ngushta me
popullin, i krijuan mundësinë të studionte me kujdes mënyrën e jetesës, mendësinë
e sidomos gjuhën e pastër e të pasur popullore. Dom Ndreu kishte një formim të
gjithanshëm: filozofik, teologjik, pedagogjik, letrar e artistik; ishte poet lirik,
dramturg, publicist e orator i njohur. Shkroi artikuj e mbajti ligjërata për edukatën
e edukimin; së bashku me Dom Mikel Koliqin hartoi muzikën e dy melodramave të tij
të para “ Ora e Shqypnís” e “Hije të zeza”, dha një ndihmesë të madhe për themelimin
e bandës muzikore të shoqërisë “Bogdani”; qe mësues i solfezhit për të rinj që mësonin
veglat e frymës; gjatë shërbimit në famullinë e Sheldisë shoqëroi me armonium të gjitha
kremtimet fetare. Përpjekjet e para për botimin e veprës së Zadejës u bënë në vitet
1938-44 nga “Kumbona e së Dieles”, organ i famullive të Kryedioqezës të Shkodrës,
ku panë dritën e shtypit një pjesë e vjershave dhe e melodramave të tij. Por “Kumbona”
nuk mundi ta nxjerrë në dritë veprën e plotë, sepse botimi i revistës u ndërpre. Pesëdhjetë
vjet më vonë këtë detyrë të vështirë e mori mbi vete Lec Zadeja, i cili bëri përpjekjen
për t’i dhënë letërsisë shqipe një Zadejë sa më të plotë, në veprën “Dom Ndré Zadeja,
Veprat”, në dy vëllime(1994 -1996) botuar në Lezhë nga shtypshkronja “Gjergj Fishta”.
Përmes kësaj vepre të punuar me dashuri, lexuesi njihet me Zadejën poet, prozator
e dramaturg.
Poeti Poezitë e para të Zadejës janë: “Muzhika” e “Piktura”,
përmes të cilave u këndon këtyre arteve që lartojnë e fisnikërojnë shpirtin e njeriut. Pastaj
Meshtari poet, duke ecur në gjurmët e Etërve Xanoni, Fishta, Prennushi e të tjerëve,
krijoi një cikël me poezi fetare, si “Natyra e Zojës”, “Falni”, “Të Kryqëzuemit”,
“Shêjtnorja e Zojës” etj. Poezitë përshkohen nga fryma e filozofisë së krishterë,
këndojnë mirësinë, dashurinë e faljen. Duke provuar ritme, metra e strofa të ndryshme,
Zadeja solli një ndihmesë të madhe në pasurimin e prozodisë shqiptare. Shquhet
ndërmjet tyre “Natyra e Zojës”(fq.45) shkruar me strofë safike. Është një himn
të cilin mbarë krijesa ia këndon Asaj, që mbajti në krahëror, lindi, rriti, shoqëroi
te këmbët e kryqit e pastaj në lumturinë e mbretërisë qiellore, Shëlbuesin e botës.
Është pranverë! Natyra zhvesh mbulojën dimërore dhe, e veshur me blerimin e gëzueshëm,
këndon. Këndojnë valët e përrenjve që rrjedhin furishëm ndërmjet shkëmbinjve, gurrat
e qeta, krojet, gjethët, lulet, bari; këndojnë yjet natën e dielli në agim, këndon
bilbili: mbarë kreatyrët shpërthejnë në kor me brohori një refren të vetëm: “Falemi
Mëri! Këndon toka e qiella!”. Poezia “Falni”, me strofë katërshe, është një
thirrje që tingëllon përherë aktuale në shtegtimin e vështirëtë njeriut mbi tokë:
“Falni, falni:... O Zot, hekrat i theva, / edhe vetë t’idhnimit të zí; /T’fyemet
të tana ‘i ditë i ndjeva;/ fala, tesh pushoj n’qetí//”. Satirën “Kumbona e
Sheldisë” e përshkon ideja se toka shqiptare nuk mund të kuptohet pa tingullin e kumbonëve,
simbol i krishtërimit e i përpjekjeve të vështira të popullit për të ruajtur fenë
e traditat e të parëve. Shkruan poeti: “Dyqind vjet kumbonë jehove/ Shoqet në dhé,
ti n’kambë qindrove; / Vezirlive ua prishe gjumin/ Një magjyp ta shkurtoi rumin!” Në
poezitë fetare të dom Ndreut bën pjesë edhe katekizmi në vjersha. Zadeja shquhet
për aftësinë e krijimit të portreteve poetike. Janë të njohura poezitë portret kushtuar
Atë Gjergj Fishtës e Dom Ndre Mjedjes. Në elegjinë Atë Gjergj Fishtës, shkruar
menjëherë pas vdekjes së Poetit. Zadeja, me pak penelata të goditura, realizon altorelievin
e fratit të madh shqiptar: “O Françiskan, Poetë i paharrueshem, /Kangëtar i padekshëm
e Lahutës!”. Poeti Zadeja, i shtyrë nga një parandjenjë historike, e siguron
Atë Gjergjin se Lahuta nuk do të kalbet në vorr e se, kur të kalojë dimri i robërisë
e të zgjohet përsëri ëndja për kulturë e letërsi shqiptare, Djelmnia do ta kërkojë
përsëri Lahutën e prap do t’i këndojë lavde klerit që shqypen lartoi me djersë e pupul
ari të Barletit e të Beçikemit, me dorë të prarueme të Buzukut, të Budit e të Bogdanit..
e me bylbyla të Mjedjes.... “Ky, pra, asht kleri, - shkruan Zadeja - Lidhun
me ‘i besëtë papreme: Fé e Atdhé!”. Në vjershën-portret, kushtuar Lyrikut shkodran
Dom Ndre Mjedjes, Dom Ndre Zadeja sintetizon veprat dhe nënvizon tiparin themelor
të krijimit të autorit të “Scodrës”, “Lissus”, “Andrrës së jetës” e të “Lirisë”: stilin
e përsosur: “Hije Mjedjane!... n’lyren tande... hartin... lima krijuese deri/ n’përsosmeni
e shpuri!” Këto janë disa nga vjershat e Dom Ndreut që me punë kambëngulëse
e të devotshme i përmblodhi në një libër Lec Zadeja. Po a janë mbledhur të gjitha?
Ndoshta të tjera dorëshkrime të Dom Ndreut a të ndonjë kleriku tjetër flejnë ende
ndër birucat e shtëpive ku qenë varrosur një gjysëm shekulli. T’i kërkojmë, sa s’i
ka zhdukur koha. Janë dëshmi të gjalla e të lumnueshme, të cilat i krijojnë bashkësisë
së vogël katolike mundësinë të rilindë si feniksi nga hiri e pluhuri i vet i lavdishëm,
që mbeti nga djegia e madhe.
Prozatori Zadeja nuk lëvroi gjinitë
e gjata tregimtare, por shkrimet e tij pedagogjike dhe konferencat e mbajtura me shkrim
në Kolegjin Saverian, tregojnë se ai nuk ishte vetëm poet. Në Konferencat e tij ka
shumë mendime interesante e mjaft të përparuara për kohën mbi nevojën e shkollimit
të brezave të rinj me një frymë të vërtetë kombëtare, mbi rolin e dijes në formimin
e shoqërisë, domosdoshmërinë e njohjes dhe të zbatimit të sistemeve arsimore moderne
etj. etj.
Dramaturgu Më shumë se poet e prozator, Dom Ndre Zadeja
njihet si një ndër pionierët e dramës shqiptare, në llojin e melodramës. Veprat e
tij të para melodramatike janë “Ora e Shqipnisë”, që u botua te revista “Shkolla e
re” dhe “Hijet e Zeza” e “Ruba e kuqe”, që u botuan pjesërisht tek “Lingua albanese”
e Atë Cordignanos dhe tek revista e arkidioçezës së Shkodrës “Kumbona e së Dieles”.
Janë botuar të plota “Rozafa” dhe “Rrethimi i Shkodrës”, ndërsa melodrama “Shpella
e Bogdanit” nuk është gjetur ende. Melodramat u vunë në skenë me muzikë të Dom
Mikel Koliqit, në bashkëpunim të ngushtë me autorin e tekstit letrar. Muzika përbëhet
nga një seri recitativesh, apo pjesësh të shoqëruara me pak instrumente muzikore,
gjatë të cilave zhvillohet veprimi skenik dhe “pjesësh të mbyllura”, apo ariesh, duetesh
e koresh, gjatë të cilave muzika merr epërsi dhe veprimi dramatik ngadalësohet, për
të nxjerrë në pah efektin lirik. Partiturat e tri melodramave “Rozafa”, “Rrethimi
i Shkodrës” dhe “Ruba e kuqe”, të ruajtura me përkushtim nga Dom Mikeli, i përpunoi
mjeshtrisht kompozitori Tonin Harapi, pak kohë para se të vdiste. Melodramat e
Zadejës e marrin temën nga legjenda dhe nga historia. Përshkohen nga atdhetaria e
flakët dhe nga himnizimi i virtyteve kombëtare: besës, burrërisë, mikpritjes. Melodramat
“Ora e Shqypnisë”, “Ruba e kuqe” dhe “Hije të zeza”, i bëjnë jehonë ngjarjeve jetike
të historisë së Shqipërisë pas shpalljes së Pavarësisë: Luftës së Vlorës dhe përpjekjeve
të shqiptarëve për t’u njohur si komb. Dredhia e Politika, të personifikuara te “Hijet
e Zeza”, janë ngritur kundër historisë së një populli të vogël, që kërkon të drejtat
e veta: “Ky komb i vogël s’ka të drejtë me rrnue/ N’ defterët e Europës, mos të gjindet
shkrue!” - bërtasin. Por, pohon poetikisht Zadeja: “... Ora e Shqypnís nuk ka marue!/
Ora e Shqypnisë jam un’, e tokës vigane/ ku Herakli ‘i ditë zhvilloj fuqinë titane:/
ku Leka e Burri, u lidhën me besë të Zotit/ me at’ besë qi e forcon krahi i Sabaotit...” Nga
melodramat që kanë arritur të plota, “Rozafa” mbështetet në legjendë, ndërsa “Rrethimi
i Shkodrës” në histori. Te “Rozafa”, duke u mbështetur mbi motivet e baladës së lashtë
të murosjes, autori vë ballë për ballë tradhtinë dhe dashurinë sublime për atdhe.
Në dramë lëvizin një sërë personazhesh, përfaqësues të dritës: Rozafa, Afrodizi, Petriti,
Orfeo; e përfaqësues të errësirës: Kunatat, shtrigat, Murati, e hijet e vëllëzërve
besëthyer. Veprimi zhvillohet shpejt, plot dramaticitet e tragjizëm. Monologu i Rozafës
para murimit dhe monologu i Petritit, kryepriftit ilir, janë pjesët më prekëse të
melodramës. Veprën historike “Rrethimi i Shkodrës” autori e shkroi duke u mbështetur
në librin homonim të Marin Barletit. Veprimi dramatik zhvillohet përsëri tek muret
e Rozafës, por qindra vjet më vonë. Para nesh shpaloset Shkodra, tri herë e rrethuar,
tri herë fitimtare... por më në fund, e thyer nga uria e e tradhtuar nga Venediku:
“Mjer’, mjer’ aj komb qi idé nuk ka kombtare, / por i rroguem n’dukata t’huej harliset,
/ kin diçka jam, e se a’ bâ ráj’ s’kujtohet!// Republika e Shën Markut, në lojën
politike me turqit, ia ka kthyer kurrizin Shkodrës. Por Shkodranët nuk e japin Shkodrën.
Luftëtarët e saj e fretërit me zhguna të trashë, nuk e japin Shkodrën. Ata një zëri
përgjigjen: “Çka jem Shkodran, mbi flamur të saj betue/ i madh e i vogël jem n’kët
ditë fatlume!”// “Rrethimi i Shkodrës” është një melodramë heroike, që vazhdon
t’ua zgjojë ndjenjat e dashurisë për atdhe, atyre që i kanë ende të gjalla në shpirt
këto ndjenja të shenjta, pa të cilat njeriu nuk mund të quhet njeri. Pjesët më të
realizuara të melodramës janë “Kënga e Loredanit”, monologu i Franit, kënga e korit
kundër sulltanit e vajtimi i Çeçilies. Në përfundim të kësaj paraqitjeje të thjeshtë
të veprimtarisë së Dom Ndre Zadejës, shpresojmë se lexuesi do ta kuptojë vetë se ç’padrejtësi
është bërë duke ia mohuar veprimtarinë e Zadejës letrave shqipe. Emri i tij nuk figuron
ende në asnjë nga tekstet të cilat pretendojnë se punojnë për edukimin demokratik,
etik e patriotik të brezave të rinj, që shpresohet se do t’i dalin zot Kombit shqiptar.