2014-03-23 13:23:32

Selia e Shenjtë merr pjesë në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino


Selia e Shenjtë do të marrë pjesë si anëtare nderi në edicionin e 27-të të Sallonit Ndërkombëtar të Librit në Torino, i cili do të mbahet nga 8 deri më 12 maj. Javës së kaluar, veprimtaria u paraqit në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Hapësira kushtuar Vatikanit do t’i përngjajë disi, pasi do të dallohet nga një kupolë e formuar me libra. Emblematike, edhe arkitektura e pavionit, siç shpjegoi kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën, kardinali Xhanfranko Ravazi:
“Harta e pavionit dhe kjo kupolë përkojnë saktësisht me projektin për Bazilikën e re të Vatikanit, që pati bërë arkitekti dhe artisti Donato Bramanate”.
Pjesëmarrja e Selisë së Shenjtë është bërë e mundur nga ndihma e bamirësve. Ja ç’tha kardinali Ravazi:
“Ashtu siç bëmë edhe për Bienalen e Venedikut, kemi rigjallëruar parimin e ‘patronazhit tradicional’. Mbështetemi pothuaj krejtësisht – përveçse nga institucionet, që ofrojnë hapësirën – nga sponsor, nga meçenatë, që kanë dhënë kontributin e tyre në forma të ndryshme”.
Gjatë Javës së Librit në Torino janë parashikuar veprimtari të shumta, ndër të cilat, një debat kulturor, ku do të marrë pjesë edhe kardinali Ravazi, dhe paraqitja e botimeve të ndryshme për Papën Françesku, në praninë e Sekretarit të Shtetit, kardinalit Pietro Parolin. Gjatë përurimit të panairit, Kapela Muzikore Papnore do të japë shfaqje në Auditoriumin e Lingotto-s dhe në Teatrin prestigjoz “Regio”. Ndër institucionet vatikanase, të pranishme në Sallonin e Librit, edhe Shtëpia Botuese e Vatikanit LEV. Të dëgjojmë drejtorin e saj, don Xhuzepe Kosta:
“Do të sjellim edhe publikime, që do të dalin gjatë javëve të ardhshme, si për shembull, dy vëllime të Papës Bergolio kur ishte kardinal, prej të cilëve, njëri u drejtohet edukatorëve. Në vëllim përmblidhen dy publikime, botuar në Argjentinë: ‘Buka e shpresës” dhe ‘Mos u lodh së mbjelluri’. I kemi bashkuar e kemi nxjerrë një vëllim të vetëm. Më pas, do të paraqesim edhe vëllimin ‘Bisedë për Biblën’, takimin ndërmjet Papës Bergolio, Abraham Skorkës dhe Marcelo Figueroa. Libër, që i kushtohet dialogut ndërkombëtar”.
Ndër veprat, që do të ekspozohen në pavionin e Selisë së Shenjtë në Torino, disa, të mjeshtrave të letrave e të pikturës, si: një ilustrim i Botiçelit për Ferrin e Komedisë Hyjnore, disa dorëshkrime të autografuara nga Petrarka, një letër e autografuar nga Karlo Alberto për Papën Piu IX e një letër e Kamilo Bensos, kont i Kavurit.







All the contents on this site are copyrighted ©.