Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët,
sot, Dom Marin Shkurti
Dom Marin Shkurti (Samrish, 01. 10. 1933 - 1969) i shuguruar meshtar më 1961,
shërbeu pak kohë në Kishën me dyer të hapura e shumë, në atë të heshtimit: guxoi ta
vijojë heroikisht shërbimin meshtarak në kohën e terrorit. U arrestua, prandaj, u
torturua e u pushkatua në vitin 1969. U zhduk, për t’u
ridukur në listën e 40 martirëve të denjë për nderimet e elterit
Dom
Marini i përket një grupi të veçantë meshtarësh, shuguruar në vitet ’50-’60, nën diktaturë,
pas ipeshkvijve Ernest Çoba e Pjetër Dema, më 22 prill 1952. Ndërkohë, sipas dëshmisë
së atë Zef Pllumit, “ishin lirue prej burgut nji numër i mirë meshtarësh... që...
mbasi kishin kalue gjithë ato vuejtje e tortura ndër burgje e kampe të punës së detyrueme,
çdo punë për Krishtin u vinte e lehtë. Perveç kësaj, ata kishin edhe një plus para
syve të popullit: ai u besonte shumë dhe i çmonte për jetën e tyne, prandaj edhe i
ruente e i ndihmonte, me gjithsa i kishte mbetë mbas shpirtit”.1 Në
këtë stinë nisën shugurimet e reja. Pas shfarosjes së madhe të figurave më të ndritura
të klerit në dhjetvjeçarin e mëparshëm, e lirimit të të tepruarve gjallë, besimtarët
mrekulloheshin duke dëgjuar të flitet për shugurime të reja meshtarake. Athua Zoti
po bante mrekulli? Më 19 mars 1954, në sakrestinë e vjetër të Katedrales, imzot Çoba
shuguronte tinzash jezuitin Atë Gjergj Vata dhe priftin Dom Ndoc Noga. Më 1 maj 1956,
pas shumë peripecish, shugurohej një ipeshkëv i ri françeskan, Imzot Antonin Fishta
e me të, në Laç të Shëna Ndout, Atë Zef Pllumi dhe Atë Shtjefën Pistulli. Hapej,
me ta, radha e gjatë e shugurimeve të reja: Dom Kolec Toni e Dom Zef Simoni (9 shkurt
1961); Dom Mhill Beltoja (8 dhjetor 1961), Dom Luigj Kçira (24 mars 1963), Dom Tish
Lisna, Dom Njac Dema.... Shugurimi i tyre ndezi në shpirt të popullsisë një zjarr
të ri fetar. Më 1944 kleri katolik shqiptar numëronte rreth 200 meshtarë. Më
1952 në bilancin e përndjekjes, shënoheshin mbi 180 klerikë katolikë të dënuar me
vdekje, të vrarë pa proces, të burgosur, të torturuar, të shtrënguar të bëjnë punë
të detyruar në kampe. 5% e tyre vdiqën të lënë në mëshirën e fatit. Vetëm 1/5 vijonte
haptas misionin, duke u përkujdesur për jetën shpirtërore të besimtarëve që, me gjithë
atmosferën e terrorit të kuq, vijonin të martoheshin, të lindnin fëmijë e të vdisnin!
Në këto kushte, kur të zgjidhje rrugën e meshtarisë, do të thoshte të zgjidhje rrugën
e Kalvarit, e thirri Zoti Dom Marin Shkurtin. I lindur në Samrish, më 1 tetor
1933, me shkollim krejt të parregullt, nga fillorja, në Dajç të Bregut të Bunës, tek
studimet e mëtejshme, nën drejtimin e famullitarit, dom Pjetër Gruda, u shugurua meshtar
nga Imzot Çoba në Katedralen e Shkodrës, ku më 8 dhjetor 1961 kremtoi edhe Meshën
e parë, për të filluar menjëherë shërbimin në fshatin Stajkë. Pas mbylljes së kishave
vijoi fshehurazi shërbesën e tij në fshatra e qytete. Derisa rifilloi sulmi i ri,
shfarosja përfundimtare. Sulmi nisi së pari kundër këmbanave, që duke rënë ag e mesditë
e muzg, e shqetësonin keqas qeverinë. Përse bien këto këmbana? - duhet të kenë pyetur
masakratorët e klerit katolik. Në të vërtetë, kishin shumë arsye. Këmbanat e kishave
duhet të binin vetëm përmortshëm, pas gjithë asaj ploje, që kishte përgjysmuar klerin,
e para plojës së re, që do ta asgjësonte. Po këmbanat binin përfestshëm! Më 1965
kryeipeshkvi i Shkodrës, Imzot Ernest Çoba, u thirr para Këshillit të Ministrave,
në Tiranë, ku u njoftua se këmbanat ishin të padëshiruara. Mund të binte vetëm një
këmbanë, vetëm një herë e vetëm të dielave e festave të mëdha. Atëhere këmbana
vetmitare kumboi për të kumtuar mortin e ri! Vitin ogurzi 1967! Në janar të këtij
viti, rinia e shkollës së mesme “Naim Frashëri” në Durrës, shpalli publikisht nismën
“Të luftojmë deri në fund ideologjinë fetare, bestytnitë, zakonet prapanike”. Më 6
shkurt, fjalimi i diktatorit: “Mbi revolucionarizimin e Partisë e të pushtetit”. Nisi
rroposja e madhe. Të parat, vdiqën këmbanat. Kisha e jezuitëve u kthye në teatër kukullash;
e fretërve, në kino-teatër; e stigmatineve, në klub rinie e sallë gjyqi kundër grupit
të fundit të klerikëve, që kishin shpëtuar nga masakra e parë, a që kishin mungulluar,
si filiza të rinj, në trungun e lashtë, gjysëm të fshehur nën dhe. Niste, kështu,
faza e dytë, shkatrrimtare, e sulmeve kundër fesë dhe institucioneve fetare. Rrafshimi! Dom
Marin Shkurti, bari pa grigjë e pa strehë, gjithnjë në pritje të arrestimit, vendosi
të largohej nga vendi. Po e tradhtuan. E kapën. Dhe e pushkatuan. Ishte viti 1969.
Pas tij katër vëllezërit e dy kunetërit, u dënuan me burgime të rënda, duke e paguar
kështu, lidhjen e gjakut e të krushqisë me një meshtar katolik. Asokohe farefisnia
me meshtarin katolik quhej “njollë në biografi”, gjë që të mohonte çdo të drejtë. Ishte
epoka e shembjeve të mëdha, e flakadaneve të mëdha, ushqyer me Ungjij e libra të tjerë
fetarë, që digjeshin deri në mes të sallave të mbledhjeve. E edhe epoka e trimave
të çartur, si atë Meshkalla, që i shoqëruan flakadanet me fjalë plot optimizëm, kur
optimizmi ishte kundër çdo arsyeje të mirë: “Digjnje, digjnje! Nuk asht hera e
parë që digjet Ungjilli. Ka 2000 vjet që e djegin, shokët tuej, por askush nuk mujti
me i djegë mësimet e Krishtit. Digjnje! Po mësimet e Zotit nuk mund të digjen. Ai
asht tepër i madh. Ju, tepër të vogjël!”. Në këtë rropamë, kur dukej se po përmbysej
vetë bota, u zhduk edhe Dom Marin Shkurti, për t’u ridukur në listën e 40 martirëve,
të denjë për nderimet e elterit!
1 At Zef Pllumi, “Rrno
vetëm për me tregue”, pj. II, Tiranë, 1997, fq. 74