2014-03-21 15:57:13

Shën Agostini, në qendër të predikimit krezhmor, nga atë Kantalamesa: uniteti i të krishterëve është vepër e Shpirtit Shenjt


Shën Agostini ishte protagonist i predikimit të dytë të Atë Kantalamesës, mbajtur sot paradite, në Kapelën “Nëna e Shëlbuesit” të Pallatit Apostolik, në praninë e Papës. Predikatari i Shtëpisë Papnore zgjodhi ipeshkvin e Iponës, për të shpjeguar se Kisha përbëhet nga njerëz, që mblidhen e shkrihen së bashku, përmes dashurisë së krishterë, që është Shpirti Shenjt, Shpirt, që i bashkon.RealAudioMP3

Është diçka, që duhet ta kemi mirë parasysh, kur flasim për Kishën: e këtë na e mësoi Shën Agostini. Një gjë është Kisha e pranishme tokësore, ara, ku rriten pranë e pranë gruri e egjra; rrjeti, që mbledh peshq të mirë e të këqij, domethënë shenjtorë e mëkatarë, e tjetër, Kisha ardhshme, qiellore, Kisha e gjithë shenjtorëve.
Predikatari i Shtëpisë Papnore u nis nga ky mësim i madh i ipeshkvit të Iponës, për të shtjelluar meditimin e tij, kushtuar natyrës së Kishës, duke vijuar, me dallimin ndërmjet Kishës tokësore, bashkësisë së sakramenteve, asaj që bashkon, Shkrimeve të Shenjta, autoritetit – e bashkimit, si vepër e Shpirtit Shenjt, e hirit, e dashurisë së krishterë:
“Përkatësia ndaj Kishës i kërkon këto dy gjëra së bashku. Bashkimin e dukshëm, shenjat sakramentore, e bashkimin e padukshëm të hirit. Pa harruar se ajo, e këtu progresi tjetër i Shën Agostinit, i pranon gradët: nuk duhet të jesh medoemos brenda ose jashta saj. Mund të jesh pjesërisht brenda, pjesërisht jashtë”.
Prej këtu, skizmat, ndarjet, kundërvëniet, grindjet teologjike. E pikërisht duke u nisur nga këto, Shën Agostini arrin në përfundimin se në Kishën Katolike mund të ketë edhe ndonjë gjë, që nuk është katolike, ashtu si jashtë Kishës Katolike, mund të ketë gjëra katolike:
“Të shikojmë sesi mund të na ndihmojë teologjia e Agostinit në këtë përpjekje për t’i kapërcyer gabimet shekullore … Sot duhet të ecim, duke u nisur nga bashkimi shpirtëror në dashuri, për të arritur, pastaj, tek bashkimi edhe në sakramente, posaçërisht në Eukaristi”.
Problemi, që shtrohet për zgjidhje, duke pasur parasysh mospërkimet e ndarjet, nënvizoi atë Kantalamesa, është se nuk mund t’i jepet më shumë rëndësi bashkimit institucional, sesa atij shpirtëror:
“Nga kjo, për mua, krijohet në pikëpyetje serioze, e prej kohe. A mundem unë si katolik, ta ndjej veten të bashkuar me turmën e atyre që, të pagëzuar në Kishën time, janë krejtësisht indiferentë ndaj Krishtit e Kishës, ose interesohen vetëm kur është puna për të folur keq, më shumë sesa me aradhet e atyre që, ndonëse u përkasin konfesioneve të tjera të krishtera, besojnë në të vërtetat themelore, në të cilat besojmë edhe ne, e duan Jezu Krishtin, e kumtojnë Ungjillin, e bëjnë të dukshme praninë e Shpirtit Shenjt, në shpirtin e tyre? Persekutimet, aq të shpeshta sot, në disa nga viset e botës, nuk bëjnë dallime: nuk i djegin kishat, as nuk i vrasin njerëzit, sepse janë katolikë, por sepse janë të krishterë. Për ta, ne jemi një gjë e vetme!”.
Këto janë pyetje, që duhet t’ia bëjnë vetes edhe të krishterët e Kishave të tjera, lidhur me katolikët, shtoi predikatari i Shtëpisë Papnore e, në vijim, theksoi rëndësinë e mësimit të Shën Agostinit, që e shikon në Shpirtin Shenjt parimin themelor të unitetit të Kishës, më shumë sesa në bashkimin horizontal të ipeshkvijve ndërmjet tyre e të ipeshkvijve me Papën. Unitetin e Kishës e bën Shpirti Shenjt, pasqyrim i unitetit të përkryer ndërmjet Atit e Birit për virtyt të Shpirtit. Këtë themel mistik të unitetit e hodhi vetë Jezusi, kur tha: “Të jenë një gjë e vetme, ashtu si ne jemi një gjë e vetme”. Bashkimi themelor në doktrinë e në disiplinë, do të jetë fryt, pasojë e këtij uniteti mistik e shpirtëror, e nuk mund të jetë kurrë shkak. Në përfundim, atë Kantalamesa vërejti:
“Hapat më konkrete, drejt unitetit, nuk janë, pra, ato që bëhen rreth tryezave të bisedimit, ose në deklaratat e përbashkëta, sado të nevojshme e të domosdoshme të jenë; janë ato, që bëhen, kur besimtarët e konfesioneve të ndryshme mblidhen, për të kumtuar së bashku, me mirëkuptim vëllazëror, Jezusin Zot, duke ndarë bashkë thirrjen e tyre, duke pranuar se janë vëllezër, që i nënshtrohen sinqerisht e me bindje të plotë, secili, udhëzimeve të Kishës së vet”.E mësimi i fundit, për t’u nxënë, lidhur me natyrën e Kishës? Është porosia e Shën Agostinit, në përfundim të fjalimeve e tij mbi vetë Kishën: “Nëse doni të jetoni në Shpirtin Shenjt, ruajeni dashurinë e krishterë, duajeni të vërtetën, e do të fitoni amshimin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.