Papa: përvujtëria e lutja, të nevojshme për të mos e “përvetësuar” Fjalën e Zotit
Për të mos e qëlluar në zemër Fjalën e Zotit, duhet të jemi të përvuajtur e të aftë
për t’u lutur. Dy sjellje, të cilat Papa Françesku i kujtoi sot paradite gjatë Meshës,
kryesuar në Shtëpinë e Shën Martës. Fjala e Zotit mund
edhe të përvetësohet, të përdoret sipas qejfit, në se i krishteri nuk përvuhet e nuk
lutet. Shtytjen për ta vënë në dukje këtë kurth e për t’u ruajtur prej tij, Papa e
mori nga Ungjilli i ditës, në të cilin Jezusi rrëfen shembëlltyrën e vreshtarëve
vrasës, që një herë vrasin shërbëtorët e, në fund, edhe të birin e të zotit të vreshtit,
duke dashur të rrëmbejnë gjithë trashëgimin e tij. Këtë fjalë e dëgjojnë farizenjtë,
pleqtë, priftërinjtë, të cilëve, shpjegoi Papa, Jezusi u drejtohet, për ta kuptuar
sa poshtë kishin rënë, sepse nuk ia kishin hapur zemrën Zotit: “Kjo është
drama e këtyre njerëzve, e edhe drama jonë! E përvetësuan Fjalën e Zotit. E Fjala
e Zotit, u bë fjala e tyre, fjalë në përkim të plotë me interesat e tyre, me ideologjitë
e tyre, me teologjitë e tyre, gjithnjë në shërbim të tyre. E secili e interpretonte
sipas dëshirës, sipas interesit të vet. Kjo është drama e këtij populli, që për ta
vijuar këtë udhë, vret. Por ky është edhe suksesi i Jezusit”. Krerët e
priftërinjve e të farizenjve, vijoi Papa Françesku, kur e dëgjuan këtë shembëlltyrë
të Jezusit, e kuptuan se po fliste për ta. Prandaj kërkonin ta kapnin, e ta shihnin
të vdekur. Në këtë mënyrë, pohoi Papa, Fjala e Zotit vihej në pranga, Shpirti Shenjt
mbyllej në kafazin e dëshirave të secilit prej tyre. E kjo na ndodh pikërisht edhe
ne, vërejti Papa Françesku, kur nuk ia hapim zemrën risisë së Fjalës së Zotit, kur
nuk i bindemi Fjalës së Zotit: “Po është një frazë, që na jep shpresë. Fjala
e Zotit ka vdekur në zemër të këtyre njerëzve; pa harruar se mund të vdesë edhe në
zemrën tonë. Po nuk vdes kurrë për fare. Sepse është në zemrën e njerëzve të thjeshtë,
të pëvuajtur, të Popullit të Zotit. Kërkonin ta kapnin, por kishin frikë nga turma
e Popullit të Zotit, për të të cilin ai ishte profet. Nga turma e thjeshtë, njerëzit,
që e ndiqnin pas, sepse çka thoshte Jezusi u bënte mirë zemrave të tyre. Këta njerëz
nuk gaboheshin: nuk e përdornin Fjalën e Zotit për interesat e tyre, e ndjenin e përpiqeshin
për t’u bërë pakëz më të mirë”. E ne, tha në përfundim Papa, ç’mund të
bëjmë, për të mos e vrarë Fjalën e Zotit, për t’iu bindur, për të mos e mbyllur në
kafaz Shpirtin Shenjt? Dy gjëra, krejt të thjeshta, ishte përgjigjja: “Kjo
është sjellja e atij, që dëshiron ta dëgjojë Fjalën e Zotit: e para, përvujtëria;
e dyta, lutja. Këta njerëz nuk luteshin. Nuk kishin nevojë të luteshin. Ndjeheshin
të sigurt, të fortë, ndjeheshin ‘zota’. Përvujtëri e lutje: me përvujtëri e lutje
të shkojmë përpara për të dëgjuar Fjalën e Zotit e për t’iu bindur. Në Kishë. Përvujtëri
e bindje në Kishë. E kështu nuk do të na ndodhë, çka u ndodhi atyre njerëzve: nuk
do të vrasim, për të mbrojtur Fjalën e Zotit, atë Fjalë, në të cilën besojmë! Fjalën
e Zotit, së cilës ne ia ndryshojmë krejtësisht kuptimin”.