2014-03-20 12:39:46

Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, Dom Lekë Sirdani


Dom Lekë Sirdani (Gurëz, Milot, 01, 03. 1891-Koplik, 26. 12. 1948), personalitet i shquar i Kishës katolike: prift, patriot, shkrimtar. U torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në një gropë ujërash të zeza.RealAudioMP3

Këta janë me të vërtetë njerëz të Hyjit!

Fundi i Dom Lekës, sipas dëshmisë së Atë Anton Lulit:
“Dom Aleksandrin e futën në burg dhe e dënuen në mënyrë barbare. S’patën pikë mëshire për të. E rrahën aq randshem, sa që goditjet ndigjoheshin fort deri në qelinë time, pak ma larg qelisë së tij. Ai i duronte torturat pa bëzajtë. Por në orë të ndryshme të ditës, burgu tundej nga zani i tij: “Kam etje! Ujë, ujë, se po des!”. Britma dridhte mure e shpirtna. Na shkaktonte dhimbje, ma fort se varrët, që edhe ne nuk na mungojshin. S’ mërrij me e përshkrue si duhet atë skenë. E as ju nuk mundeni me e përfëtyrue, sepse jashtë çdo arsyeje njerëzore. Një ditë, mbasi më kishin torturue me korrent elektrik, isha aq i terrorizuem, sa iu luta rojes, që më shoqnonte në qeli: “Ali, në daç ti, mund të më lirosh prej kësaj jete, që s’durohet ma. S’të kushton tjetër, veçse një plumb ballit! Do të isha mirënjohës në atë jetë!”. Alia gjegji: “Të shpëtoj ty, po ç’t’i bëj vetes. Mos harro se jam me fëmijë! Do të mbeteshin pa baba”. E dinte Aliu se do ta hante vetë plumbin, për një plumb të shkrehur pa urdhërin e atyre, që shkrehshin çdo ditë plumba në mish të gjallë. U riktheva në qeli e vijova të ndigjoj britmat e Dom Lekës. Nuk e di sa zgjati kalvari i tij. Sigurisht, disa muej. Kur e pashë një ditë në korridor, nuk e njoha. Para asaj figurë-fantazëm, ula sytë. Sa e tmerrshme me e pa ashtu e mos me mujtë me ba asgja për të. Një masdite, tue mos i ndigjue ma britmat e tij, pyeta rojen: “Ku asht Dom Leka, që nuk po ndigjohet?”.
M’u përgjigj: “Ehhh, i shkreti, sapo e hodhën në nevojtoren e burgut. Atëherë i thashë rojes se ndihesha keq e iu luta të më shoqnonte në banjo. M’u gjegj se nuk kishte ardhë ende orari. Po unë vijova t’i lutem ankthshëm, e ai më shoqnoi, pa fjalë. Çova sytë për ta falënderue e pashë se edhe sytë e tij ishin mbushë me lot. Edhe ai kjante për fundin e Dom Lekës. Kur iu afrova gropës së zezë, që shërbente si nevojtore për ne, të burgosunit, pashë se langu i zi, me pak dhé përsipër, vijonte me gurgullue. U ula, për të krijue përshtypjen se isha aty për nevojat e mia, nga frika se ndokush mund të më spiunonte e, mshehtas, me dorën që më dridhej nga tmerri, bana shpejt e shpejt një shenjë kryqi mbi trupin e atij Meshtari të shkretë, që sapo kishte dhanë shpirt, i hedhun në një vend kaq çnjerëzor. Nga tronditja, u ndjeva me të vërtetë keq. Aq, sa nuk munda të çohesha prej buzës së asaj grope, që u kthye në vorr për dy prej meshtarëve ma të mirë të Kishës. Roja më shtërngoi fort, tue më marrë ngrykë. Si Centurioni. E sytë e tij thoshin: “Këta janë me të vërtetë njerëz të Hyjit!”. Kur mbërrijta, ma në fund, në qeli, bërtita sa mujta: “Deri kur, o Zoti em! Deri kur!”. Mandej u luta në heshtje për shpirtin e atij, që tashma, nga gropa e zezë, duhet të ishte naltue në horizontet e lirisë së amshueme!

Marrë nga Regjina Lulashi, “Dy vëllezër dëshmorë”(Due fratelli martiri, 2007, Grafiche Panico Galatine (Lecce), fq 68-69

Dom Aleksandër Sirdani: jetëshkrim i shkurtër

Ndonëse jetoi e vdiq në të njëjtin shekull, në të cilin jetojmë edhe ne, për datën e lindjes dhe të vdekjes së Dom Aleksandër Sirdanit nuk kemi asnjë të dhënë të shkruar. Në librin “Martirizimi i Kishës Katolike shqiptare, 1944-1990, nuk shënohet asnjë datë e jetës së tij. Po kështu edhe në “Leksikon i shkrimtarëve shqiptarë (1501-1990), hartuar nga Hasan Hasani (Prishtinë, 1995). Në listat e fundit të Zyrës së Martirëve, shënohet datëlindja 1 mars 1891.
Sipas dëshmive gojore, Dom Aleksandër Sirdani, moshatar me Dom Lazër Shantojën, lindi më 1892 në fshatin Bogë të Malësisë së Madhe. Qe i vëllai i historianit të shquar, Atë Marin Sirdanit. Të dy vëllezërit, mbetur jetimë, pa nënë pa babë, që në moshë të njomë, malësorët e Bogës i nisën për në Gusí dhe ia besuan një hoxhe. Kleriku shenjt mysliman, jo vetëm që nuk mendoi t’i edukonte në fenë islame, por, për t’ua ruajtur fenë e të parëve, u nis së bashku me të dy jetimët për në Shkodër dhe i dorëzoi në duart e Kishës katolike: Aleksandrin në shtëpinë e Motrave Servite, Marinin ndër fretën. Kështu një hoxhë mysliman i dhuroi Kishës katolike dy meshtarë të shquar, e ata , kur u rritën, për të shprehur mirënjohjen, duke vënë buzën në gaz, e quanin veten “të bijtë e Hoxhës”.
Motrat servite i krijuan Aleksandrit mundësinë që të studionte. Mësimet e para, e pastaj të mesmet, i kreu ndër Jezuitë. Kure përfundoi studimet në Seminarin papnor, ai tashmë e kishte përcaktuar rrugën e jetës: do të bëhej Meshtar!
U nis për të kryer studimet e larta në Innsbruck të Austrisë. Menjëherë pas përfundimit të studimeve, u kthye në Adhé dhe shërbeu si Meshtar në zona të ndryshme të Shqipërisë së Veriut.
Shumë shpejt u bë i njohur si meshtar shembullor e si punëtor i zellshëm në të mirë të kulturës. Qe njeri buajr, i ëmbël, i butë, i dashur e i gatshëm të ndihmonte këdo që kishte nevojë. Gjithçka të mirë që kishte: shërbimin meshtarak, talentin dhe vetë jetën, i shkriu me moton e përhershme të klerit katolik: “Për Fé e Atdhé!”
Dom Aleksandër Sirdani qe studiues i pasionuar i vlerave popullore. Si bleta punëtore shëtiti ndër lëndinat e lulëzuara të krijimit gojor popullor: mblodhi një numër shumë të madh fjalësh të rralla, frazeologjishë e fjalësh të urta.
Mbledhjet e frazeologjive Dom Aleksandri i botoi sistematikisht te “LEKA” dhe tek “Hylli i Dritës”. Një pjesë prej tyre i përmblodhi më 1928 në veprën “Fjalë ari”
Në revistën “LEKA”, mbledhësi i palodhur i traditave popullore, botoi një cikël me gjamë apo këngë vaji, të cilat më vonë jezuitët i botuan në një vëllim më vete. Këto këngë paraqesin një interes të jashtzakonshëm, sa për elementet e lashtë, që janë të dukshme ndër to, aq edhe për vlerat artistike e gjuhësore. Në këngët e vajit të mbledhura nga Dom Sirdani, sintetizohet mendimi popullor për jetën, vdekjen, virtytin, vesin, amshimin! Ndër to spikasin ato veçori që e dallojnë popullin shqiptar nga popujt e tjerë. Kujtojmë se këngët e vajit, ndonëse të ndaluara nga diktatura, mbijetuan e sot paraqesin një fushë me interes të posaçëm për mbledhësin dhe studiuesin e folklorit, të gjuhës dhe të historisë.
Dom Sirdani është edhe një nga pionierët e mbledhjes dhe të kodifikimit të mitologjisë, me një vlerë të veçantë për t’u dhënë përgjigje shumë pyetjeve që lidhen me gjenezën dhe formimin e popullit shqiptar. Kësaj veprimtarie iu kushtuan edhe meshtarë të tjerë katolikë posaçërisht Atë Gjeçovi.
Dom Aleksandri qe edhe poet. Në revistën “Leka” botoi herë pas here krijime poetike, të cilat ai i quante “Kallëxime popullore”. Dhe ashtu ishin: të thjeshta, të kuptueshme, pa fluturime të larta. Poezitë e tij, pothuajse të gjitha me temë fetare, janë lirika e satira. Ndër lirikat kujtojmë “Dhetë Urdhnimet e Tënzot” që u botua në disa numra të “Lekës”; ndër satirat, “Legjenda e bishtit të purrinit”, “Frati i ri” etj.
Te satira “Frati i ri”, poeti prek temën e bashkimit të popullit shqiptar, pa të cilin Shqipëria nuk mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë. Tregon autori se në një stinë thatësire të tmerrshme, malësorët shkuan te frati dhe iu lutën t’i lypte Zotit shi. E frati: “... ju veç më nji fjalë, por bânju/ U kishte çekë/ E u fali shî me rrëshekë!/”
Por, si u mblodh te kisha mbarë famullia, malësorët nisën të grindeshin: do shiun e lypshin shé, t’ tjerë t’imtë e të butë; dikush mot të mirë po lutë, - shkruan poeti. E frati: “Mbasi, - u tha, n’godi s’bini/ Krisni kah shpija/ Shka u bân s’ka as Perendia!//
Dom Aleksandri ishte në kulmin e veprimtarisë, kur vetë i dytë, u arrestua nga komunistët në Kastrat. E torturuan mizorisht. Si shumë klerikë të tjerë. Po fundi i asnjërit nuk mund të barazohet me fundin e Dom Aleksandrit. Prifti, pas torturave të tmerrëshme, qe varrosur i gjallë në një gropë ujërash të zeza. E shtynë brënda në gropë dhe e bënë të fundosej duke e goditur me shkelma në kokë. Ishte shtatori i vitit 1946.
Kështu vdiq e u varros në këtë varr të pashëmbëllt e të paemër, ai që dha pa kursim gjithçka kishte për Kishën e për Kombin.
Sikur të gjithë shqiptarët ta kuptojshin si Dom Leka detyrën ndaj Atdheut e të jepshin gjithçka që mund të jepet për të, pa kërkuar kurrë për të marrë, Shqipëria do të kishte një pamje tjetër.









All the contents on this site are copyrighted ©.