2014-03-20 15:59:22

250 anëtarë të besimeve të ndryshme po dialogojnë në Kastel Gandolfo. Sot, takimi me Papën


Takim i zhvilluar në një atmosferë thjeshtësie familjare, ky që u jetua sot, në Vatikan. 20 besimtarë, të 8 besimeve të ndryshme, u pritën nga Papa Françesku. Përfaqësonin një grup shumë më të madh, prej 250 të krishterësh, myslimanësh, hebrenjsh, hinduistësh, sikhsh, budistësh dhe besimtarësh të feve të tjera, pjesëmarrës në takimin “Kjara dhe fetë. Së bashku drejt unitetit të familjes njerëzore”, që vijon qysh dje, në Kastel Gandolfo. Papa Françesku e vlerësoi lart nismën, në kujtim të Kjara Lubih, themeluese e “Lëvizjes së Fokolarëve”, gjashtë vjet pas vdekjes, duke theksuar se ka shumë rëndësi të ecësh përpara, pa u ndaluar kurrë”. Të gjithëve, pastaj u drejtoi kërkesën: “Lutuni për mua!”.
Por, mbi rëndësinë e kësaj ngjarjeje origjinale, që do të përfundojë nesër me një konferencë publike në Universitetin Papnor Urbanian, të dëgjojmë, në mikrofonin tonë, Roberto Katalanon, drejtues i Qendrës për dialogun ndërfetar të Fokolarëve:
Përgjigje: - Një nga përkufizimet më tipike, formuluar për Kjara Lubih, është ‘grua e dialogut’. E dialogut, që bëri, brenda Kishës katolike, me besimtarët e bashkësive të tjera kishtare e të Kishave të tjera, me njerëz të besimeve të tjera e edhe me persona pa orientim fetar. Ajo, personalisht, u takua me budistë, hinduistë, hebrenj, myslimanë, sikhs e nga gjithë këto, përveç përvojës së Lëvizjes së Fokolarëve në botë, lindi përvoja e dialogut, që ne e quajmë: “dialog i jetës”, zhvilluar, më pas, në dialog bashkëpunimi, bashkimi përvojash e edhe në dialog akademik. Gjithnjë dialogë dypalësh: budistë-të krishterë; hinduistë-të krishterë, hebrenj-të krishterë, myslimanë-të krishterë. Kështu zakonisht, por këtë herë u mendua të organizohet një dialog ndërfetar: për herë të parë, përfaqësues të dialogëve dypalësh, u mblodhën për këtë përvojë të përbashkët dialogu.
Pyetje: - Me ç’objektiv?

Përgjigje: - Objektivi është, mbi të gjitha, të komunikojmë me njëri-tjetrin lidhur me përvojat e njëri-tjetrit, parë si rrugë e jetuar dialogu dypalësh, duke pasur parasysh se të gjithë impenjohemi në të njëjtin dialog, por në sektorë të ndryshëm. Prej këndej, ideja që të bashkohemi, si në një mozaik, për të vijuar, pastaj, përpjekjen për ta jetuar së bashku përmasën universale e për të marrë frymë në hapësirën e pakufi të kësaj përmase.







All the contents on this site are copyrighted ©.