2014-03-19 11:39:29

Para një viti, mesha e fillimit të papnisë së Horhe Mario Bergolios


Si sot, para një viti, Papa Françesku fillonte shërbimin e tij pjetrin, me një meshë, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në Solemnitetin e Shën Jozefit. Rreth 200 mijë vetë, ndër të cilët delegacionet e mëse 130 shteteve e organizmave ndërkombëtare, e patën mbushur plot e përplot sheshin, me një entuziazëm, që vazhdon akoma. Përshëndetja e parë e Papës Françesku qe për paraardhësin, për Benediktin XVI, që si sot, kremtonte ditën e emrit:RealAudioMP3
“Falenderoj Zotin që po kremtoj këtë Meshë Shenjte të fillimit të shërbimit pjetrin, në solemnitetin e Shën Jozefit, dhëndërr i Virgjërës Mari dhe pajtor i Kishës universale: është përkim i pasur me domethënie e, edhe dita e emrit e Paraardhësit tim të nderuar. Jami pranë tij me lutje, me dashuri e mirënjohje”.
Homelia e fillimit të papnisë përqendrohet në konceptin e “ruajtjes e të mbrojtjes”. Shën Jozefi mbron Marinë dhe e ushtron këtë detyrë “pa bujë, me përvuajtëri, në heshtje, por me praninë e tij të vazhdueshme, plotësisht besnik edhe kur nuk kupton”. Papa i porosit të gjithë ta mbrojnë e ta ruajnë Krishtin, secili në jetën e vet, sepse vetëm kështu mund t’i mbrojnë e t’i ruajnë edhe të tjerët me dashuri, sidomos më të brishtët, fëmijët, të moshuarit, të varfërit:
“Atëherë, po shtoj këtu një vërejtje tjetër: të kesh kujdes, të ruash, kërkon mirësi, kërkon dhembshuri. Në Ungjij, shën Jozefi duket si njeri i fortë, i guximshëm, punëtor, por shpirti i tij është plot dhembshuri, që nuk është virtyt i të dobtëve, përkundrazi, tregon fuqi shpirtërore e aftësi për vëmendje, për mëshirë, për takim me tjetrin, aftësi për ta dashur me gjithë zemër. Nuk duhet të kemi frikë nga mirësia, nga ëmbëlsia!”
E më pas, Papa Françesku pati folur për shërbimin pjetrin, i cili mban në vetvete një pushtet. Por për ç’lloj pushteti është fjala?
“Të mos harrojmë kurrë se pushteti i vërtetë është shërbimi e se, edhe Papa, për ta ushtruar këtë pushtet, duhet të hyjë gjithnjë e më tepër në atë shërbim, i cili arrin kulmin e vet të ndritshëm në Kryq; duhet të marrë shembull nga shërbimi i përvuajtur, konkret, i pasur me fe, i shën Jozefit e si ai, t’i hapë krahët për të mbrojtur gjithë Popullin e Zotit e për të përqafuar me dashuri dhe ëmbëlsi krejt njerëzimin, sidomos më të varfërit, më të brishtët, më të vegjlit, ata, që shën Mateu i përshkruan në gjykimin e mbramë: të uriturit, të eturit, të huajt, të paveshurit, të sëmurët, të burgosurit (shih Mt 25,31-46). Vetëm kush shërben me dashuri di të ruajë e të mbrojë!”
Homelia e Papës Françesku mbyllej me ftesën për shpresë, gjithnjë aktuale:
“Edhe sot, para hapësirave të shumta me qiell gri, kemi nevojë të shohim dritën e shpresës e ta përçojmë edhe ne vetë shpresën. Të ruash e të mbrosh krijesat e Zotit, çdo burrë e çdo grua, me dhembshuri e dashuri, do të thotë t’ia hapësh horizontin shpresës, të hedhësh një rreze drite në mesin e reve të shumta, do të thotë të sjellësh ngrohtësinë e shpresës! E për besimtarin, për ne të krishterët, si Abrahami, si Shën Jozefi, shpresa që kemi në zemër ka të njëjtin horizont me Zotin, që na u hap përmes Krishtit, me themelet në atë shkëmb, që është Hyji”.








All the contents on this site are copyrighted ©.