2014-03-18 14:42:49

Papa: Kreshma është kohë për t’u afruar me Zotin


Kreshma është kohë e përshtatshme për të “ndrequr jetën”, “për t’u afruar me Zotin”. RealAudioMP3 Këtu e vuri theksin Papa Françesku, në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Papa na porosit të jemi të kujdesshëm e të mos ndjehemi “më të mirë se të tjerët”. Hipokritët, vuri në dukje, “shtiren si të mirë” dhe nuk e kuptojnë se “askush nuk është i drejtë prej vetes”, të gjithë “kemi nevojë të na shfajësojë dikush”.
Papa Françesku e filloi homelinë duke nënvizuar se fjala “kthim” është çelësi i Kreshmës, kohë e përshtatshme “për t’u afruar” me Jezusin. Duke komentuar leximin e parë, nga libri i Isaisë, vërejti se Zoti u bën thirrje për kthim dy “qyteteve mëkatare”, si Sodoma e Gomorra. Kjo, pohoi, vë në dukje se të gjithë “kemi nevojë ta ndryshojmë jetën”, të shikojmë “mirë në shpirtin tonë”, ku gjithmonë do të gjejmë diçka. Kreshma, prandaj, është pikërisht kjo “ndreqje e jetës”, duke iu afruar Zotit. Ai, shtoi Papa, “na do afër” dhe na siguron se “na pret, për të na falur”. Megjithatë, paralajmëroi, Zoti do “afrimin e sinqertë” dhe kërkon të mos jemi hipokritë:
“Çfarë bëjnë hipokritët? Shtiren, shtiren si të mirë. E bëjnë fytyrën engjëllore, luten duke shikuar kah qielli, vihen në pah, mendojnë se janë më të drejtë se të tjerët, i përçmojnë të tjerët. ‘Epo – thonë – unë jam shumë katolik, sepse ungji im ka qenë bamirës i madh. Familja ime është kështu e unë jam.. kam mësuar ... njoh filan ipeshkëv, filan kardinal, filan atë... Unë jam...’. Mendojnë se janë më të mirë se të tjerët. Kjo është hipokrizia. Zoti thotë: ‘Jo, kështu jo’. Askush nuk është i drejtë prej vetes. Të gjithë kemi nevojë që dikush të na shfajësojë. Dhe i vetmi që na shfajëson është Jezu Krishti”.
Për këtë arsye, shtoi Papa, duhet t’i afrohemi Zotit: “Që të mos jemi të krishterë të shtirur, të cilët, përtej pamjes së jashtme, shihet se në të vërtetë nuk janë të krishterë”. Cila është, atëherë, “prova se nuk jemi hipokritë dhe i afrohemi Zotit?” Përgjigjen, nënvizon Papa, na e jep vetë Zoti, në leximin e parë, kur thotë: “Lahuni, pastrohuni, largojeni nga sytë e mi ligësinë e veprave tuaja, hiqni dorë nga e keqja dhe mësoni të bëni të mirën”. Kjo është ftesa. Por, pyet Papa Françesku, “Cila është shenja se jemi në rrugën e duhur?”:
“’Ndihma për të shtypurin, drejtësia ndaj jetimit, mbrojtja e çështjes së të vesë’. Kujdesi për të afërmin: për të sëmurin, të varfrin, nevojtarin, të paditurin. Kjo është prova. Hipokritët nuk dinë të veprojnë kështu, nuk munden, sepse janë aq të mbushur me veten, sa janë të verbër e nuk mund t’i shohin të tjerët. Kur dikush ecën pakëz dhe i afrohet Zotit, drita e Zotit e bën t’i shohë këto gjëra dhe i ndihmon vëllezërit. Kjo është shenja, kjo është shenja e kthimit”.
Sigurisht, vërejti Ati i Shenjtë, “nuk është tërë kthimi”. Tërë kthimi, në të vërtetë, “është takimi me Jezu Krishtin”, por, “shenja se jemi me Jezu Krishtin është kjo: kujdesi për vëllezërit, ata më të dobëtit, të sëmurët, siç na mëson Zoti” dhe siç lexojmë në kapitullin 25 të Ungjillit të Mateut:
“Kreshma shërben për ta ndrequr jetën, për ta rregulluar jetën, për ta ndryshuar jetën, për t’u afruar me Zotin. Shenja se jemi larg Zotit është hipokrizia. Hipokriti nuk ka nevojë për Zotin, shpëtohet vetë, kështu mendon, dhe maskohet si shenjt. Shenja që jemi afruar me Zotin me pendesë, duke kërkuar falje, është kujdesi, që kemi, për vëllezërit nevojtarë. Zoti na dhëntë të gjithëve dritë e guxim: dritë, për të njohur çfarë ndodh brenda nesh, dhe guxim, për t’u kthyer, për t’u afruar me Zotin. Është bukur të jesh afër Zotiti”.








All the contents on this site are copyrighted ©.