2014-03-18 16:06:22

Kriza në Ukrainë. Kryeipeshkvi Shevchuk: Papa Françesku do të bëjë gjithçka është e mundshme për paqen


Papa “ndjek me shumë vëmendje” çfarë po ndodh në Ukrainë. Kështu pohoi Kryeipeshkvi i Madh i Kievit, Fortlumturia e tij Sviatoslav Shevchuk, i cili u prit dje nga Papa Françesku në Vatikan. Departamenti i informacionit i Kishës greko-katolike ukrainase njofton se Papa e siguroi kryeipeshkvin për angazhimin e Selisë së Shenjtë për paqen në Evropën Lindore.
Papa Françesku ndjek “me shumë vëmendje atë që po i ndodh Kishës greko-katolike ukrainase dhe siguron” se Selia e Shenjtë “do të bëjë gjithçka është e mundur për paqen në Evropën Lindore, mbi të gjitha për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit”. Njoftimin e jep një komunikatë e Departamentit të informacionit të Kishës greko-katolike ukrainase, në të cilën flitet për takimin e kryeipeshvit Shevchuk me Atin e Shenjtë dhe me Sekretarin e Shtetit, Kardinalin Pietro Parolin. Fortlumturia e tij Shevchuk, thotë njoftimi, i tregoi Atit të Shenjtë “çfarë ka ndodhur në Ukrainë gjatë tre muajve të fundit” dhe vuri në dukje se “misionin i Kishës grek-katolike ukrainase ka qenë gjithmonë ai i qëndrimit pranë njerëzve dhe mes njerëzve, duke shpjeguar pse u gjetën meshtarët me popullin në sheshin Maidan”.
Kryeipshkvi i madh, vijon njoftimi, foli me Papën edhe për Këshillin e kishave dhe të organizatave fetare të gjithë Ukrainës, që është i angazhuar në “ndërtimin e paqes” në vend. “Ati i Shenjtë – lexohet më tej – shprehu solidaritetin e vet me popullin ukrainas, për vuajtjet dhe rreziqet që e presin”. Fortlumturia Shevchuk i kujtoi Atit të Shenjtë se, “gjatë komunizmit, Kisha greko-katolike ukrainase ka mbijetuar falë bashkimit me Pasardhësin e Pjetrit. Papa Françesku, vijon njoftimi, e ka siguruar kryeipeshkvin Shevchuk se “Kishës greko-katolike ukrainase nuk do t’i mungojë kurrë mbrojtja e Selisë së Shenjtë”. Në fund të takimit Papa Françesku i dërgoi bekimin apostolik mbarë popullit ukrainas.








All the contents on this site are copyrighted ©.