2014-03-18 16:07:17

Brenda 2020-ës, të zhduket skllavëria dhe trafiku i njerëzve. Selia e Shenjtë nënshkruan një marrëveshje me fetë botërore


U nënshkrua dje, një marrëveshje ndërmjet feve të mëdha botërore për të çrrënjosur format moderne të skllavërisë dhe të trafikut të njerëzve brenda vitit 2020.RealAudioMP3 Quhet “Global Freedom Network” (Rrjeti Global i Lirisë), rrjeti i katolikëve, anglikanëve, myslimanëve dhe i Fondacionit “Walk Free” (Ec i lirë), që i ka vënë qëllim vetes të nxisë një aksion global ndaj këtyre krimeve kundër njerëzimit, përmes “mjeteve të fesë”, si lutja, agjërimi e bamirësia. Përfaqësuesi i Papës Françesku, imzot Sançez Sorondo, përmendi kërkesën e Atit të Shenjtë për t’i përballuar këto tema, së bashku me tregtinë e paligjshme të organeve njerëzore:
“Të gjitha këto forma të reja skllavërie, trafiku njerëzish e prostitucioni janë krim kundër njerëzimit. Papa Françesku e ka përsëritur këtë koncept katër herë dhe unë e falenderoj që pati guximin për ta bërë këtë. Papa thotë: ‘Po, unë i theksoj këto gjëra, sepse të tjerët nuk duan t’i përmendin, por janë realitet!’”
Në deklaratën e përbashkët, nënshkruesit e Rrjetit nënvizojnë se “shfrytëzimi fizik, ekonomik dhe seksual i burrave, grave dhe fëmijëve” dënon sot me një jetë të mjeruar, 30 milion vetë. Tolerimi i kësaj gjendjeje, shtojnë më pas, do të thotë dhunim i humanitetit të përbashkët e fyrje për ndërgjegjen e të gjithë popujve. Prandaj, së pari, duhet luftuar indiferenca ndaj viktimave të trafikut e përmes idealeve të fesë dhe promovimit të vlerave të njeriut, të çrrënjoset përfundimisht kjo skllavëri e ditëve tona, e cila vazhdon të mbijetojë, pavarësisht nga përpjekjet. Të dëgjojmë të dërguarin e kryeipeshkvit të Kanterburit, David John Moxon:
“Skllavëria moderne dhe trafiku i njerëzve është një nga shkandujt e tragjeditë më të mëdha të kohës sonë . Është e patolerueshme që miliona vëllezër t’i nënshtrohen kësaj dhune, duke u bërë subjekt i shfrytëzimit çnjerëzor, të privuar nga dinjiteti e të drejtat e tyre. Kjo fyerje duhet të prekë secilin prej nesh”.
Viktimat, u vu në dukje gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, mbahen të fshehura nëpër vende prostitucioni, nëpër anije të vogla e struktura të paligjshme, në shtëpi private në zona të humbura. Por, trafiku i njerëzve është më afër nga sa mendojmë, nënvizoi kardinali Turkson:
“Shumë mendojnë se tregtia e njerëzve të skllavëruar është larg prej nesh. Nuk është e vërtetë. Sipas përvojës sonë, aty ku popullsia është e moshuar e kërkon asistencë shtëpiake, aty fillon e rrënjoset skllavërimi. Kur njerëzit merren në punë për t’u kujdesur për të moshuarit, është e nevojshme të studiohen kushtet, në të cilat bëhet ai shërbim. E që aty vërejmë shenjat e para të skllavërimit. Prandaj: nuk është e nevojshme të shkojmë larg, këto fenomene janë fare pranë nesh”.
Thirrja për politikanët erdhi nga themeluesi i Fondacionit “Ec i lirë”, Andrew Forrest:
“U kërkoj qeverive të botës të bashkohen me fetë e mëdha – me anglikanët, katolikët e me myslimanët sunitë – në përpjekjen për të përfshirë të gjithë në ‘Global Freedon Network’. U kërkoj 193 vendeve të OKB-së të propozojnë që çrrënjosja e skllavërisë të konsiderohet si tregues kryesor i përmirësimit ekonomik, në mbledhjen e ardhshme të G20-ës. Vërtet, nuk ka mënyrë më të mirë për të zhvilluar ekonominë se sa vlerësimi i aftësive të gjithanshme të njeriut e jo vetëm i cilësive të tij trupore”.
Anëtarët e Rrjetit Global të Lirisë njoftuan se do të organizohet një ditë lutjesh për viktimat e trafikut dhe për lirimin e tyre. Në të do të përfshihen shkollat, familjet, universitetet, pasi njerëzit duhet të mësohen që së vogli t’i njohin e t’i denoncojnë fenomenet e skllavërimit e të luftojnë për ta zhdukur këtë plagë nga faqja e dheut.







All the contents on this site are copyrighted ©.